TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Janar 2025, 16:16

Zjarret në Kaliforni jo “fatkeqësi natyrore”, por një katastrofë e shkaktuar nga njeriu

Shkruar nga Stuti Mishra

 Zjarret në Kaliforni jo “fatkeqësi natyrore”, por një

Flakët që po përvëlojnë Los Anxhelesin nuk duan t’ia dinë për politikën; kë apo çfarë fajësojmë, dhe as se çfarë duhet të bëjmë. Zgjedhja është e qartë: mund të përballemi me krizën e shumanshme dhe të luftojmë për një të ardhme të jetueshme në çdo nivel, ose ta lëmë botën që të digjet...

Kalifornia po digjet sërish. Këtë herë në mes të janarit. Mijëra shtëpi po shkrumbohen në një nga rajonet më të pasura në botë. Flakët po kërcënojnë vendet më monumentale të Hollivudit, duke gllabëruar pallate shumëmilionëshe dhe duke detyruar evakuimin e më shumë se 130.000 banorëve.

Tymi i dendur, e ka kthyer në një mjegull distopike horizontin e famshëm të qytetit. Deri tani kanë humbur jetën të paktën 10 njerëz, janë djegur mbi 2.000 ndërtesa dhe kanë mbetur pa energji elektrike më shumë se 330.000 njerëz.

Të gjithë ata me të cilët mund të bisedosh sot do ju thonë të njëjtën gjë: zjarret janë pjesë e identitetit të Kalifornisë, por këto të fundit janë më katastrofiket që kanë përjetuar. Megjithatë, zjarret që shpërthejnë herë pas here në Los Anxhelos, nuk janë thjesht një tjetër “katastrofë natyrore”.

Ato janë në fakt e ardhmja, për të cilën na kanë paralajmëruar prej dekadash shkencëtarët e klimës, dhe që sot ka mbërritur deri në pragun e shtëpisë së disa prej njerëzve më me ndikim në botë. Po përse na është dashur kaq shumë kohë për të marrë masat e duhura?

Kalimi i Kalifornisë Jugore, nga muajt e shiut në nivele rekord tek thatësira ekstreme, ka krijuar kushtet e përsosura për zjarret katastrofike që po shkatërrojnë tani Los Anxhelosin. Nëse kësaj i shtojmë erërat e fuqishme të Santa Anas, atëherë kemi  zjarret që lëvizin me një shpejtësi dhe një shkallë të paparë.

Zhvendosjet nga shirat e dendur tek thatësira e gjatë, nuk janë një ngjarje e izoluar. Shkencëtarët kanë paralajmëruar vazhdimisht se nxehtësia e bllokuar në atmosferë po i shpeshton kudo fatkeqësitë natyrore. Dhe kriza e klimës, nuk po i bën vetëm më të shpeshta, por edhe më të paparashikueshme, më të forta dhe më të vështira për t’u përgatitur ndaj tyre në nivel global.

Në Los Anxhelos, ekuipazhet e zjarrfikësve u përballën me 4 herë më shumë kërkesa për ndihmë sesa normalja brenda disa orësh nga fillimi i zjarrit, duke harxhuar miliona litra ujë. Infrastruktura e tyre, nuk i përshtatet më këtij realiteti të ri.

Këto flakë nuk janë “fatkeqësi natyrore”. Ato janë katastrofa të shkaktuara nga njeriu; pra janë nxitur nga politikat që kanë lejuar përdorimin e pakontrolluar të karburanteve fosile dhe keqinformimin të mjegullojë mirëkuptimin publik, dukuri që fatkeqësisht pritet që të përshkallëzohen.

Edhe pse zjarret e mëdha po bëjnë kërdinë, vazhdon të ketë sukses makineria e mohimit. Një vëzhgim i shpejtë në platformën X në pronësi të Elon Musk, tregon se për shumë njerëz faji është i “punësimeve të diversitetit”.

Pra rekrutimit të qëllimshëm të individëve nga grupe të nënpërfaqësuara ose të margjinalizuara për të nxitur një larmi dhe më gjithëpërfshirëse, ndërsa shpërfillen zërat e shkencëtarëve të klimës. Në disa mediave të krahut të djathtë, në fokus të sulmeve ka qenë drejtuesja e parë lezbike e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit.

