Ambiciet e Trump për Venezuelën, Amerikën Latine dhe Grenlandën po sfidojnë rendin ndërkombëtar dhe e vendosin NATO-n në një pozitë të brishtë. Analisti italian Stefano Stefanini paralajmëron se një “Krime e re” në Arktik, mund të shënojë fundin e Aleancës Atlantike dhe të ndryshojë ekuilibrat globalë…
Ndërsa po merr formë “Doktrina Donroe” - versioni i Trump i Doktrinës Monroe, që shpall të drejtën e Shteteve të Bashkuara për të “rivendosur epërsinë amerikane në Hemisferën Perëndimore” - i kërkuam Stefano Stefaninit, këshilltar i lartë në ISPI dhe analist në gazetën “La Stampa”, që të na ndihmojë të vendosim pak rregull në këtë kaos.
A është një pikë kthese operacioni kundër Maduros në Venezuelë?
Po! Sepse shënon kalimin e politikës së jashtme amerikane nga një qasje globaliste në një hegjemoni kontinentale. Ky ndryshim ishte paralajmëruar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të publikuar pak ditë më parë. Me këtë ndërhyrje, Trump po e vë atë në praktikë. Ai synon supremacinë dhe jo lidershipin global.
Ngjarja është vendimtare edhe sepse tregon rikthimin te kriteret e fuqisë së pastër ekonomike dhe ushtarake, mbi ligjshmërinë ndërkombëtare, një qasje që në një mënyrë më dramatike, e pamë nga Rusia me pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Dy ditë pas Venezuelës, Trump kërcënoi Kolumbinë, foli për rrëzimin e regjimit komunist në Kubë dhe përsëriti se Grenlanda duhet të kalojë nën kontrollin e SHBA-së. Si do të zhvillohet ky program?
Metoda e Donald Trump është shumë e qartë: një përzierje presioni dhe stimujsh, “karota dhe shkopinj”. Kuba është një rast i veçantë, një plagë e vjetër për SHBA-në që nga vitet 1960. Duke pasur një Sekretari Shteti si Marko Rubio, objektivi duket i parashikueshëm: ndryshimi i regjimit në Havanë.
Kur Kuba nuk mund të mbështetet më te ndihma e Venezuelës, ajo do të mbetet e pambrojtur. Për pjesën tjetër të Amerikës Latine - duke filluar me Kolumbinë - synimi është që ajo të ketë qeveri që pranojnë politikën amerikane dhe mbajnë larg ndikimin kinez. Amerika Latine është sot një fushë konkurrence mes SHBA-së dhe Kinës: në ekonomi, për burime dhe ndikim politik.
Po Grenlanda?
Trump e ka thënë shpesh se Grenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane. Ai nuk ka përjashtuar veprimet ushtarake, edhe pse e sheh si opsion të fundit. Qëllimi është të bindë rreth 55 mijë banorët e Grenlandës se është më mirë të bëhen qytetarë amerikanë sesa të mbeten danezë, duke ushtruar presion mbi Danimarkën.
Nëse synimi është thjesht mbrojtja e ishullit, Danimarka mund të lejojë pa problem bazat amerikane. Por nëse qëllimi është kontrolli i burimeve minerale, atëherë SHBA duhet të marrë sovranitetin ose kontrollin de facto të Grenlandës.
Kjo e bën të besueshëm skenarin e “Krimesë”: një pushtim pa rezistencë, i ngjashëm me atë që bëri Rusia në gadishullin ukrainas.
Një veprim i tillë do të ishte sulm i një vendi të NATO-s ndaj një tjetri. A do të shënonte fundin e Aleancës Atlantike?
NATO nuk është e ndërtuar për t’u përballur me agresionin brenda vetes. Në raste tensioni, si mes Greqisë dhe Turqisë, ajo ka vepruar si paqebërës. Por në rastin e Grenlandës, do të paralizohej. Një pushtim amerikan do të shënonte praktikisht fundin e NATO-s.
Çfarë duhet të bëjë Evropa?
Evropa duhet të mbështesë sovranitetin danez mbi Grenlandën, duke lënë hapur mundësinë e vetëvendosjes së banorëve, por njëkohësisht të tregojë gatishmëri për të adresuar shqetësimet e sigurisë amerikane pa një transferim të sovranitetit.
Cili është ndikimi i Doktrinës Donroe në Ukrainë dhe Tajvan?
Ajo përfaqëson një ndryshim i madh: për SHBA-në, interesat në Amerikën Latine vijnë para kundërshtimit ndaj Rusisë në Ukrainë apo Kinës në Tajvan. Trump e thotë hapur: Venezuela, Kolumbia, Kanali i Panamasë dhe Groenlanda janë më të rëndësishme se Evropa dhe Azia.
Por për Iranin?
Irani përfshihet në të njëjtën logjikë: paralajmërime të hapura për ndërhyrje nëse regjimi vazhdon shtypjen e protestave. Është një zgjerim i kërcënimit që ekzistonte për programet bërthamore.
A është kjo politikë në kundërshtim me premtimin “Amerika e Para”?
Në fakt është një transformim. Trump kishte premtuar fundin e luftërave të gjata dhe të padobishme. Tani synon ndërhyrje të shpejta, demonstrative, duke përdorur superioritetin ushtarak dhe teknologjik për të arritur objektiva ekonomike. Demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk janë prioritet. Për Trumpin, rëndësi ka kontrolli i burimeve dhe përfitimi ekonomik për SHBA dhe për pasojë edhe për rrethin e tij politik e familjar./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje