Një vështrim i shkurtër historik, tregon se bisedimet e fundit SHBA-Rusi nuk do sjellin stabilitet afatgjatë në Ukrainë...
“Të bësh paqe, është më e vështirë se sa të bësh luftë!”- tha kryeministri francez, Georges Clemenceau, në vitin 1919 në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte një mësim, të cilin e dinin mirë ata që u takuan në Kongresin e Vjenës në fund të luftërave të Napoleonit.
Por edhe ata që u përpoqën t’i jepnin fund Luftës Tridhjetëvjeçare në shekullin XVII-të. Sot rrobat janë të ndryshme, dhe ata që i veshin vijnë në takime me avion dhe jo me kuajt. Nuk mbajnë më paruke në kokë apo jelekë plot qëndisma, por ulen sërish rreth tavolinave madhështore dhe përpiqen ende të marrin me mend se çfarë duan të tjerët përballë.
Historia bën jehonë, u shpreh dukur Mark Twain, dhe në atë jehonë ka paralajmërime për sot.
Sa më e gjatë dhe më e kushtueshme të jetë lufta, aq më e vështirë është detyra për të arritur një paqe të qëndrueshme. Më shumë se një shekull pas Konferencës së Parisit, ndërsa po flet për përfundimin e një lufte tjetër evropiane, nuk është e qartë nëse presidenti Donald Trump dhe këshilltarët e tij kryesorë e kuptojnë këtë.
Të gjitha negociatat janë sipërmarrje shumë sfiduese, qoftë për kontrata biznesi apo për blerjen e një shtëpie. Kur fuqitë bashkohen për t’i dhënë fund luftërave, në lojë është jeta ose vdekja. Qëllimet e papajtueshme kombëtare, dhe emocionet e forta të shkaktuara nga një konflikt ndëshkues dhe i kushtueshëm, e bëjnë të vështirë dhe të dhimbshëm vendosjen e paqes.
Këtë po e shohim me diskutimet rreth dhënies fund të luftës në Ukrainë. Për kombet, ashtu si për individët apo bizneset, kanë rëndësinë e tyre besueshmëria dhe krenaria. Askush nuk dëshiron të duket i dobët duke kërkuar një marrëveshje, sidomos një ish-kundërshtari, vetëm për t’u refuzuar më pas.
Dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për të negociuar në të njëjtën kohë. Në Luftën e Parë Botërore, si Aleatët ashtu edhe Fuqitë Qendrore, hodhën idenë e përfundimit të konfliktit midis tyre, por kurrë në të njëjtën kohë. Dhe ndërsa humbjet po shtoheshin, të dyja palët vazhduan të shpresonin për një fitore vendimtare, që do të lejonte një paqe të diktuar dhe jo të negociuar. Aleatët fituan epërsinë vetëm në verën e vitit 1918. Pasuan negociata të vështira, por vetëm midis aleatëve, teksa u përpoqën të pajtonin pretendimet dhe vizionet e ndryshme mbi rendin e ri.
Vendet e mundura u ftuan në Paris, vetëm për t’u shpallur kushtet dhe afatet e tyre, diçka që shumë gjermanë nuk e harruan dhe nuk e falën kurrë. Shën Agostini mendonte se paqja duhet të jetë qëllimi i luftës, por shumë shpesh mënyrat në të cilat mbarojnë luftërat, ndihmojnë për të nxitur luftëra të reja.
Ne mund të ëndërrojmë për rende ndërkombëtare më të mira dhe më të drejta, për ta bërë luftën një lajthitje apo akoma më keq një krim. Por si pasojë e konflikteve, urrejtjet e akumuluara dhe dëshira për hakmarrje, e bëjnë të vështirë ndjekjen e rrugës më të mirë.
Në luftërat e zhvilluara midis koalicioneve, aleancat përçahen në mënyrë të pashmangshme kur mbaron lufta, dhe kur dalin në sipërfaqe interesat kombëtare. Italianët u larguan nga Konferenca e Paqes në Paris, sepse nuk po merrnin të gjithë territorin që dëshironin.
Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, Aleanca e Madhe e Britanisë, Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së iu drejtua Luftës së Ftohtë, sepse Bashkimi Sovjetik pretendonte të kishte nën kontroll qendrën e Evropës. Ajo që mund të parandalojë apo ndihmojë negociatat e paqes është përfshirja e të palëve të treta të fuqishme.
Pas luftës së vitit 1973 midis Izraelit dhe fqinjëve të tij, SHBA arriti të garantonte një armëpushim pas shumë tureve diplomatike midis kryeqyteteve të Lindjes së Mesme nga Kissinger. Ndërkohë bisedimet SHBA-Rusi për luftën në Ukrainë që u zhvillua në Riad javën e kaluar i përjashtuan ukrainasit.
Për më tepër, SHBA-ja ka injoruar atë që është thelbësore për negociatat: të mos pranohen që në fillim kërkesat maksimaliste të palës tjetër. Trump dhe zëdhënësit e tij e kanë siguruar Putinin, se ai mund të mbajë territorin që Rusia ka pushtuar deri më sot, dhe që Ukraina s’do pranohet në NATO.
Nëse Rusia dhe SHBA-ja imponojnë zgjidhjen e tyre ndaj Kievit (dhe shfrytëzojnë pasurinë e saj minerale), nga kjo luftë do dalë një Ukrainë e gjymtuar, e zemëruar dhe një Rusi triumfuese. Nga e kaluara e dimë se lufta rri në pritje në “krahët” paqes.
Kur gjermanët pushtuan provincat franceze Alsas dhe Lorraine pas luftës franko-prusiane të viteve 1870-1871, Franca digjej nga dëshira për hakmarrje. Dhe fituesit inkurajohen shpesh të shkojnë më tej. Është e vështirë të jesh zemërgjerë në momentin e fitores.
Por një paqe e qëndrueshme varet ose nga shkatërrimi total i armikut, si me Romën dhe Kartagjenën, ose nga kompromisi. Për ta arritur këtë, palët e përfshira duhet të jenë të qarta për vijat e tyre të kuqe. Pra për atë që nuk mund të pranojnë, dhe të pranojnë sa më shumë që është e mundur nga ajo që është thelbësore për palën tjetër apo aleatët.
Në Paris, Clemenceau, ishte nën presion të madh nga populli francez për ta copëtuar Gjermaninë dhe gjymtuar ekonomikisht përmes kërkimit të dëmshpërblimeve të mëdha. Por në vend të kësaj, ai ra dakord mbi reduktimin e fuqisë ushtarake të Gjermanisë, dhe uli shumën monetare të kërkuar ndaj Berlinit.
Në këmbim, ai shpresonte se do të ruante aleancën me Britaninë dhe SHBA-në. Rruga drejt paqes mund të lehtësohet edhe përmes kërcënimit me një luftë të re. Në fillim të verës së vitit 1919, ndërsa parlamenti gjerman po ngurronte të nënshkruante Traktatin e Versajës, udhëheqësit aleatë në Paris nisën pa shumë dëshirë përgatitjet për ta pushtuar Gjermaninë, diçka që ndodhi.
Në vitin 1995, palët ndërluftuese në luftën e Bosnjës ranë dakord për bisedimet e paqes në Dejton, Ohajo, pas presionit të madh nga fuqitë botërore të udhëhequra nga SHBA dhe Rusia, si dhe një fushatë bombardimi të NATO-s kundër forcave nacionaliste serbe në Bosnje.
Por qasje të tilla nuk funksionojnë gjithmonë. Në vitin 1940 Hitleri i ofroi Britanisë një marrëveshje paqeje pas kapitullimit të Francës. Dhe kur qeveria e Churchill refuzoi, u përpoq të bombardonte britanikët deri në nënshtrim. Në vitin 1945, ndërsa Gjermania po shkatërrohej, Hitleri refuzoi ta çonte ndër mend dorëzimin.
Përfundimi i luftimeve është vetëm fillimi. Një sukses i qëndrueshëm, kërkon një punë të palodhur, durim dhe vëmendje ndaj detajeve. Një herë takova një diplomat amerikan, i cili kaloi plot 2 vjet në Gjenevë të Zvicrës, i ulur përballë homologut të tij sovjetik, duke diskutuar vazhdimisht të njëjtat detaje mbi një marrëveshjeje mbi kufizimin e armëve.
