TAGS-AT E JAVËS

Forum14 Janar 2025, 20:27

Giro d’Italia në Shqipëri, si event politik

Shkruar nga Ylli Pata

Giro d’Italia në Shqipëri, si event politik

Ajo, Giro D”Italia, me një fjalë, është një markë industriale e sërës së parë. E që përfaqësohet, përkatësisht ka si pronar një nga krenaritë e industrisë së vendit fqinj. RCS. Një markë që është nëna e industrisë së medias dhe kulturës në Itali. RCS ka qenë kompania më e madhe dhe më novatore e diskografisë muzokore që sot është pronë e Sony.

Hapja e një eventi të rëndësishëm sportiv si Giro D’Italia, përkatësisht rrethi çiklistik italian, është trajtuar nga Edi Rama, si një zhvillim bombastik për vendin tonë.

Ky zhvillim, deri tani, përveç kronikave të takimit të Ramës, nuk ka pasur ndonjë koment apo diskutim nga ana e zanatçinjve të fushës. Që në fakt nuk është se s’ekzistojnë.

Shqipëria dikur ka qenë një nga vendet e pakta në Ballkan që çiklizmin e ka pasur një sport të nivelit të lartë, por që vdiq pas rënies së komunizmit.

Çiklizmi nuk është thjesht një sport, për ata që marrin vesh, është një lëvizje dikur popullore, që sot është elitare, “radical shic”, ekologjike, green, e djathtë, patriotike e madje edhe antisistem.

Pra me kalimin e viteve, ky sport që ka nxjerrë legjenda botërore nuk e ka humbur asnjëherë atë sex appeal-in e tij, përkundrazi e ka përforcuar.

Turet më të rëndsishme në Europë që janë Tour de France dhe Giro D’Italia, janë në realitet në fuqinë e olimpiadave apo kampionateve botërore. Përveç elementit sportiv, pra garës së çiklistëve, e cila ka pasur një vëmendje të rëndsishme si kronikë, këto gara kanë qenë një fuqi imazhi bombastik. Si Franca, ashtu dhe Italia, përpara se televizioni të ishte një media invazive popullore, ishin destinacione turistike edhe prej rrethit të tyre çiklistik. Flasim për vitet e para, një dekadë pas Luftës së Dytë Botërore, kur këto vende ishin ende të shkatërruara nga Lufta.

Megjithatë, për pak vite, falë edhe Planit Marshall, por edhe tërheqjes gjithmonë e më magnetike të Europës për amerikanët, si në Francë ashtu dhe në Itali, nisi përmbytja e emrave të mëdhenj të industrisë amerikane të turizmit. Ku Hilton ishte pioneri që solli më pas të tjerët.

Ndërkaq, për ta ngushtuar fokusin, Giro D’Italia, nuk është më një event kult e popullor, apo një fuqi atraktive për të sjellë sa më shumë njerëz si destinacion.

Ajo, Giro D”Italia, me një fjalë, është një markë industriale e sërës së parë. E që përfaqësohet, përkatësisht ka si pronar një nga krenaritë e industrisë së vendit fqinj. RCS. Një markë që është nëna e industrisë së medias dhe kulturës në Itali. RCS ka qenë kompania më e madhe dhe më novatore e diskografisë muzokore që sot është pronë e Sony.

Ndërkohë, RCS është botuesi i gazetës më të madhe dhe historike në Itali Corriere della Sera, gazetës më të madhe sportive dhe ikonës së vendit La Gazzetta dello Sport, e mbi të gjitha rrjetit televiziv La7, që konsiderohet më profesionali ndërmjet Rai dhe Mediaset. Ky grup ka në administrim një rrjet të gjerë mediash print dhe online në të gjithë italinë, por ajo që është më e rëndësishme, është impakti shumë i rëndësishëm politik i tij.

Urbano Cairo, kreu i këtij grupi është një personazh shumë i rëndësishm në vend, i cili dikur ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Silvio Berlusconit, por që u largua menjëherë kur ai e përdori median e tij për politikën e Forza Italia.

Cairo, mori në mediat e tij gazetarët më të njohur në Itali që e konsideronin veten të pavarur, duke mos i ndërhyrë fare në profesion. Ai konsiderohet si botuesi më i lirë në Itali, ndërkohë që mazhoranca aktuale i konsideron mediat e Cairo-s si të majta.

Në realitet, e majta italiane jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht ka një hapësirë të fortë në mediat e RCS, që gjithsesi mbeten të hapura e që kanë krijuar një xhelozi të fortë në hapësirën mediatike të Italisë. Nuk kishte ndodhur kurrë që në gazetar i La Repubblica, një tjetër emër i njohur mediatik i themeluar në Romë në vitet 70 dhe sot një emër legjendar, kur të fliste për Corriere della Sera-n, ta quante: “Një gazetë e Milanos”. Kur në fakt Corriere është marka mediatike e Italisë.

Në fjalë të tjera RCS, është një kingmaker i madh i Italisë së sotme, një aktor shumë i rëndësishëm që zotëron një perandori mediatike dhe industriale aq të madhe sa vetëm prezenca e saj në Shqipëri, jep impakt më të madh se 100 blogje udhëtimesh. Por nga ana tjetër, fuqia politike e RCS është transversale, sidomos në lidhje me përplasjen e Edi Ramës me të majtën Italiane pas afërsisë së tij me Giorgia Melonin. Duket si një imazh thjesht Italian, por është më shumë se kaq. Greqia, Sllovenia e Kroacia, gjithnjë kanë lobuar fort për të pasur një etapë të Giro D’Italia-s në vendin e tyre. Natyrisht Greqia më pak, pasi është një vend lider në turizëm, e siç e nxori edhe klasifikimi i ditëve të fundit, kryeson në produktet bio të të gjithë botës, duke nisur nga djathi apo pjata më e mirë, ku zuri vendin e parë. Por për një vend si Shqipëria, e cila është ende në hapat e para, rrethi çiklistik i Italisë është më shumë se një kampionat europian.

Lini një Përgjigje