
Na ka parë Zoti thoni që s’na bën dimër, pa me një erë e një ditë borë na bllokohen rrugët, na mbyllen shkollat, na këputen telat e elektrikut, e na ngelen në dorë vetëm rrjetet sociale për foto...
Mjaftoi vetëm një ditë dimër për të kuptuar se çfarë shteti kemi ndërtuar e çfarë njerëzish jemi.
Rrugët dytësore në zonat kodrinore e malore, thuajse të gjitha u bllokuan. Probleme edhe rrugët nacionale, si ajo Librazhd – Korçë që u bllokua apo u fut në kaos Qafë-Thana. Po ashtu edhe rruga e Arbrit. A thua nuk e dimë se kur bie borë, çfarë ndodh në Qafë-Thanë apo Qafë Murriz, apo në qafërat e tjera.
Shkollat në fshatra nuk u hapën, sepse nuk kalohet apo nuk ka ngrohje.
Njerëz që ankohen dhe kërkojnë që punëtorët e bashkive tu pastrojnë borën edhe tek dera e shtëpisë.
Njerëz që nuk marrin dot as një sopatë a një sharrë e të presin një pemë që është rrëzuar nga era, e u ka zënë rrugën, por bëjnë foto për fb.
Isha para disa ditësh në malësinë e Rugovës. E pyeta pronarin e rezortit ku do të shkoja nëse është rruga e bllokuar. Ka borë, më tha, por rruga nuk bllokohet. Pa merak.
Në oborrin e tij ai kishte: Një fadromë borëpastruese; një kamion borëpastrues dhe një traktor që kishte instaluar një pajisje që shpërndante rërë të buluar ashpër, për të rritur forcën e fërkimit në rrugë kur ka akull.
Këto mjete që kishte një sipërmarrës në Rugovë, nuk i ka as një bashki në zonat malore. Por kujtohen se nuk kanë mjete, kripë e skorje, kur janë bllokuar rrugët. Pa folur këtu për cilësinë e rrugëve. Edhe ato që kushtojnë miliona Euro/km.
Na ka parë Zoti thoni që s’na bën dimër, pa me një erë e një ditë borë na bllokohen rrugët, na mbyllen shkollat, na këputen telat e elektrikut, e na ngelen në dorë vetëm rrjetet sociale për foto, shoqëruar me sloganin: “Të gjitha mjetet dhe punonjësit janë angazhuar për të përballuar situatën”.
Ç’situatë? Nuk është fatkeqësi natyrore. Eshtë vetëm një ditë dimër, nga ai që para 20 a 30 viteve bënte dy muaj rresht.
Lini një Përgjigje