TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Maj 2024, 14:42

Ç’mund të sjellë për rendin global rikthimi i Trump në krye të SHBA-së

Shkruar nga Hal Brands
Ç’mund të sjellë për rendin global rikthimi i Trump
Donald Trump /

Çfarë do të ndodhte me botën, në rast se Shtetet e Bashkuara do të bëheshin një fuqi e madhe normale? Po nëse ajo shkon drejt një izolacionizmi të plotë, pra nëse do të refuzonte idenë se ka një përgjegjësi të veçantë për të drejtuar një rend liberal, nga e cili përfiton e gjithë bota?

Do të ishte një largim epik nga një strategji 80-vjeçare. Megjithatë kjo nuk është më një perspektivë e çuditshme. Në vitin 2016, Donald Trump u bë president me moton “Amerika e Para”. Ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdonin të ishin të plotfuqishme, por më të përmbajtura në angazhimet e saj jashtë vendit.

Pra do të ishte një SHBA, e cila do të maksimizonte avantazhet e saj dhe minimizonte përfshirjen në telashe. Në fakt, tipari përcaktues i botëkuptimit të Trump, është besimi i tij se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë detyrim të ndjekin ndonjë synim më të madh sesa interesi i tyre vetjak, i interpretuar në një mënyrë shumë të ngushtë.

Sot Trump po garon sërish për president, teksa brenda Partisë Republikane po shtohen ithtarët e kësaj qasjeje ndaj politikës së jashtme. Ndërkaq, lodhja me aspektet kyçe të globalizmit amerikan është shndërruar në një kauzë dypartiake. Herët a vonë, nën Trump apo një president tjetër, bota mund të përballet me një superfuqi që e vendos vazhdimisht “Amerikën të Parën”.

Në parim të gjitha vendet ndjekin interesat e tyre, por jo të gjitha i përcaktojnë në të njëjtën mënyrë ato. Koncepti i interesit kombëtar e ka vënë tradicionalisht theksin tek mbrojtja e territorit, popullsisë, pasurisë dhe ndikimit. Por që nga Lufta e Dytë Botërore, shumica e udhëheqësve dhe elitave amerikane, e kanë hedhur poshtë konceptin se SHBA-ja duhet të jetë një vend normal që vepron në mënyrë normale.

Tek fundit, lufta kishte treguar se si ritmet normale të çështjeve ndërkombëtare mund ta zhysnin njerëzimin në tmerre, madje edhe vetë SHBA-në. Në këtë mënyrë, ajo e diskreditoi lëvizjen origjinale “Amerika e Para”, që përbëhej nga kundërshtarët e ndërhyrjes së SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, dhe e bëri të qartë se vendi më i fuqishëm në botë, duhet të zgjeronte pikëpamjen e tij në raport me atë që kërkonin interesat e tij.

Projekti që doli nga kjo qasje ishte i pashembullt në shtrirjen e tij. Ai përfshinte krijimin e aleancave në mbarë globin dhe që mbronin vendet mijëra km larg, rindërtimin e vendeve të shkatërruara dhe krijimin e një ekonomie botërore të lulëzuar e të lirë, si dhe nxitjen e demokracisë në territoret e largëta.

“Shtetet e Bashkuara po marrin tani përgjegjësinë që synonte Zoti i Plotfuqishëm për mirëqenien e botës në brezat që do të vijnë “- deklaroi në vitin 1949 presidenti Harry Truman. Politikë-bërësit amerikanë, nuk dyshuan kurrë se vendi i tyre do të përfitonte nga të jetuarit në një botë më të shëndetshme.

Por krijimi i kësaj bote, kërkonte që Uashingtoni të llogariste çështjet e interesit vetjak në një mënyrë jashtëzakonisht të gjerë. Demokracia lulëzoi në Perëndim dhe rrezatoi edhe jashtë tij. Por amerikanët nuk u pajtua asnjëherë plotësisht me idenë se duhet ta ruanin këtë rend për një kohë të pacaktuar.

Me fillimin e Luftës së Ftohtë, diplomati amerikan George Kennan dyshonte se amerikanët ishin në lartësinë e duhur për të qenë udhëheqës të botës. Kur përfundoi ai konflikt, me një fitore mahnitëse të Perëndimit, ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Jeane Kirkpatrick shkroi se Shtetet e Bashkuara mund të bëheshin më në fund “një vend normal në një kohë normale”.

Dhe sot ka shenja se Uashingtoni nuk do të vazhdojë të sillet pafundësisht si “xhandarja e botës”. Tre presidentët e fundit amerikanë, kanë aspiruar që të gjithë të largohen nga Lindja e Mesme. Proteksionizmi është në rritje. Të dyja partitë kryesore, i përçmojnë marrëveshjet e mëdha tregtare që Uashingtoni i përdorte dikur për të çuar përpara ekonominë globale.

Trump ka ngritur pikëpyetjen se përse Shtetet e Bashkuara duhet të rrezikojnë të shkaktojnë në Luftën e Tretë Botërore për hir të mbrojtjes së shteteve të vogla në Evropë apo Azi. Ai ka qenë prej kohësh skeptik për mbështetjen e Ukrainës kundër Rusisë, si dhe për mbrojtjen e Tajvanit nga një sulm i mundshëm i Kinës.

Dhe pavarësisht nëse fiton apo jo Trump, idetë e tij janë gjithnjë e më qendrore në debatin e politikës amerikane. Prandaj, ia vlen të imagjinojmë konturet dhe pasojat e axhendës “Amerika e Para”, e zbatuar në mënyrë të vazhdueshme vazhdimisht. Një element i kësaj strategjie, do të ishte një mbrojtje e de-globalizuar.

