Fashizmi modern i stilit amerikan, ka rrënjë të dukshme në të shkuarën...
Askush nuk e di se çfarë do të sjellin zgjedhjet presidenciale në SHBA. Një mundësi është që flluska e Trump të shpërthejë, duke lejuar rikthimin në normalitet në Amerikë dhe në mbarë botën. Por është gjithashtu e mundur që Shtetet e Bashkuara të zhyten drejt një autoritarizmi radikal të militarizuar, i cili do të vendoste një normë të re për despotët në vende të tjera.
Politologët nuk janë të vetmit që shohin disa paralele historike shqetësuese. Sipas shefit më jetëgjatë të shtabit të Donald Trump, gjeneralit John Kelly, ish-presidentit “i përshtatet epiteti i fashistit”, me të cilin ai nënkupton “një ideologji dhe lëvizje politike autoritare, ultra-nacionaliste të ekstremit të djathtë, të drejtuar nga një udhëheqës diktatorial, autokraci e centralizuar, militarizmi, shtypja e dhunshme e opozitës dhe besimi tek një hierarki shoqërore natyrore”.
Fashizmi modern i stilit amerikan, ka rrënjë të dukshme në të shkuarën. Në romanin e tij të vitit 2004, Komploti kundër Amerikës, Philip Roth bazohej tek figura dhe ngjarje historike të vërteta për të paraqitur skenarin e tij kundër-faktual, në të cilin Charles Lindbergh zgjidhet president në një program radikal, izolues, antisemit të titulluar “Amerika e Para”.
Dhe disa analistë dhe historianë do të shkonin edhe më prapa në kohë, jo vetëm në vitet 1930, por një shekull më parë, tek retorika populiste dhe racizmi i shthurur i presidentit Andreë Jackson. Në çdo rast, episodet e kolapsit të demokracisë, ngrenë gjithnjë të njëjtën pyetje shqetësuese.
A është një tipar i veçantë i kulturës, që e ka gërryer gradualisht sistemin politik, apo kemi të bëjmë me një prirje më të thellë e të lindur njerëzore, e cila mund të mbahet nën kontroll vetëm nga rregullimet e duhura institucionale? Natyrisht, rasti më i famshëm i zhytjes në barbarizëm është ai i Gjermanisë midis 2 luftërave botërore.
Për të shpjeguar rrëshqitjen e këtij vendi drejt dhunës politike, fashizmit, militarizmit dhe në fund gjenocidit, disa analistë kanë vënë në dukje prirjet e natyrshme kulturore gjermane, nga antisemitizmi i ashpër i Martin Luterit deri tek abdikimi i liberalëve gjermanë të shekullit XIX përballë pushtetit politik radikal të bazuar në moton “Gjak dhe hekur” të Bismarkut.
Ashtu si gara presidenciale e këtij viti në SHBA, edhe zgjedhjet gjermane të viteve 1930 ishin shumë të ngushta. Në secilin rast, Adolf Hitleri dhe partia e tij, fituan një pjesë shumë më të vogël të votave sesa ka të ngjarë të marrë Trump në 5 nëntor. Pasi fitoi prej 37 për qind të votave në zgjedhjet e korrikut 1932, Partia Naziste ra në 33 për qind në garën e nëntorit të po atij viti.
Edhe në zgjedhjet jo të lira të marsit 1933 - kur Partia Komuniste u nxor jashtë ligjit dhe votuesit iu nënshtruan frikësimit masiv - vota për nazistët ishte nën 44 për qind. Vetë Hitleri mori vetëm 30 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të pranverës 1932, dhe 37 për qind në raundin e dytë.
Kështu, Hitleri nuk u ngjit në pushtet për shkak të mbështetjes së madhe popullore. Përkundrazi, kjo ndodhi për shkak të institucioneve tradicionale: ushtria, burokracia, forca e policisë dhe mbi të gjitha komuniteti i biznesit. Ashtu si sot me Amerikën e korporatave, drejtuesit kryesorë të industrisë gjermane ishin të përçarë.
