Zelensky e di shumë mirë se fati i vendit të tij, do të vendoset në Uashington dhe jo në Bundestagun gjerman...
Që kur Rusia e pushtoi Ukrainën më shumë se 2 vjet më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pritur entuziazëm sa herë që i drejtohet audiencës perëndimore. Por vizita e tij në parlamentin gjerman javën e kaluar ishte ndryshe.
Gjatë vizitës së tij në Berlin për një konferencë mbi rimëkëmbjen ekonomike të vendit të tij, presidenti ukrainas mori duartrokitjet tashmë të detyrueshme. Por jo nga deputetët e Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë. 73 nga 77 parlamentarët të saj e bojkotuan fjalimin e tij.
Në sallë nuk ishin asnjë nga 10 deputetët e BSË, një parti e krijuar kohët e fundit nga Sahra Wagenknecht, një “konservatore e majtë” shumë karizmatike. “Ne refuzojmë të dëgjojmë një folës të veshur me kamuflazh ushtarak”- u shprehën Tino Chrupalla dhe Alice Ëeidel, bashkë-drejtuesit e AfD-së, në një deklaratë në të cilën ata e cilësuan Zelenskyn si një “president lufte dhe lypës”, mandati legjitim i të cilit ka mbaruar tashmë.
Ndërkohë ata vetë tonë se kanë si synim paqen. Në parim ky qëllim është i lavdërueshëm, por kostoja do të ishte dorëzimi i Ukrainës dhe pranimi i pushtimeve të deritanishme të Rusisë. Ky gjest ndodhi vetëm 2 ditë pasi AfD dhe disa parti të tjera miqësore me Rusinë, arritën rezultatet e tyre më të mira në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Rezultati është shenjë e ndryshimit të qëndrimeve dhe tregues i fillimit të “lodhjes me Ukrainën”. Vetë Zelensky është në mesin e një ofensive të re diplomatike, e cila vazhdoi në samitin e G7 në Pulja të Italisë, dhe kulmoi me konferencën e paqes në fundjavë në Zvicër, ku ai kërkoi mbështetje për planin e tij të paqes të përbërë nga 10 pika.
Ndjenjat pro-ruse dhe rrjedhimisht anti-ukrainase, janë veçanërisht të forta në skajet e spektrit politik gjerman. Dhe mbi të gjitha në ish-lindjen komuniste, e cila është bastioni i AfD dhe BSË. Ndërsa shumica e ish-zotërimeve të Kremlinit, veçanërisht shtetet baltike, mbeten armiqësore ndaj ish padronëve të tyre kolonialë, shumë gjermano-lindorë kanë një dashuri të madhe për ta.
Katër dekada pushtim nga trupat sovjetike lanë gjurmët e tyre. “Duhet të mos harroni: Gjermanët në Perëndim jetonin me amerikanët, ne në lindje jetonim me rusët”- më tha një mbështetës i AfD-së gjatë një vizite të fundi në Gjermani. Por problem nuk janë vetëm partitë ekstremiste.
Partia Social Demokrate e Olaf Scholz, ka kohë që bart një pjesë të përgjegjësisë për afërsinë e madhe me Vladimir Putin. Për këtë duhet fajësuar një përzierje e fajit mbi Luftën e Dytë Botërore dhe bindjes se ishte afrimi i Ostpolitik, i kancelarit të ndjerë Willy Brandt me Moskën, dhe jo shpenzimet e mëdha ushtarake të Ronald Reganit, ato që i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe i hapën rrugën ribashkimit.
Për të mos përmendur Rusinë si një burim energjie, një vend për shitjen e makinave gjermane dhe ofruese të punëve të paguara mirë për udhëheqësit që kanë dalë në pension si Gerhard Schröder, i cili u bë një multimilioner në listën e pagave të kompanive energjetike ruse.
Por simpati të tilla ndaj Putinit nuk janë të veçanta për Gjermaninë. Në Itali, Lega e krahut të djathtë të Matteo Salvinit, një anëtar i vogël i koalicionit qeverisës të Giorgia Melonit, është gjithashtu një anëtar i paguar i “partisë së paqes”.