Ndërsa shumë aktorë si Mark Hamill dhe Steve Guttenberg e mbanin publikun të informuar mbi evakuimet, dhe madje ndihmuan vetë në terren, aktori konservator James Woods - shtëpia e të cilit në Palisades është e kërcënuar - mohoi tërësisht rolin e ndryshimeve klimatike, duke akuzuar punësimet e komuniteteve të caktuara.

Ndërkohë, Donald Trump pretendoi se shkaktare kryesore ishin rregulloret mbi përdorimin e ujit në Kaliforni, të cilat i kanë shterur rezervat e zjarrfikësve. Ndërkohë zyrtarët lokalë, përmendën si fajtorët e vërtetë infrastrukturën e vjetruar, dhe kërkesën e lartë e të paprecedentë për ndihmë.

Janisse Quiñones, kryeinxhiniere dhe drejtuese e departamentit të ujit dhe energjisë në Los Anxheles, u tha gazetarëve se patën “4 herë më shumë kërkesa se normalja” për 15 orë rresht, gjë që e pakësoi presionin e ujit.

Ky keqinformim nuk vjen vetëm nga injoranca, por është pjesë e një manuali të njohur të mohimit të ndryshimeve klimatike, që hyn në veprim pas çdo fatkeqësie që godet SHBA-në. Dhe mohimi s’ka të bëjë vetëm me refuzimin e plotë të shkencës, por edhe me lojërat e hedhjes së fajit dhe nxitjen e qëllimshme të konfuzionit.

Dhe nëse mendoni se ky është vetëm një problem i Kalifornisë; atëherë mendohuni sërish. Të njëjtat forca që po i nxisin këto zjarre - rritja e temperaturave, moti ekstrem dhe infrastruktura e degraduar - po e ndryshojnë kudo jetën e njerëzve.

Për shembull vitin e kaluar, moti ekstrem u kushtoi amerikanëve mbi 500 miliardë dollarë dëme, nga uraganet e njëpasnjëshme deri tek valët vdekjeprurëse të të nxehtit. Të korrat po shkatërrohen rregullisht në Pllajat e Mëdha. Qytetet në zonën e Mes-Perëndimit, po sfiliten çdo vit nga valët e pamëshirshme të të nxehtit ekstrem.

Qytete të tëra po fshihen nga harta nga përmbytjet, zjarret dhe stuhitë. Dhe numri i njerëzve të dëmtuar është i pamatshëm: familje të zhvendosura, mjete jetese të shkatërruara dhe komunitete të copëtuara. Por çdo përpjekje për t’i parë këto ngjarje si simptoma të ndërlidhura të një planeti të shtyrë në limitet e tij, mbytet nga kritikat.

Mjerisht, fushatat e keqinformimit vetëm sa do të shtohen me rikthimin e Trump në Zyrën Ovale. Gjatë mandatit të tij të parë, ai e tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit, sabotoi mbrojtjen e mjedisit dhe dyfishoi prodhimin e naftës dhe gazit.

Tani, administrata e tij e re është gati të firmosë fillimin e më shumë shpimeve për karburantet fosile, duke e përshpejtuar krizën klimatike. Dhe kjo është pikërisht ajo që kanë paralajmëruar shkencëtarët: sa më gjatë ta vonojmë veprimin, aq më të rënda do të bëhen pasojat.

Mohimi i kësaj dukurie nuk është thjesht padije; por një pengesë aktive për të kuptuar një problem global. 2024-a është konfirmuar si viti më i nxehtë i regjistruar, duke mposhtur vitin 2023. Zjarret janë vetëm të fundit në serinë e disa fatkeqësive të rënda që ka përjetuar bota 2 vitet e fundit.

Flakët që po përvëlojnë Los Anxhelesin nuk duan t’ia dinë për politikën; kë apo çfarë fajësojmë, dhe as se çfarë duhet të bëjmë. Zgjedhja është e qartë: mund të përballemi me krizën e shumanshme dhe të luftojmë për një të ardhme të jetueshme në çdo nivel, ose ta lëmë botën që të digjet./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”

 

zjarret në kaliforni fatkeqësi natyrore katastrofë e shkaktuar nga neriu

Lini një Përgjigje