
Brukseli të reagojë, pasi efekti domino i një BE-je në shpërbërje e sipër, mund të fillojë pikërisht nga rrënojat e Athinës...
Të dhënat e raportit të Eurostat për vitin 2024, janë të padiskutueshme dhe të zymta: Ndërsa politikanët përhapin propagandën mbi rimëkëmbjen dhe përparimin e vendit, shifrat e ftohta dhe të hidhura, tregojnë një histori shumë të ndryshme.
Greqia po bëhet me shpejtësi vendi më i varfër në BE, dhe kjo mund të ketë pasoja më të mëdha për gjithë bllokun. Sot PBB-ja për frymë e Greqisë është më pak se 65 për qind e mesatares së BE-së, duke e vendosur atë në fund të listës.
Taksat janë shumë të larta, fuqia blerëse ka rënë shumë, dhe ekonomia kontrollohet nga politikanë të korruptuar që u shërbejnë interesave të oligarkëve. Po çfarë ka ndodhur me Greqinë? Si u zhyt në këtë mjerim një komb dikur krenar, me një histori të pasur dhe potencial të madh?
Rrënja e problemit është më se e dukshme: Një klasë politike e korruptuar, e paaftë dhe egoiste, e cila e ka tradhtuar sistematikisht popullin e vet. Për më shumë se një dekadë, Greqia ka qenë e bllokuar në një rreth vicioz masash shtrënguese, taksash të larta dhe borxhesh në rritje, teksa vetëm një pakicë super të pasurish kanë vazhduar të pasurohen.
Shifrat e fundit të Eurostat, tregojnë se familjet greke gjenden më shumë në vështirësi se kurrë më parë. Norma e varfërisë është në rritje, ndërsa të ardhurat në rënie. Por pavarësisht nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, përgjigja e qeverisë është një përzierje e mohimit, shmangies së vëmendjes dhe këmbënguljes tek të njëjtat politika shkatërruese.
Le të flasim pak për taksat, vrasësit e heshtur e familjeve dhe bizneseve greke. Barra tatimore e Greqisë është aktualisht ndër më të lartat në Evropë, dhe po e dëmton shumë qytetarin e zakonshëm grek. Niveli i TVSH-së, taksat mbi të ardhurat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore janë shumë të larta, duke u lënë njerëzve pak ose aspak të ardhura në dispozicion.
E dëshpëruar për të shtuar të ardhurat për të shlyer kreditorët, qeveria u jep votuesve lëmosha, dhe mban administratën shtetërorë më të madhe në BE. Ndërkaq, vazhdon të vendosë taksa ndëshkuese për punëtorët dhe bizneset e vogla, teksa elita oligarkike mbetet kryesisht e paprekur.
Ky çekuilibër është i paqëndrueshëm dhe amoral. Situata rëndohet nga fuqia e dobët blerëse e Greqisë. Sipas Eurostat, grekët kanë aktualisht fuqinë blerëse më të ulët mes 27 vendeve anëtare të BE-së, duke mbetur edhe prapa vendeve me një PBB shumë më të ulët për frymë.
Njëkohësisht vazhdon të rritet kostoja e jetesës. Grekët kanë kostot më të larta të strehimit në BE, duke paguar 35 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për të pasur një çati mbi kokë. Kostot e energjisë, janë sërish ndër më të lartat në bllok.
Çmimet e karburanteve, janë më të lartat në kontinentin evropian në krahasim me pagën mesatare. Edhe telekomunikacioni është shumë i shtrenjtë. Ndërkohë grekët janë të uritur. Sepse inflacioni i ushqimeve është i dyti më i lartë në BE. Kartelet sundojnë tregun me pakicë.
Produktet greke, si vaji i ullirit, mund të gjenden më lirë në supermarketet gjermane sesa në Greqi. Ndërsa pagat kanë mbetur në vendnumëro, kostoja e jetesës po i zhduk edhe ato pak kursime që kanë grekët, dhe shpresa për një standard më të mirë jetese duket më e largët çdo vit që kalon.
Dhe përkundër perceptimit, grekët nuk janë dembelë. Ata punojnë rreth 2.100 orë në vit, një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej rreth 1.700-1.800 orë. Megjithatë, atyre u mbeten gjithnjë e më pak para në xhepa.
Sa i përket imazhit të rritjes dhe suksesit që po projekton qeveria, ai është më së shumti propagandë. Greqia nuk është ajo që shihni nëpër reklama. Dhe sido që të jetë, edhe kur projektet derdhin para në ekonomi, kjo ka shumë pak të bëjë me familjen mesatare greke apo biznesin e vogël.
Për shembull, marrim zhvillimet në shkallë të gjerë përgjatë Rivierës së Athinës.
Ato janë krijuar kryesisht për blerësit dhe investitorët e huaj, dhe jo për popullsinë vendase. Vendpushimet luksoze, komplekset rezidenciale të nivelit të lartë dhe portet e jahteve, kujdesen për klientët e pasur ndërkombëtarë që kërkojnë shtëpi të dyta ose mundësi investimi.