Shtetet e Bashkuara mund të ruajnë edhe në të ardhmen forcën e pakrahasueshme ushtarake që kanë. Po ashtu, mund të investojnë më shumë në mbrojtjen raketore, aftësitë kibernetike dhe mjete të tjera për të mbrojtur atdheun. Dhe mund të godasë fort kur kundërshtarët sulmojnë qytetarët apo e sfidojnë sovranitetin e saj.

Megjithatë, Uashingtoni nuk do të vazhdonte të mbronte shtetet larg saj, mbijetesa e të cilave nuk do të ishte jetike për sigurinë e saj. Nga ana tjetër, një SHBA më normale do të ishte një aleate më e rezervuar. Uashingtoni do t’i trajtonte aleancat e tij, më pak si përbetime strategjike, dhe më shumë si pazare që mund të ndryshohen rrugës.

Ose ndoshta Uashingtoni mund të heqë dorë nga aleancat e tij, duke ia lënë Euroazinë euroaziatikëve, dhe duke u mbështetur tek izolimi gjeografik i Shteteve të Bashkuara, aftësia për të kontrolluar qasjen në det dhe arsenalin e saj bërthamor për t’i mbajtur larg agresorët.

Kështu, kontinentalizmi mund të zëvendësojë globalizmin. Edhe një SHBA më e tërhequr do të përpiqej të dominonte Hemisferën Perëndimore. Kjo do të bëhej më e rëndësishme, pasi Uashingtoni të heqë dorë nga aftësia për të menaxhuar çështjet e sigurisë së Euroazisë.

Shtetet e Bashkuara do të mbeteshin të angazhuara në ekonominë globale. Por ajo do të kërkonte të ri-balanconte në mënyrë dramatike barrën dhe përfitimet e kësaj përfshirje. Nuk do të toleronte më diskriminimin asimetrik nga partnerët tregtarë, madje edhe nga aleatët demokratikë.

Përkundrazi, Uashingtoni do të përdorte fuqinë e tij të pakrahasueshme për të nxjerrë përfitime më të mëdha nga marrëdhëniet kyçe. Ashtu siç Trump goditi Kinën dhe Bashkimin Evropian me tarifa të larta, Shtetet e Bashkuara do të bëheshin më imponuese me aleatët dhe kundërshtarët.

Jo më pak e rëndësishme”Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga aspektet liberale të rendit liberal. Nëse mandati i parë i Trump është një lloj udhërrëfyesi, Shtetet e Bashkuara do të investonin më pak në promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vende të largëta, dhe në dukje jo mikpritëse.

Po ashtu, do të kishte më shumë gjasa të lidheshin hapur marrëveshje me regjimet jo demokratike. Nën një administratë të dytë Trump, Shtetet e Bashkuara mund të bëhen edhe një model për sjellje jo-liberale, pasi liderë të ngjashëm jashtë saj imituan taktikat e Trump. Po ashtu, Uashingtoni mund të mos e vërë më theksin tek ligji dhe organizatat ndërkombëtare. Çfarë do të thotë e gjithë kjo për marrëdhëniet e SHBA me fuqitë rivale? Një strategji “Amerika e Para” mund të sjellë fërkime të vazhdueshme me Kinën, veçanërisht mbi tregtinë. Aty ku agresioni i një vendi autokratik, cënon drejtpërdrejt sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së - sulme iraniane që vrasin qytetarët amerikanë apo një përpjekje e Kinës që ndërpret furnizimin me gjysmëpërçues të avancuar nga Tajvani - tensionet mund të jenë vërtet të mëdha.

Megjithatë, një politikë e SHBA që mbron më pak vlerat liberale, do të ishte më e këndshme për liderët jo-liberalë, dhe Uashingtoni do të ishte më pak i prirur të përballej me Pekinin, Moskën ose Teheranin për shkeljet e normave ndërkombëtare apo imponimin ndaj shteteve të vogla mijëra km larg brigjeve amerikane.

Por zhvillimi i saj në këtë skenar nuk do të ishte i sigurt:trazirat që ndërprenë flukset e naftës në Lindjen e Mesme apo eksportet e gjysmëpërçuesve nga Tajvani, mund të nxitin kriza të rënda ekonomike globale, të cilat nuk do t’i linin të padëmtuar amerikanët.

Por paradoksalisht, SHBA mund të përfitojë edhe në një kaos të tillë, të paktën në terma relativë, sepse vendet e tjera do të ishin shumë më keq. Fuqia amerikane është ende në themel të rendit që ka sot bota. Ndërsa vendet në Evropë dhe Azinë Lindore, do ta ishin të detyruara të bënin investime të reja të mëdha në mbrojtje, duke u përballur gjithashtu me rivalitetet e ringjallura që mund të copëtojnë rajonet e tyre.

Por në fundore, do të ishin Shtetet e Bashkuara, ato që do të paguanin koston më të lartë.

Në skenarin më të keq, Shtetet e Bashkuara do të kuptonin se rënia e rendit global, do të kërkojë ri-angazhimin e saj, por këtë herë nga një pozicion dukshëm më i keq, pasi çështjet brenda Euroazisë do të kenë dalë jashtë kontrollit./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”

Marrë me shkurtime

Shënim: Hal Brands, profesor i Çështjeve Globale në Shkollën Xhon Hopkins të Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare.

rikthimi i trump shba rendi global

Lini një Përgjigje