Edhe pse shumë prej tyre ishin dyshues ndaj nazistëve, ata nuk e njihnin plotësisht axhendës radikale të Hitlerit. Georg Solmssen, presidenti i bankës më të madhe gjermane (Deutsche Bank), ishte pagëzuar si protestant, por gjyshi i tij kishte qenë një rabin hebre dhe babai i tij kishte qenë një bankier që u bë pjesë e botës së financave, sepse hebrenjtë ishin të përjashtuar nga shërbimi civil.
Ai njeri i qetë dhe shumë inteligjent, i pa nazistët si një kërcënim, kryesisht për shkak të elementeve socialiste dhe populiste të programit të tyre. Antisemitizmi i tyre i tërbuar, supozoi ai, ishte thjesht një dredhi taktike elektorale. Solmssen nuk e kuptoi si ishte vërtet nazizmi deri në prillin e vitit 1933, kur ishte tepër vonë.
Por nuk ishte i vetmi. Shumë njerëzve të mirë u mungoi imagjinata për të kuptuar shkallën e dhunës që Hitleri do të përdorte së shpejti. Brenda establishmentit gjerman, mbizotëronte bindja se demagogu mund të zbutej. Por kjo pikëpamje e rrezikshme bazohej tek një iluzion.
Tek e fundit, kishte ndryshuar rrënjësisht konteksti politik. Sistemi i dëmshpërblimeve i pas Luftës së Parë Botërore, i krijuar në Konferencën e Paqes të Versajës në vitin 1919, e kishte kufizuar shumë rëndë Gjermaninë, së bashku me hapësirën e saj për manovrim. Por në vitin 1933, sistemi ndërkombëtar ishte shpërbërë.
Dy vjet më herët, ushtria japoneze kishte provokuar një incident kufitar në provincën kineze të Mançurisë, dhe më pas kishte vërshuar përtej kufirit, duke injoruar Lidhjen e Kombeve dhe besëlidhjen e saj që ndalonte “agresionin”.
Për më tepër, teksa ekonomia globale po vuante nga Depresioni i Madh, kishte pak stimuj për të vazhduar lojën sipas rregullave të sistemit të vjetër ekonomik. Kështu, nacionalizmi dhe autarkia u bënë gjithnjë e më tërheqëse si strategji pa kosto për të rritur standardet e jetesës së gjermanëve.
Sërish, ekzistojnë disa paralele ogurzeza me momentin aktual. Shumica, në mos të gjitha institucionet ndërkombëtare po tregojnë shenja të vjetërsisë së tyre, dhe sistemi i Kombeve të Bashkuara është paralizuar nga përçarjet e mëdha mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe fushatat e Izraelit kundër Hamasit, Hezbollahut dhe ndoshta së shpejti edhe Iranit.
Megjithatë, në dallim nga fillimi i viteve 1930, ekonomia botërore është ende shumë e ndërlidhur dhe e ndërvarur. Prandaj, çdo lëvizje drejt autarkisë së vërtetë nuk do të ishte pa dhimbje. Përkundrazi, kostot do të ishin jashtëzakonisht të dukshme për amerikanët dhe pjesën tjetër të botës, dhe mbi të gjitha për tregjet financiare.
Në këtë kontekst, është mbresëlënëse të dëgjosh figura të shquara të botës së financës si Larry Fink i BlackRock, të thonë se zgjedhjet në SHBA “nuk kanë rëndësi” për tregjet. Pse figurat të tjera të fushës si Warren Buffett nuk dalin të thonë diçka? Ata duket se po kopjojnë sjelljen e drejtuesve të biznesit gjerman para janarit 1933.
Për shkak se lidhjet ekonomike ndërkombëtare mund të frenojnë veprimet politike kombëtare, ndërprerja e tyre rrezikon të shkaktojë një tronditje të madhe financiare. Në varësi të mënyrës se si do të zhvillohen këto zgjedhje, së shpejti mund të vijë koha kur amerikanët (dhe të gjithë të tjerët) do të jenë shumë mirënjohës për kufizimet që vijnë nga një ekonomi e globalizuar.
Pak ngjarje janë më të kthjellëta dhe më diskredituese për ata që mbështetin politikat e këqija, sesa krizat e rënda financiare që shkatërrojnë jetesën e votuesve dhe që i degradojnë standardet e tyre të jetesës./Përshtati Pamfleti nga “Project Syndicate”
Shënim: Harold James, profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Prinston, SHBA.
Lini një Përgjigje