Kur përballet me kundërshtarë të tillë - më të dobët, por të armatosur me armë bërthamore - SHBA duhet t’i mbajë luftërat të kufizuara, me fitore minimaliste dhe jo dërrmuese, dhe të mos flasë hapur për ndryshimin e regjimit. Ndoshta është një qasje kundër-intuitive, por shumë e matur...

Njëlloj me një orë të prishur, që e tregon kohën e saktë vetëm 2 herë në ditë, Donald Trump identifikoi së fundmi rrezikun më të madh me të cilin përballet bota. ”Ai ka armë bërthamore. Askush nuk mendon mbi këtë fakt. Dhe në fund, ndoshta do t’i përdorë ato”- deklaroi ish-presidenti dhe ndoshta kreu i ardhshëm i SHBA-së.
Ai i referohej me gjasë presidentit rus Vladimir Putin. Por Trump mund të ishte duke folur edhe për diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong Un apo udhëheqësin kinez Xi Jinping, të cilët po i shtojnë me shpejtësi arsenalet e tyre bërthamore. Putin, Kim dhe Xi po sillen gjithnjë e më shumë si një “bosht” anti-amerikan.
Një tjetër anëtar i tij është Irani, që mund të bëhet vendi i 10-të në botë me armë bërthamore. Ndërsa SHBA-ja po e rivlerëson strategjinë e saj - që përfshin diplomacinë, qasjen ushtarake konvencionale dhe doktrinën bërthamore - ajo duhet të kuptojë se si mendojnë këta kundërshtarë mbi armët e tyre bërthamore dhe skenarët e një lufte të mundshme bërthamore.
Për shembull, në lidhje me Ukrainën presidenti aktual Joe Biden ka peshuar nevojën për të mbështetur Kievin përkundrejt rrezikut që Putini të lëshojë ndaj vendit fqinj një ose më shumë armë bërthamore. Kjo e ka shtyrë atë (dhe liderë të tjerë që mendojnë njëlloj, siç është edhe kancelari gjerman Olaf Scholz) të dërgojnë ndihma ushtarake të kufizuara, për të shmangur shkeljen e “vijave të kuqe” që Putini mund t’i ketë ose jo.
Kritikët duan që SHBA ta demaskojë blofin e Putinit. Por a po blofon Putin? Po Kim dhe Xi? Është e vështirë të jepet një përgjigje me siguri. Megjithatë, Rusia, Koreja e Veriut dhe në një masë më të vogël Kina, kanë diçka të përbashkët, përtej urrejtjes së përbashkët për SHBA-në: vetëdijen se në një luftë vetëm konvencionale (pra jo-bërthamore) kundër Amerikës, ata do të humbnin.
Ndaj po hartojnë strategji për ta kompensuar këtë dobësi me armët e tyre bërthamore. Ideja nuk është ta sulmojnë SHBA-në me armë “strategjike” ndërkontinentale, pasi kjo do të nxiste hakmarrje dhe shkatërrim total.
Qëllimi është të ushtrohet presion për t’i dhënë fund një lufte të vazhdueshme kundër saj sipas kushteve të tyre, me kërcënimin e besueshëm për të lëshuar armët bërthamore “taktike” - zakonisht me ngarkesë më të vogël dhe rreze më të shkurtër. Këto shpërthime synojnë ta tronditin Uashingtonin, për ta detyruar të tërhiqet në vend se të rrezikonin përshkallëzimin në një luftë bërthamore dhe asgjësimin e ndërsjellë. SHBA-ja duhet ta kuptojë mirë këtë strategji, pasi është shpikur nga vetë Uashingtoni.
Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, ishin forcat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA që mbronin Evropën Perëndimore, ato që ishin numerikisht inferiore ndaj ushtrive të udhëhequra nga sovjetikët të Paktit të Varshavës. Për të penguar një sulm apo për të mbrojtur Evropën, Uashingtoni vendosi dhjetëra mijëra armë nukleare taktike në territorin e NATO-s.
Nëse Kremlini do të kishte urdhëruar ndonjëherë një pushtim, aleatët e NATO-s do të kishin përdorur një ose disa nga këto bomba më të vogla kundër ushtrive armike. Sigurisht, një sulm i tillë nuk ndodhi asnjëherë, por nuk ka qenë kurrë e qartë nëse arsyeja ishte strategjia mbrojtëse e NATO-s, apo nëse ishte i besueshëm kërcënimi i SHBA për të vendosur armët bërthamore në Evropë.
Në këtë rast, argumenti ishte se vendet e Evropës Perëndimore do të luftonin për mbijetesën e tyre, ndaj do të ishin më shumë të motivuara të luftonin se sa Kremlini. Mendohej se Moska, nuk do të guxonte të provonte vendosmërinë e Perëndimit. Ajo as nuk do të kundërpërgjigjej ndaj sulmeve aktuale taktike të NATO-s, me sulme strategjike kundër SHBA-së.
Por asnjë nga këto teori nuk u testua, dhe nuk mund të testohet. Për shumicën e njerëzve, skenarë të tillë janë shumë të kobshëm edhe vetëm për t’u menduar. Pas Luftës së Ftohtë, SHBA-ja i hoqi me kënaqësi gati të gjitha ato armë bërthamore taktike, duke lënë vetëm rreth 100 të tilla në 5 vende aleate evropiane. Po ashtu, Amerika e shmangu fokusin nga armët bërthamore në përgjithësi, duke investuar më shumë tek parandalimi që buron tek epërsia e armëve konvencionale.