Riviera e Athinës, po shndërrohet në një enklavë ekskluzive për të pasurit e huaj dhe jo për jetën e përditshme të grekëve. Zonat më të bukura bregdetare, po privatizohen gjithnjë e më shumë dhe i përshtaten shijeve ndërkombëtare.
Për pasojë janë rritur çmimet e pronave, duke i bërë ato të papërballueshme për shumicën e grekëve. Për më tepër, i gjithë projekti i investimeve iu dha njërës prej familjeve më të fuqishme të Greqisë. Pra oligarkët janë përfituesit e vërtetë të krizës ekonomike në Greqi.
Një grusht familjesh të fuqishme kontrollojnë pasurinë, median dhe ndikimin politik. Ata janë kryesisht të pranishëm në transport, energji dhe ndërtim. Greqia ka mbetur pothuajse pa asnjë industri kombëtare. Janë ata që ndikojnë mbi gjithçka dhe jo qytetarët që votojnë.
Si rregull, politikanët, qofshin në pushtet apo opozitë, janë thjesht vegla në këtë lojë, duke pranuar ofertat e oligarkëve në këmbim të mbijetesës politike dhe shpërblimit financiar. Korrupsioni brenda sistemit politik, është aq i thellë sa është i institucionalizuar.
Në vend të zbatimit të politikave që do ta ndihmonin vërtet popullin grek, si ulja e taksave, reduktimi i shpërdorimeve qeveritare dhe investimet në arsim, shëndetësi publike, teknologji dhe infrastrukturë, ligjet hartohen për të favorizuar interesat e oligarkëve.
Ndërkohë qytetarëve të thjeshtë, u lihen mbi supe barra e borxhit në rritje të Greqisë.
Por edhe më tragjik është fakti që qeveria aktuale e Mitsotakis, tashmë në vitin e saj të gjashtë në detyrë, vazhdon t’u përgjigjet kërkesave të kreditorëve ndërkombëtarë dhe sundimtarëve vendas, në vend se të ndërmarrë hapa të guximshëm për të adresuar shkaqet rrënjësore të rënies ekonomike të Greqisë.
Masat shtrënguese, të cilat tashmë e kanë gjymtuar vendin, janë duke vazhduar pa asnjë fund në horizont. Administrata e Demokracisë së Re, një “nxënëse e përkëdhelur” në Bruksel, është bërë tifozja më e madhe e Axhendës së Gjelbër dhe e sanksioneve ndaj Rusisë, madje edhe në kurriz të popullit grek.
Ka ardhur koha që sistemi politik i Greqisë të mbajë përgjegjësi. Pa një klasë politike që punon për njerëzit, Greqia nuk mund të shpresojë të çlirohet nga korrupsioni dhe stanjacioni ekonomik. Pa një ndryshim rrënjësor në udhëheqje, Greqia do të mbetet në varfëri dhe qytetarët e saj do të bëhen më të varfrit në bllok.
Sigurisht, dikush mund të pyesë me cinizëm: Po përse kjo duhet ta shqetësojë vërtet Brukselin? Për të gjitha ata që e kanë pasion historinë, duhet të kenë parasysh një model interesant. Gjatë 2 shekujve të fundit, shumë zhvillime kanë filluar nga Greqia, përpara se të përhapen më pas në pjesën tjetër të Evropës ose më gjerë.
Kështu, Greqia ishte vendi i parë që shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane, dhe po e para që vuri në dyshim Aleancën e Shenjtë. Greqia nisi Luftën Ballkanike të vitit 1912, e cila ishte paraardhëse e Luftës së Parë Botërore. Greqia përjetoi luftën e parë civile të pas Luftës së Dytë Botërore.
Dhe ishte diktatura e parë e Evropës Jugore që u rrëzua, duke hyrë më pas në Komunitetin Evropian. Ndërsa Greqia po zhytet sot thellë e me thellë në një krizë si ajo e Republikës së Vajmarit në Gjermani, ku varfëria shkon dorë për dore me kompromise të dhimbshme kombëtare përkundrejt kërkesave turke në Egje dhe Mesdheun Lindor, në planin afatmesëm nga grekët e poshtëruar mund të pritet gjithçka.
Herën e fundit që ky komb i lashtë e pa veten me shpatulla pas murit, në vitin 2015, votoi kundër një pakete shpëtimi të BE-së, duke zgjedhur praktikisht një GREXIT, daljen e vendit nga blloku, sado i dhimbshëm që do të ishte.
Dhjetë vjet më parë, rezultat i referendumit u injorua nga qeveria e Syriza-s nën presionin ekstrem të BE-së dhe SHBA-së. Por herën tjetër, s’do të jetë domosdoshmërisht kështu. Një referendum i ngjashëm, mund të mbahet brenda 5 apo 10 vitesh.
Por nëse gjërat nuk ndryshojnë në mënyrë drastike, ka shumë të ngjarë, dhe është absolutisht e mundur, që një forcë politike nacional-konservatore, euroskeptike dhe populiste e vijës së ashpër të shfaqet në skenë, dhe të marrë drejtimin e Greqisë. Efekti domino i një BE-je në shpërbërje e sipër, mund të fillojë pikërisht nga rrënojat e Athinës./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”
Lini një Përgjigje