TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Gusht 2025, 20:10

Lufta për të vërtetën!

Shkruar nga Marco Mondini

Lufta për të vërtetën!

“Monopoli mbi të vërtetën është thyer, ashtu si edhe ai mbi gënjeshtrën”.

Ishte viti 2019 kur Dmytro Kuleba shkruante këto rreshta, epilogu i edicionit të parë të librit të tij Lufta për realitetin. Lufta e hapur, ajo e zhvilluar me tanke, artileri dhe dhjetëra mijëra të vrarë, ishte ende larg. Dhe ai ende nuk ishte ministri i Jashtëm që, në shkurt 2022, do të përballej me pushtimin rus duke çuar nëpër botë zërin e një Ukraine që nuk kishte asnjë qëllim të dorëzohej dhe as të braktiste qeverisjen e vet.

Në atë kohë, ai ishte vetëm një diplomat i ri në karrierë. Por kishte përjetuar krizën e vitit 2014, vendimin e Putinit për të destabilizuar Kievin pas arratisjes së presidentit filorus Yanukovich, aneksimin rus të Krimesë dhe shkëputjen e Donetskut e Luganskut, të maskuar keq nga një referendum farsë. Dhe e kishte kuptuar se vendi i tij kishte humbur betejën në frontin e komunikimit dhe të imazhit, përpara se të humbiste atë ushtarake. Rrëfimet për gjoja masakra ndaj komuniteteve rusishtfolëse ose narrativat mbi lidershipin ukrainas si i lidhur me lëvizjet neonaziste kishin depërtuar në opinionin publik ndërkombëtar, duke krijuar përshtypjen, të rreme, se Putini kishte të drejtë. Sigurisht, kjo u bë duke shpërfillur realitetin. Për të dhënë një shembull: partia “Svoboda”, e ekstremit të djathtë ukrainas, me vetëm 2% të votave në presidencialet e vitit 2019, kishte më pak a më shumë të njëjtën peshë politike sa neonazistët e Illinois-it tek filmi Blues Brothers.

Por faktet reale nuk dukeshin se kishin ndikim te konsumatorët e etur të lajmeve online apo te shikuesit e debateve televizive perëndimore, të pambrojtur përballë një vale dezinformimi që ishte në gjendje të shndërronte agresionin ndaj një shteti sovran në një akt të paraqitur si “legjitim mbrojtës” ose “çlirimtar bujar”, ndërsa presidenti i vendit të sulmuar paraqitej si një ndjekës arrogant i Hitlerit.

Për këtë shkruante Kuleba: të ofronte disa rregulla të qarta për të njohur lajmet e rreme dhe për t’u orientuar në një botë të mbushur me mistifikime. Kush e di nëse e kishte imagjinuar se sa e vështirë do të ishte beteja kundër “post-së vërtetës”. Sepse vitet kalonin, librat e tij ribotoheshin, përktheheshin, por aftësia e qytetarëve dhe shikuesve europianë për të reaguar kritikisht ndaj propagandës nuk dukej se përmirësohej, pavarësisht raporteve të think-tankëve që prej vitesh paralajmëronin mbi rrezikun e manipulimit masiv.

Në vitin 2017, Instituti Suedez për Marrëdhënie Ndërkombëtare paralajmëronte për përdorimin sistematik të lajmeve të rreme nga Kremlini, i mësuar të shpërndante në internet dokumente të fabrikuara për të minuar besueshmërinë e NATO-s, për të mbjellë përçarje dhe për të ndikuar politikat e vendeve të tjera.

Në vitin 2022, organizata EU DisinfoLab zbuloi operacionin Doppelganger, një plan për të klonuar faqe të gazetave si Bild ose Guardian, për të vënë në dyshim efektivitetin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe për të diskredituar udhëheqjen ukrainase.

Në tre vitet e fundit, kompania e verifikimit të fakteve NewsGuard ka identifikuar mbi pesëqind faqe të dezinformimit aktive në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Itali, të lidhura me (ose të financuara nga) qeveria ruse, të specializuara ndër të tjera në mohim të krimeve të rënda të pushtimit trevjeçar, si masakra e Bucha-s, qindra civilë ukrainas të vrarë nga trupat ruse para se ato të tërhiqeshin, krim që Kremlini vazhdon ta mohojë pavarësisht provave të pakundërshtueshme.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre alarmeve, Evropa në epokën e inteligjencës artificiale duket një terren gjithnjë e më pjellor për shtrembërimin e së vërtetës. Me një publik të gatshëm të besojë çdo absurditet, nëse përsëritet me zë të lartë. Madje edhe sloganet e Medvedevit për një “komplot global që synon të mbytë një Rusi të rrethuar nga nazistë dhe rusofobë fanatikë”. Për këtë, do të duhej të fliste edhe presidenti italian Sergio Mattarella.

Por problemi, duke përdorur fjalët e Kuleba-s, qëndron këtu: asnjë kontroll nuk do të jetë i mjaftueshëm për ta fituar “luftën për realitetin” nëse nuk do të jenë vetë lexuesit dhe shikuesit ata që luftojnë të parët, duke refuzuar të jenë viktima pasive të çdo gënjeshtre. Nëse nuk mësojnë të jenë konsumatorë kritikë të informacionit, ushtarë në vijën e parë të një lufte të pamëshirshme, ku në lojë është e drejta për të përcaktuar se kush ka faj dhe kush ka të drejtë./Përshtati "Pamfleti" nga "LaRepubblica" 

Lini një Përgjigje