TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Korrik 2024, 19:24

Çfarë e nxit dhe si t’i kundërvihemi fashizmit të kohëve moderne

Shkruar nga Walden Bello

Çfarë e nxit dhe si t’i kundërvihemi fashizmit të

Nuk është vetëm pasiguria ekonomike, ajo që ndihmon në krijimin e një baze të madhe mbështetësish për fashizmin, por edhe frika apo ndjenja e pasigurisë...

Gjatë fushatës presidenciale në Filipine në vitin 2016, Rodrigo Duterte e bëri “kriminalitetin e shfrenuar”  si kauzën e tij kryesore dhe në fakt të vetmen të vërtetë për t’u shkuar drejt pushtetit.

Një rritje me 5 herë e krimit, dhe një rënie e dukshme e zbatimit të ligjit, ishte vënë re në vitet para zgjedhjeve, dhe një ndjenjë e përgjithësuar e paligjshmërisë ishte përhapur në ndërgjegjen publike, veçanërisht në mesin e shtresës së mesme. Duterte e shfrytëzoi këtë ndjenjë, dhe deklarata e tij më e paharrueshme e fushatës, ishte premtimi i tij për t’i bërë copa-copa kriminelët e zakonshëm dhe shpërndarësit e drogës dhe për t’ua hedhur peshqve si ushqim.

Suksesi i Dutertes në ato zgjedhje, është një kujtesë e zymtë e kundërtezës së Hobsit ndaj asaj të Lock-ut mbi shtetin:që në origjinën e tij, ai është një kontratë primordiale midis një populli që është i gatshëm të dorëzojë të drejtat e tij, dhe një sovrani që premton të mbrojë jetën e tyre.

Gjithsesi, vetëm kushtet ekonomike dhe frika, nuk mund të shpjegojnë plotësisht shfaqjen e lëvizjeve fashiste. Ato ushqehen edhe nga faktorë të tjerë, me natyrë sociale dhe psikologjike. Njëra është ndjenja që përjetohet nga shumë meshkuj të bardhë, e të jetuarit në një botë ku po tronditen hierarkitë gjinore tradicionale, ku gratë po fitojnë kontroll mbi trupat e tyre dhe ku norma tradicionale e familjes heteropatriarkale, po vihet në pikëpyetje nga rregullimet e reja familjare.

Qëndrimet patriarkale kundër-revolucionare, vijnë zakonisht së bashku me shtysat më të spikatura të mobilizimit të së djathtës ekstreme:racizmin, etnocentrizmin dhe ndjenjat kundër emigrantëve. Këto janë thelbi i projektit fashist, i cili është krijimi i një solidariteti ndër-klasor të bazuar në ngjyrën e lëkurës, fenë, gjuhën ose kulturën duke përcaktuar si Armik ose Tjetrin, ata që perceptohen si të ndryshme.

Nuk është ishte një rastësi që projekti i Hitlerit u quajt nacional-socializëm, pra ishte një “barazi”, por vetëm për ata të së njëjtës racë dhe jo për Tjetrin. Sot në Evropë, Tjetri nuk është më Big Brother- i epokës së Luftës së Ftohtë, por emigrantët jo të bardhë, të cilët sipas teorive të errëta konspirative siç është edhe Teoria e Madhe e Zëvendësimit, janë në aleancë me elitat liberale, të cilat po i përdorin për të shkatërruar komunitetin e imagjinuar.

Një nga përfaqësuesit kryesorë të kësaj teorie, është kryeministri hungarez Viktor Orban, që e përçmon BE-në dhe sistemin e saj të kuotave të pranimit të emigrantëve. Por etnocentrizmi dhe racizmi kanë depërtuar thellë në ndërgjegjen evropiane. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi në vitin 2022:”Evropa është një kopsht, ndërsa shumica e pjesës tjetër të botës është një xhungël, dhe xhungla mund të pushtojë kopshtin!”.

Në SHBA, nacionalizmi ose supremacia e bardhë, është shprehja kryesore ideologjike e projektit fashist. Racizmi është gjithmonë riprodhuar ideologjikisht nga një strukturë shoqërore, në të cilën dominimi racor ka qenë po aq qendror sa dominimi i klasës.

Frikës se zezakët do të fitonin në kurriz të të bardhëve, iu shtua teoria popullore e konspiracionit se emigracioni është një komplot i elitave liberale në Uashington, për ta bërë shumicën e bardhë pakicë deri në vitin 2042. Kjo krijoi hapësirë për ngjitjen në skenën politike të njeriut që analistja e CIA-s Barbara Ëalter e quajti “sipërmarrësi më i madh etnik i të gjithëve”, Donald Trump.