Dhe ekzistojnë mënyra delikate por dhe jo aq delikate për të ushtruar presion. Mbajtja e sallës në një temperaturë shumë të lartë, është diçka që pëlqejnë koreano-veriorët. Në gushtin e vitit 1942, Winston Churchill kreu një udhëtim të rrezikshëm për në Moskë për të takuar Stalinin për herë të parë.
Takimi i tyre i parë ishte i këndshëm dhe produktiv. Por në të dytin Stalini u soll aq vrazhdë, saqë Churchill u tha të vetëve se donte të largohej, diçka që sovjetikët e mësuan nga përgjuesit që kishin vendosur në dhomat e tij. Ndaj në takimin e fundit, që zgjati për 8 orë, diktatori sovjetik u soll shumë mirë.
Madje e priti Churchillin në vilën banesën tij private në Kremlin, ku do të zhvillohej një festë e madhe. Më vonë Churchill tha se kishte njohur “Stalinin e vërtetë”, një figurë që ai vazhdoi të përpiqej ta gjente gjatë pjesës tjetër të luftës. Pra marrëdhëniet personale dhe besimi i ndërsjellë kanë rëndësi të madhe.
Miqësia midis Churchill dhe Franklin Roosevelt, si dhe midis shumë këshilltarëve të tyre ishte shumë e rëndësishme për funksionimin e aleancës së kohës së luftës. Wilson, Clemenceau dhe David Lloyd George ishin burra me karaktere të ndryshme, por ndërsa punonin së bashku në Paris, filluan të vlerësonin njëri-tjetrin dhe të kërkonin kompromise.
Megjithatë, optimizmi i pabazë mund të jetë i rrezikshëm. Presidenti Roosevelt ishte i bindur se e kishte magjepsur Stalinin, dhe mund ta binte të ndante vizionin amerikan mbi një rend botëror paqësor. Por Stalini dhe shumë nga pasardhësit e tij, përfshirë Putinin, respektonin vetëm forcën.
A e respekton dhe a pëlqen vërtet Putin Trumpin, siç duket se po bën ky i fundit? SHBA ka kapacitetin për të vlerësuar Putinin dhe politikat e tij në institutet e mendimit, Departamentin e Shtetit apo në universitete. Por administrata aktuale nuk po i përdor shumë. Të qenit i mirë-informuar, është thelbësore për negociatat e suksesshme.
Në Kongresin e Vjenës, i cili i dha fund luftërave të Napoleonit, spiunët austriakë mblodhën përmbajtjen e koshave të letrave të gjithë delegacioneve. Një shekull më vonë, në Paris, francezët përgjuan bisedat telefonike të britanike dhe gjermanëve.
SHBA-ja ka dërguar sinjale, se mund të jetë gati ta sakrifikojë Ukrainën, siç bënë Britania dhe Franca me Çekosllovakinë në vitin 1938, kur e detyruan t’ia dorëzojë Sudetet Gjermanisë. Hitleri premtoi se do të respektonte kufijtë e asaj që kishte mbetur nga Çekosllovakia. Por në mars 1939 tregoi të kundërtën.
Trump është një admirues i madh i Nixon, dhe shpreson ta imitojë atë në tronditjen e rendit ndërkombëtar, duke e ndarë Kinën nga Rusia. Në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, i dërguari i tij, Keith Kellogg tha se SHBA shpreson t’i ofrojë Rusisë një marrëveshje kaq të mirë që ajo të shkëputet nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Por çfarë mund të ofrojë Rusia në këmbim: një ushtri të paaftë, një ekonomi të dështuar, një popullsi në rënie? Një Putin që nuk ndërhyn më në politikën e brendshme të kombeve të tjera apo që nuk pushton fqinjët e Rusisë?/Pamfleti nga “Financial Times”
Shënim: Margaret MacMillan, profesoreshë e historisë ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.
Lini një Përgjigje