E çfarë tjetër do të prisnit nga dikush që ishte shumë i lumtur të fotografohej në Sheshin e Kuq në vitin 2014 - jo shumë muaj pas pushtimit të Krimesë nga Rusia - i veshur me një bluzë të zbukuruar me një fotografi të Putinit?
Ndërkohë, udhëheqësi hungarez Viktor Orban, e përqendroi fushatën e tij tek konflikti në Ukrainë, duke i portretizuar kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë vendit si luftënxitës që kërkojnë të tërheqin vendin e tij në konflikt. Po sa i shqetësuar duhet të jetë Zelensky në këtë situatë?
Panorama është e përzier: ndërsa AfD e zgjeroi ndjeshëm mbështetjen, Lega humbi shumë vota që shkuan për Fratelli D’Italia, kryesuar nga Meloni, e cila ka befasuar për mirë liderët e tjerë perëndimorë me mbështetjen e saj të patundur ndaj Ukrainës. Duke u përballur me kërcënimin më serioz nga opozita në 14 vite në pushtet, Orban doli i dobësuar dhe jo i forcuar nga zgjedhjet evropiane.
Më shumë shqetësim për Ukrainën vjen nga Franca dhe rritja e ndjeshme e mbështetjes për Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen, gjë që detyroi Macron të thërriste zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pasi shprehu shqetësim në fillim të luftës mbi rreziqet e “poshtërimit” të Putinit, Macron është kthyer muajt e fundit në një skifter, duke refuzuar të përjashtojë dërgimin e trupave tokësore.
Le Pen ishte dikur shumë më afër Putinit. Aq sa në vitin 2014, partia e saj mori një hua prej 9.4 milionë eurosh nga një bankë ruse, të cilën e pagoi vetëm 1 vit më parë. Megjithatë, ajo e ka dënuar pushtimin e Ukrainës, një qasje të cilën e përsëriti ditët e fundit edhe gjatë fushatës në Francën Veriore.
Si udhëheqëse e një partie të përkushtuar për të mbrojtur “sovranitetin” e Francës, ajo nuk mund të mos dënonte shkeljen e atij të Ukrainës. Nëse Macron do të arrijë të ushtrojë të plotë mandatin e tij të dytë dhe të fundit, ai do të vazhdojë të ketë autoritet mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme deri në vitin 2027, dhe Le Pen thotë se nuk do ta sfidojë këtë.
“Ne nuk duam një kaos kushtetues”- këmbënguli ajo. Por një peshë e madhe e Tubimit Kombëtar në parlament - apo edhe një qeveri të drejtuar nga kjo parti - mund të vështirësojë financimin e ndihmës ushtarake, rindërtimin e Ukrainës dhe pranimin e saj në Bashkimin Evropian.
Qëndrime të tilla, pasqyrojnë një ftohje të opinionit publik ndaj Ukrainës në kontinent, për shkak të frikës se do të tërhiqen në një luftë më të gjerë. Sipas sondazhit të fundit të opinionit publik të Eurobarometrit të BE-së, rreth 83 për qind e evropianëve, janë dakord me mirëpritjen e ukrainasve që ikin nga konflikti.
Por vetëm 60 për qind mbështesin blerjen dhe furnizimin me armë të Ukrainës, një shifër që bie në më pak se 50 për qind në Itali dhe disa vende të tjera të Evropës Qendrore. Por konsiderata të tilla zbehen krahas perspektivës së një fitoreje në nëntor të Donald Trump, i cili vitin e kaluar u zotua në një intervistë televizive, se mund t’i japë fund konfliktit brenda 24 orëve.
Duke qenë Trump, nuk është e qartë se sa do ta bëjë këtë, por rikthimi i tij i mundshëm në Shtëpinë e Bardhë, nuk do ishte një lajm i mirë për Kievin. Shtetet e Bashkuara është vendi më i rëndësishëm nga mbështetjen e Ukrainës. Të premten, presidenti Joe Biden nënshkroi një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me Ukrainën, por Trump mund ta anulojë atë. Zelensky e di shumë mirë se fati i vendit të tij, do të vendoset në Uashington dhe jo në Bundestagun gjerman./Përshtati Pamfleti nga “The Sunday Times”
Lini një Përgjigje