TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Mars 2025, 16:46

Kush po na i dhunon dhe vret fëmijët?

Shkruar nga Mentor Kikia

Kush po na i dhunon dhe vret fëmijët?

(Me shkas nga vendimi i qeverisë për të mbyllur platformën Tik-Tok)

Po përpiqem të jem telegrafik!

Dhunën në mesin e fëmijëve e shkakton:

1-Prindërit: Kur fëmija vjen në shtëpi e thotë “u zura me një shok”, babai i thotë: Kush është, se ja tregoj unë qejfin.

2-Prindërit: Kur fëmija vjen e thotë “më bërtiti mësuesja në shkollë”, në vend që ta pyesë se çfarë bëre ti që të bërtiti, mami thotë: Ia tregoj unë qejfin asaj shtrigës, po nuk ia dhashë flokët në dorë.

3-Prindërit: Kur fëmija vjen e thotë se mësuesi më shtyu (d.m.th me preku me dorë), në vend që ta pyesë, çfarë bëre ti, thotë: S’ka lindur ai bir kurve të më prekë fëmijën me dorë mua.

4-Prindërit, që kur e kanë mundësinë ekonomike, i dehin fëmijët që në moshë të mitur me para, luks e makina të shtrenjta, duke i nxitur drejt një jete të harbuar dhe jashtë kontrollit. 

5-Prindërit: Kur fëmija arrin në ekstrem dhe vret/plagos shokun, në vend që të kërkojnë ndjesë publike e të shndërrohen në flamurtarë të kauzës kundër dhunës, s’lënë gjë pa bërë, me të gjitha format, për ta shfajësuar fëmijën e për t'ia mbyllur çështjen në prokurori e gjykatë.

6-Prindërit, që janë shumë pak ose hiç fare bashkëpunues me shkollën, për mbarëvajtjen në mësime dhe edukimin e fëmijëve.

7-Shkolla, që ka zeruar me kohë dimensionin dhe misionin edukativ të fëmijëve.

8-Shkolla, që nga frika e prindërve dhe “opinionit publik”, fsheh incidentet mes fëmijëve, dhe kur ndodh të përdoren thikat e kaçavidat, përpiqet ta gjejë zgjidhjen tek fakti se “dhuna ndodhi jashtë gardhit të shkollës”.

9-Shkolla, familja, qeveria dhe shoqëria në tërësi, që e kanë degraduar figurën e mësuesit, duke e bërë leckë dhe pa pikë autoriteti para nxënësve.

10-Ministria e Arsimit, që për një video apo denoncim që del në rrjet, ku mësuesi ngre zërin në klasë, e shkarkon nga puna menjëherë, sepse kështu mendojnë prindërit dhe “opinioni publik”.

11-Qeveria, që mendon se shkolla më e mirë është godina më e bukur, e re dhe me ngjyra, dhe jo ajo çfarë ndodh dhe bëhet brenda kësaj godine.

12-Qeveria, që ka ngushtuar çdo hapësirë edukimi dhe argëtimi për fëmijët. Sepse nuk ka qendra jashtë shkollore, ku fëmijët të ushtrojnë talentet dhe të kalojnë kohë në mënyrë të kulturuar.

13-Qeveria, që ka lejuar të zhduket çdo hapësirë publike dhe për sheshe lojërash shërbejnë kantieret e ndërtimit apo sheshet e mbushura me karrige kafenesh.

14-Qeveria, që kurrë nuk ka dashur ta shikojë seriozisht problemin dhe të investohet për zgjidhje, por gjithmonë ka zgjedhur që kritikët ti akuzojë si “dashakeqë të arritjeve të saj”.

15-Media, që nuk prodhon asnjë program edukativ për fëmijë dhe prodhon dhjetra programe degjeneruese dhe ç’edukuese.

16-Media, që nuk lë lajm me rrahje, vrasje, dhunim e përdhunim, aksident më makinë, karrocë e biçikletë pa transmetuar. 

17-Teknologjia, që i ka shndërruar fëmijët në skllevër dhe të varur prej saj.

18-Rrjetet sociale, përmes të cilave përhapen mesazhe, video, lojëra të dhunshme që nxisin fëmijët t’i imitojnë.

Zgjidhja?

Shumë e vështirë, veçanërisht pasi ke përfunduar në fund të pusit.

A është e mundur t’ia nisim të korrigjohemi?

Patjetër, veçse nuk fillohet nga fundi.

P.S: Nëse jeni dakord, shpërndajeni këtë shkrim, me shpresën se dikush edhe mund të ftillohet.

Lini një Përgjigje