Kjo e fundit çoi në një përmbysje të situatës gjatë Luftës së Ftohtë. Tani është Rusia ajo që është më e dobët me armët jo-bërthamore, ndërsa rrezikon shumë më tepër sesa SHBA-ja në Ukrainë. Diku tjetër, Kina e po zgjeron me shpejtësi ushtrinë, marinën dhe forcën ajrore, si dhe arsenalin e saj bërthamor, por ende e di se mund të humbasë kundër SHBA-së në një luftë mbi kontrollin e Tajvanit.
Koreja e Veriut nuk ka asnjë shans në një luftë konvencionale kundër forcave të kombinuara të Koresë së Jugut dhe SHBA-së, dhe Kim duhet të supozojë se disfata do të nënkuptonte vdekjen e tij. Nga këtu burojnë edhe kërcënimet bërthamore të Putinit që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në vitin 2022.
Vetë Kim paralajmëroi se Koreja e Veriut do të “përdorë pa hezitim të gjitha forcat goditëse që zotëron, përfshirë armët bërthamore”, nëse shkelet sovraniteti i saj. Doktrina e tij përfshin një “mision të dytë të papritur”, për të cilin ekspertët thonë se nënkupton një përdorim të mundshëm të këtyre armëve me efekt parandalues.
Kina është më e vështirë për t’u lexuar. Është i vetmi vend që shumë shpejt mund të krahasohet me SHBA-në për forcën ushtarake konvencionale, sidomos nëse luftimet zhvillohen brenda dhe rreth ujërave të tij. (Marina e saj është tashmë më e madhja në botë, e matur për nga numri i trupave).
Ndërkaq, Kina është i vetmi vend në botë me një politikë zyrtare bërthamore të “mos përdorimit të parë” të këtyre armëve. E megjithatë Kina po rritet me shpejtësi, dhe po i diversifikon rezervat e saj bërthamore dhe teknologjitë e lëshimit të tyre.
Ajo ka tashmë ka rreth 500 bomba bërthamore, planifikon ta dyfishojë këtë numër deri në vitin 2030, dhe në dekadën pasuese të arrijë sasinë e armëve që ka SHBA-ja dhe Rusinë.
Një nga synimet prapa këtij plani, duket të jetë aftësia për të përdorur armët bërthamore në një konflikt të mundshëm me SHBA-në mbi Tajvanin, pa frikën se Uashingtoni mund të godasë më pas dhe ta zhdukë arsenalin e mbetur kinez.
Është e qartë se të treja vendet po investojnë në ndërtimin e bombave bërthamore taktike dhe raketa balistike, të cilat zënë aktualisht vetëm një peshë të vogël në shpenzimet e SHBA-së. Rusia ka rreth 10 herë më shumë nga këto lloj armësh me një rendiment fleksibël sesa SHBA.
Kjo tregon se Rusia e dëshiron opsionin e lëshimit të një bombe, për ta tronditur aq shumë Amerikën sa të detyrojë të tërhiqet, dhe më pas, në rastin e një kundërsulmi konvencional të SHBA-së kundër forcave ruse, të lëshojë armë të tjera derisa Uashingtoni të tërhiqet e para.
Në skenarin më të keq, Rusia dhe ndoshta Koreja e Veriut mund të bëhen bashkë për të testuar aftësitë e SHBA-së në përballje me dy vende njëherësh. Një kundërpërgjigje e dukshme e Amerikës, do të ishte një grumbullim masiv i armëve bërthamore taktike.
Ekspertët shqetësohen se të pasurit më shumë bomba bërthamore “të vogla”, mund t’i ngatërrojë kundërshtarët dhe të forcojë tundimin për të përdorur bombat e mëdha, bazuar në iluzionin se përshkallëzimi i mëvonshëm mund të menaxhohet në një mënyrë më racionale.
Por kjo është thuajse e pamundur: Imagjinoni për një moment sikur SHBA-ja të vendosë armë konvencionale së bashku me armët bërthamore taktike dhe strategjike në nëndetëset e saj të klasit Ohio (apo zëvendësueset e tyre të klasit Kolumbia në të ardhmen). Pas çdo lëshimi, armikut do t’i duhet të vendosë, brenda pak minutash, nëse sulmi i ardhshëm është konvencional, bërthamor, por i kufizuar, ose bërthamor dhe ekzistencial.
Kjo do të përcaktonte edhe reagimin e saj. Një çmenduri. Për Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagon nuk ka zgjidhje të mira ndaj këtyre rreziqeve befasuese. Dhe nuk është vetëm problemi i zgjedhjes midis skifterëve (ndërtoni më shumë armë bërthamore, tregoni forcën) dhe pëllumbave (mos e përshkallëzoni situatën, shpresoni tek kontrolli i armëve).
Që të dyja qasjet, ashtu si çdo rrugë e mesme që mund të ndiqet, kanë rreziqet e tyre. Gjithsesi ka ende arsye për të pasur shpresë. Asnjë vend nuk dëshiron që të jetë i pari në përdorimin e një armë bërthamore. Udhëheqësit do ta bëjnë këtë, vetëm kur të kenë frikë se regjimi apo edhe jeta e tyre është në rrezik serioz.
Kur përballen me kundërshtarë të tillë - më të dobët, por të armatosur me armë bërthamore - SHBA duhet t’i mbajë luftërat të kufizuara, me fitore minimaliste dhe jo dërrmuese, dhe të mos flasë hapur për ndryshimin e regjimit. Ndoshta është një qasje kundër-intuitive, por shumë e matur./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje