TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Maj 2024, 19:31

Ngërçi politik dhe a është Berisha një alternativë qeverisëse?

Shkruar nga Mentor Kikia

Ngërçi politik dhe a është Berisha një

Sikur edhe gjysma e atyre akuzave që janë ngritur deri tani, të jenë të vërteta, mjaftojnë që socialistët ta dorëzojnë pushtetin. Por nuk mjaftojnë edhe dy herë më shumë se kaq, që demokratët e prirë nga Berisha të vijnë në pushtet...

Një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, politika është mbërthyer në një përplasje agresive opozitë-qeveri, me SPAK-un në mes.

Opozita denoncon dhe qeveria mbrohet!

Prokuroria bën arrestime dhe qeveria e menaxhon situatën duke e konsideruar këtë si sukses të punës së saj për të luftuar korrupsionin.

Edhe pse e ka në qendër të akuzave, PD-ja e drejtuar nga Berisha, i ka varur shpresat tek SPAK-u, që ai të arrestojë apo ngrejë akuza deri tek kryeministri.

Por a mund ta zgjidhë drejtësia, edhe më përfektja, çështjen e pushtetit? Pra, a mundet që prokuroria të vendosë largimin e një force politike nga pushteti për ti hapur rrugën një tjetre?

Padyshim që jo!

Drejtësia, edhe nëse funksionon në mënyrë perfekte, do të mbetet vetëm tek arrestimi apo dënimi. Të tjerat kërkojnë zgjidhje politike. Pra zgjidhje me votë.

Këtu fillon ngërçi i madh!

Sikur edhe gjysma e atyre akuzave që janë ngritur deri tani, të jenë të vërteta, mjaftojnë që socialistët ta dorëzojnë pushtetin. Por nuk mjaftojnë edhe dy herë më shumë se kaq, që demokratët e prirë nga Berisha të vijnë në pushtet.

Pa konsideruar raportet me SHBA-në dhe masën e arrestit, sepse të janë shumë. Por mund të themi disa:

Sepse Berisha është themeluesi i disa prej fenomeneve korruptive apo abuzive që po rëndojnë sot ekonominë dhe shoqërinë(oligarkia ekonomike lindi në oborrin e qeverisë së PD-së e u përfeksionua në oborrin e PS-së).

Sepse Berisha i ka patur të gjitha pushtet dhe ka dhënë gjithçka mund të jepte. Nuk duhet të riciklohet më.

Sepse shqiptarëve nuk i intereson zëvendësimi i Ramës me Berishën, por zëvendësimi i një qeverie të korruptuar me një të pa korruptuar. Berisha nuk e premton këtë.

Sepse në 2013, shqiptarët votuan për ta larguar qeverinë e PD-së, pasi mandati i saj i dytë ishte qartësisht korruptiv. Ata s’mund të zgjedhin të njëjtin kryeministër sot, sado që kanë kulturë politike modeste.

Me gjithë copëzimin e opozitës dhe daljen e disa aktorëve të rinj, PD-ja e Berishës, edhe pse pa logo e emër zyrtar, është aktori më i madh opozitar. Kjo parti është një denoncuese shumë e efektshme e korrupsionit, por ajo nuk është një alternativë qeverisëse deri tani, me kandidat për kryeministër Berishën.

Çdo kush ka epokën e tij. Dhe Berisha e bëri dhe e mbylli epokën e tij.

Sa më shpejt ta pranojnë këtë në PD, aq më mirë do të jetë për PD-në, opozitën dhe shoqërinë. Sepse PD-ja e “Berishës” nuk është biçikletë që e lidh tek pema poshtë pallatit kur kthehesh në shtëpi dhe e zgjidh ku del.

Lini një Përgjigje

Forum