TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Maj 2024, 18:23

E gjithë bota pret fundin politik të Netanyahut, por a do të ndryshojnë gjërat në Gaza?

Shkruar nga Luca Ciarrocca

 

E gjithë bota pret fundin politik të Netanyahut, por a do të
Benjamin Netanyahu /

Izraeli vuajti shumë nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, dhe kjo është diçka e pamohueshme. Por hakmarrja mizore e stilit nazist, me mbi 35.000 vdekje palestinezësh për 1.140 viktimat izraelite, e ka njollosur tashmë njëherë e përgjithmonë imazhin e tij si një shtet laik dhe civil, i lindur pas Holokaustit...

Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka filluar tashmë numërimi mbrapsht drejt largimit nga detyra. Ai që po ia shkurton ditët si drejtues i qeverisë është Benny Gantz, Ministri i kabinetit të luftës, një udhëheqës i qendrës, por edhe kundërshtari i tij kryesor.

Gantz ka kërkuar së fundmi ngritjen e një komision hetimor për sulmit masiv të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftën në Gaza që pasoi. Netanyahu ka frikë nga hetimi, dhe po përpiqet që mbrohet. Ndaj ai shkon për mbështetje në Uashington.

Kryeministri i Izraelit do të flasë së shpejti në një seancë të përbashkët të Kongresit dhe Senatit “si një shfaqje e fortë mbështetjeje për qeverinë e Tel Avivit në orën e saj më të nevojshme”, njofton kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

Me disa dallime, edhe Biden e ka mbështetur gjithmonë strategjinë e luftës të Izraelit. Por është e sigurt se fjalimi i Bibit në Kapitol Hill do të zemërojë shumë demokratë, sipas të cilëve në këtë luftë janë kapërcyer shumë “vija të kuqe” pa u ndëshkuar.

Komisioni hetimor i kërkuar nga Gantz, me synim shqyrtimin e të gjitha ngjarjeve të lidhura me 7 tetorin, luftën dhe procesin e vendimmarrjes në nivel politik dhe ushtarak, konfirmon përçarjen e thellë që ekziston në krye të qeverisë së shtetit hebre, pas thuajse 8 muaj luftë dhe vrasjen e mbi 35.000 civilëve palestinezë, 2/3 e tyre gra dhe fëmijë.

Pra po zgjerohet revolta kundër njeriut që po masakron dhjetëra mijëra të pafajshëm në shenjë hakmarrjeje për Hamasin. Për muaj të tërë, gjeneralët dhe ministrat në Izrael, përhapën zëra në mediat lokale se qeverisë i mungon një strategji koherente (dhe e suksesshme) në Gaza, sidomos për shkak se misioni për të mposhtur Hamasin ka dështuar, dhe nuk do të përmbushet dot kurrë me sukses, pa pasoja dramatike.

Dhe tani jemi në ballafaqimin final. Por a do të ketë vërtet një ndryshim drejtimi të qeverisë apo edhe një qeveri të re në Tel Aviv? Ngjarjet po përshpejtohen pikërisht në kohën kur Netanyahu dhe Ministri i tij i Mbrojtjes, Yoav Gallant (po i partisë Likud), përballen me kërcënimin e një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e udhëhequr nga Karim Khan , me akuza për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Vendimi, që përfshin gjithashtu edhe urdhra-arresti për liderët e Hamasit, Yahya Sinëar, Mohammad Deif dhe Ismail Haniyeh, e ka shqetësuar shumë Uashingtonin. Disa kongresmenë amerikanë po punojnë për një paketë sanksionesh kundër ICC, me të cilën

është dakord edhe Sekretari amerikan i Shteti Antony Blinken.

Në lidhje me vendimin e ICC-së, Evropa është e përçarë. Gjermania ka deklaruar se nëse GJNP-ja lëshon urdhër-arrestet, ajo do ta arrestojë kryeministrin izraelit nëse ai shkel në territorin gjerman. Franca e mbështet ICC-në në “luftën e saj kundër mosndëshkimit”, por

më pas u tërhoq.

Sa i përket Italisë, shefi i diplomacisë Antonio Tajani tha se “kërkesat e njëkohshme për një urdhër arresti, nuk duhet të krijojnë asnjë ekuivalencë midis Hamasit dhe Izraelit”. Sulmet ndaj Netanyahut nuk nisën nga politikanët por nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Në mbledhje të ndryshme të dekonspiruara në gazetat demokratike si Haaretz, The Times of Israel dhe The Jerusalem Post, del se disa gjeneralë e kanë akuzuar kryeministrin për bllokimin e çdo plani për “të nesërmen” në Gaza, si dhe për “shpërdorimin” e avantazheve të fituara nga Izraeli në luftë.

