TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Maj 2024, 18:23

Zgjedhjet e 4 korrikut do sjellin rotacion, por problemet e mëdha të Britanisë do të mbeten aty

Shkruar nga Edward Lucas

 Zgjedhjet e 4 korrikut do sjellin rotacion, por problemet e mëdha të

Nëse lexoni mbulimin mbi Britaninë nga mediat e huaja, do të vini re se adhurimi për “Britaninë e mrekullueshme” deri vetëm një dekadë më parë, i ka lënë tashmë vendin analizave rreth shumë sëmundjeve nga të cilat po lëngon ajo...

Votuesit britanikë shkojnë më 4 korrik në kutitë e votimit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentarë të thirrura nga kryeministri konservator në largim Rishi Sunak. Partia Laburiste, e udhëhequr nga Keir Starmer, do të jetë më shumë gjasa fituesja e tyre.

Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme të vitit 2019, aleatët e Britanisë nuk po i ndjekin me nervozizëm. Sepse atëherë Partia Laburiste drejtohet nga Jeremy Corbyn, një i majtë radikal që nuk i besonte NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët i sulmonte si imperialiste, dhe nga ana tjetër ngurronte të denonconte sjelljet dashakeqe të Rusisë.

Po në atë kohë kishte shumë pikëpyetje mbi Brexit. Tre vjet mosmarrëveshje të forta në parlament mbi mënyrën se si (dhe nëse) duhet të zbatohej vullneti i shprehur nga shumica e ngushtë në referendumin e 2016-ës, e kishin tronditur besimin e publikut vendas dhe atij dhe ndërkombëtar mbi sistemin britanik të qeverisjes, që supozohej të ishte pragmatik dhe efektiv.

Madje liberal-demokratët e qendrës, bënë fushatë për të anuluar rezultatin e referendumit dhe për ta mbajtur Britaninë në Bashkimin Evropian. (Sot jam vetë kandidat i kësaj partie në këto zgjedhje). Por tani gjithçka ka marrë fund tani. Laburistët e përjashtuan Corbyn nga partia për përgjigjen e tij ndaj një hetimi të hapur mbi antisemitizmin tek disa segmente të partisë që drejtonte.

Sot ai është aktiv si i pavarur. Boris Johnson fitoi zgjedhjet në emër të konservatorëve me premtimin për “ta përfunduar Brexit”. Pas një viti kaotik, marrëdhëniet e Britanisë me Evropën u rregulluan. Pasardhësja e tij, Liz Truss, e cila bëri shaka duke thënë se nuk ishte e sigurt nëse Franca ishte një aleate e Britanisë, pothuajse është harruar nga publiku.

Marrëdhëniet me vendimmarrësit në Uashington, Bruksel, Paris dhe Berlin janë të përzemërta dhe pragmatike. Roli kryesor i Britanisë në armatosjen e Ukrainës, lavdërohet nga të gjithë aleatët. Dhe asnjëra nga këto, nuk ka të ngjarë të ndryshojë në një qeveri të mundshme të drejtuar nga laburisti Starmer.

Ekipi i tij i qeverisë hije përfshin disa këshilltarë mbresëlënës. Por ata kanë pak hapësirë ​​për manovrim. Në mesin e premtimeve për më shumë shpenzime për kujdesin shëndetësor, arsimin, mirëqenien dhe infrastrukturën, është e vështirë të gjenden shumë shpejt më shumë para për mbrojtjen.

Të interesuar për të tërhequr pas vetes votuesit e klasës punëtore pro Brexit, që i braktisën në zgjedhjet e 2019-ës, laburistët kanë përjashtuar mundësinë e rishikimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, partitë e vogla nuk paraqesin asnjë lloj sfide ndaj këtij konsensusi.

Në pamje të parë kjo mund të duket si ngushëlluese, por në fakt duhet të shkaktojë alarm. Sepse kur të marrë pushtetin më 5 korrik, qeveria Starmer do të përballet me një kalendar të ngjeshur punësh. Ministrat nuk do të arrijnë të ngrohin mirë kolltukun në zyra, përpara se të përgatiten për samitin e NATO-s që do të mbahet vetëm disa ditë më vonë në Uashington më 9 korrik.

Kolegët në Londër, do të jenë të zënë edhe me përgatitjet për samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Britani më 18 korrik. S’ka dyshim se Emmanuel Macron do të shkëlqejë në të dyja ngjarjet, ndërsa më pak liderët e tjerë evropianë. Dhe askush nuk do të presë surpriza nga Starmer.

Por fati mund të rezervojë shumë surpriza për të. Bota nuk pret që Britania të tërhiqet nga skena ndërkombëtare. Ukraina na bleu kohë. Por ne e shpërdoruam atë. Mbrojtja evropiane është ende në kaos. Lindja e Mesme është në prag të shpërthimit në një konflikt shumë më të gjerë se ai në Gaza.

Rusia po e zgjeron shumë ndikimin në Afrikë. Kina po e kërcënon Tajvanin. Koreja e Veriut po sillet në një mënyrë më të pamatur se kurrë më parë. Shtojini këtyre proteksionizmin, ndryshimet klimatike, migracionin dhe sfidat e afërta teknologjike të Inteligjencës Artificiale, dhe atëherë arrijmë në përfundimin se sot agjenda ndërkombëtare nuk është dukur ndonjëherë aq e frikshme ndër dekada e fundit.

Megjithatë, Britania është jashtë loje në shumë fronte. Ajo ka sot një ushtri aq të dobësuar, saqë nuk mund të bëjë gati për luftë as edhe një divizion të vetëm. Ndaj nevojitet një rishikim radikal i strategjisë së mbrojtjes. Nga ana tjetër, janë tronditëse dobësitë tona ndaj dukurisë së parave të pista.

Brexit - ende jo tërësisht i zbatuar - po e pengon rritjen ekonomike. Administrata publike është joefektive dhe e dëmtuar nga skandale të njëpasnjëshme. Infrastruktura dhe standardet mjedisore mbeten shumë prapa pjesës tjetër të Evropës. Sistemi politik britanik, duket i fosilizuar, dhe ku ka pak gjasa të lëvizin ujërat.

Nëse lexoni mbulimin mbi Britaninë nga mediat e huaja, do të vini re se adhurimi për “Britaninë e mrekullueshme” deri vetëm një dekadë më parë, i ka lënë tashmë vendin analizave rreth shumë sëmundjeve nga të cilat po lëngon ajo. Dikur aleatët ishin të shqetësuar për paparashikueshmërinë e Britanisë. Sot ata duhet të shqetësohen edhe më shumë për vazhdimësinë e saj./Përshtati Pamfleti nga “Center for European Policy Analysis”

Shënim: Edward Lucas, anëtar dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

zgjedhjet e 4 korrikut britania e madhe roracion

Lini një Përgjigje