Në mendjen e Trump, Amerika është një krijesë ekskluzivisht e të bardhëve. Kjo u shfaq plotësisht në fjalimin e tij gjatë pranimit të emërimit si kandidat presidencial në Konventën Kombëtare Republikane të vitit 2020, ku ai tha se ajo që ishte unike për Amerikën ishte fryma e pushtimit të tokës dhe e Perëndimit nga “fermerët dhe minatorët, kaubojsat dhe sherifët e bardhë”.

Por frika e Tjetrit nga Trump dhe mbështetësit e tij, shtrihet përtej nostalgjisë për një botë të humbur. Sipas analistëve Ivan Krastev dhe Stephen Holmes, nacionalizmi i bardhë, “në vend që të ushqehet nga frika se emigrantët e rinj do të dështojnë të asimilohen në kulturën amerikane, ushqehet nga frika se ata do të asimilohen me shumë sukses”.

Fashistët nuk janë thjesht instrumente të klasës kapitaliste. Në fakt, retorika e tyre nuk është vetëm antidemokratike apo anti-liberale, por shpeshherë edhe antikapitaliste apo kundër biznesit të madh. Për këtë, kujtoni pak se si Trump dhe ndjekësit e tij pretendojnë se janë anti-Big Tech ose kundër “hiper-kapitalistëve”, siç i quan këshilltari i tij Steve Bannon.

Por ata nuk synojnë të përmbysin kompanitë e mëdha. Ata thjesht duan një aleancë me kapitalin, për t’i shërbyer interesave të lëvizjes së tyre, por me ta në sediljen e shoferit. Fashistët mund të vijnë në pushtet përmes zgjedhjeve, siç bëri dikur Hitleri, apo dhe Trump dhe Bolsonaro pak vite më parë.

Në fakt, sa më shumë që i afrohen pushtetit, aq më shumë përpiqen të projektojnë një imazh konstitucionalist apo të moderuar, siç bëri Giorgia Meloni në Itali në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022 dhe Geert Wilders së fundmi në Holandë. Por pasi ngjiten në pushtet, synojnë të qëndrojnë atje përmes përdorimit të forcës ose dhunës.

Për këtë kujtojmë sulmin ndaj parlamentit në Uashington më 6 janar 2021. Po si të kundërvihemi fashizmin të kohëve tona? Së pari, ne duhet të ndalojmë së përdoruri shpjegime të thjeshtëzuara për ngritjen e së djathtës ekstreme, si për shembull se përgjegjës janë mashtruesit në internet. Duhet ta pranojmë se personalitetet dhe lëvizjet e ekstremit të djathtë, kanë një masë kritike të mbështetjes popullore.

Së dyti, duhet të pranojmë se fashistët janë shumë përpara nesh në aftësinë për të mobilizuar njerëzit, duke përdorur metodat më të përditësuara të disponueshme në internet. Për shembull, në vitin 2020, lideri indian Naredra Modi, që ishte ndër pesë liderët më të ndjekur botërorë në mediat sociale, kishte 45.9 milionë ndjekës krahasuar me 3.5 milionë të liderit të opozitës Rahul Gandhi në Facebook.

Së treti, duhet të gjejmë mënyra për të penguar ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, si për shembull ndërtimi i fronteve të gjera elektorale, me përfshirjen edhe të grupeve jo-fashiste me të cilat mund të kemi dallime. Kjo është në domosdoshmëri, pasi është shumë më e vështirë ta largosh të djathtën ekstreme pasi të jetë ngjitur në pushtet.

Së katërti, duhet të sigurohemi që të kemi në skajin kryesor të rezistencës sonë, ato lëvizje që kanë një jehonë të madhe midis sektorëve të gjerë të popullsisë, përfshirë shtresat e mesme, siç lëvizjet kundër ndryshimeve klimatike, ato për promovimin e barazisë gjinore dhe zgjerimin e drejtësisë racore.

Së pesti, duhet t’i mbrojmë me forcë të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike, edhe aty ku ato janë bërë jopopullore. Kjo duhet të përfshijë përkrahjen e njerëzve dhe grupeve që aktualisht janë të persekutuar, si myslimanët në Indi dhe emigrantët jo të bardhë në SHBA dhe Evropë.

Së gjashti, le të mos kemi frikë të shohim se çfarë mund të mësojmë nga e djathta ekstreme, sidomos kur flitet për politikën e pasionit apo të karizmës, dhe të shohim se si vlerat tona mund të çohen përpara dhe të promovohen në mënyra pasionante dhe karizmatike.

Dhe së fundmi, nëse historia, dhe veçanërisht ajo e Shteteve të Bashkuara, është ndonjë tregues, nuk duhet përjashtuar mundësia e një lufte të dhunshme civile, dhe nëse ky skenar bëhet një kërcënim real, duhet të merren hapat e duhur për ta kundërshtuar atë./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Policy in Focus”

fashizmi i kohëve moderne

Lini një Përgjigje