“Është detyra e kryeministrit të vendosë mbi strategjinë. Por kur nuk ka strategji, atëherë është detyra e ushtrisë që të paralajmërojë mbi rreziqet”- tha një nga komandantët ushtarakë. Mungesa e një projekti të vlefshëm është e dukshme, edhe sepse Netanyahu nuk u dorëzua asnjëherë para kërkesave të atyre që e këshilluan të mos e pranonte teorinë e dy shteteve,

por të paktën të mendonte për një autoritet alternativ për të qeverisur Rripin e Gazës.

Qasje që solli edhe forcimin e Hamasit. Pas ushtrisë, vijnë politikanët. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka deklaruar publikisht se planet për të krijuar një entitet të ri qeveritar, me një përfaqësim të fortë të palestinezëve “ nuk janë diskutuar dhe ç’është më e keqja, nuk është propozuar asnjë alternativë”.

Për Gantz, të cilin Biden po llogarit të emërohet si kryeministër i ardhshëm “nuk janë marrë ende vendime përfundimtare” Ai akuzoi një “pakicë të vogël” se po “merr kontrollin e timonit të anijes izraelite, duke e çuar atë drejt shkëmbinjve”. Dhe ja ku vjen edhe shpallja e ultimatumit:ai do të largohet nga kabineti i luftës, nëse nuk ka ndryshim të drejtimit të qeverisë deri më 8 qershor.

Por cili ishte reagimi i Bibit, përveç fjalimit të planifikuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të kërkuar leje të mëtejshme për taktikat e tij luftarake që mbjellin veç vdekje dhe shkatërrim? Arrogancë dhe përbuzje, plus akuza ndaj kundërshtarit të tij kryesor për promovimin e politikave të barazvlefshme me “fundin e luftës dhe humbjen e Izraelit”.

Nëse ministri do të tregohet i guximshëm deri në fund, dhe pas 8 qershorit qeveria do të bjerë, sondazhet sugjerojnë se partia e tij “Bardheblu” do të fitonte zgjedhjet, duke e bërë atë kryeministrin e ardhshëm, siç do të donte edhe Uashingtoni.

Gantz është popullor dhe ka CV-në e duhur për t’i ndryshuar gjërat në Tel Aviv:një ish-ushtarak, ai ka qenë kreu i ushtrisë, zëvendëskryeministër i Izraelit, Ministër i Mbrojtjes dhe kryetar i Knesset-it. Megjithatë, nëse Netanyahu do të rrëzohet vërtet, politika e re izraelite mbi Gazën nuk do të bëhej aspak e qartë.

Madje do të shihnim skenarë shumë më kompleksë. Shtëpia e Bardhë do të donte që një Autoritet Palestinez të “rigjallëruar” të qeverisë Rripin (gjë që përbën një rrugë shumë të vështirë dhe të gjatë drejt një shteti të mundshëm palestinez në të ardhmen).

Por Gantz është me të drejtë skeptik për kreun aktual të Autoritetit Palestinez, 88-vjeçarin e diskredituar Mahmud Abbas. Joe Biden po synon të krijojë një autoritet të ri që të përfshijë palestinezët, por që e përjashton Hamasin, dhe në të cilin do të jenë të pranishëm amerikanët, evropianët dhe arabët, dhe që Izraeli të mbajë ende atje një prani të fortë përmes IDF-së (një pushtim i përhershëm ushtarak?) për ta ruajtur atë rrip toke të sfilitur buzë Mesdheut.

Kjo hipotezë do të mbështetej tek një marrëveshje e gjerë në Lindjen e Mesme të sponsorizuar nga Amerika, por vetëm pas një “normalizimi” të raporteve midis Izraelit dhe sauditëve, me bekimin e Jordanisë. Në çdo rast, nëse Netanyahu mbetet në pushtet dhe vazhdon të sundojë i nxitur nga strategjitë e luftës dhe të shkatërrimit të pafund, çdo përshkallëzim i situatës dhe armëpushim do të mbeteshin një mirazh.

Për këtë arsye jo vetëm izraelitët, por e gjithë bota, pa asnjë ndjenjë faji në lidhje me akuzat e rreme të antisemitizmit, është duke pritur fundin politik të Bibit dhe margjinalizimin e ekstremit të djathtë hiper-sionist (pra të atyre që do të donin të përdornin edhe bombën bërthamore për ta rrafshuar plotësisht Gazën).

Izraeli vuajti shumë nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, dhe kjo është diçka e pamohueshme. Por hakmarrja mizore e stilit nazist, me mbi 35.000 vdekje palestinezësh për 1.140 viktimat izraelite, e ka njollosur tashmë njëherë e përgjithmonë imazhin e tij si një shtet laik dhe civil, i lindur pas Holokaustit./Përshtati Pamfleti nga “Il Fatto Quotidiano”

netanyahu gaza fundi politik izraeli hamasi

Lini një Përgjigje