TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Korrik 2024, 09:02

Udhëheqja dhe jo shëndeti i Joe Biden, është sot problemi më i madh i Amerikës

Shkruar nga Lee Cohen
Udhëheqja dhe jo shëndeti i Joe Biden, është sot problemi
Joe Biden /

Në këtë krizë serioze të lidershipit, elektorati amerikan përballet me një vendim shumë të rëndësishëm, i cili shkon përtej spektaklit të debateve dhe furisë së reagimeve mediatike që e pason...

Që nga paraqitja shumë e dobët Joe Biden në debatin televiziv përballë rivalit në garë Donald Trump, Partia Demokratike ka pasur shumë dyshime rreth kandidaturës së tij. Por të gjitha fjalët e thëna mbi rënien e shëndetit të Biden, e kanë shpërqendruar vëmendjen e publikut nga një shqyrtim kritik i dështimeve më të bujshme të administratës së tij.

Tani demokratët po flasin sikur problemi i vetëm i Biden, është mania e tij për ta bindur publikun se është i aftë për të shërbyer ende në detyrë. Por peshku qelbet nga koka dhe falë udhëheqjes së tij të paaftë, qeveria e Biden e ka dobësuar sigurinë e Amerikës, stabilitetin ekonomik dhe pozitën e saj ndërkombëtare.

Këto mangësi nuk duhen anashkaluar. Politikat e dështuara të së majtës, e kanë bërë Amerikën më pak të sigurt dhe më pak të begatë. Një nga çështjet më të diskutueshme të presidencës së Biden, ka qenë trajtimi i dobët i problemit të kalimeve të paligjshme të emigrantëve në kufirin jugor të SHBA-së.

Që nga momenti i marrje së detyrës, administrata Biden ka regjistruar rreth 7.2 milionë kalime të paligjshme kufitare, duke vendosur çdo vit rekorde të reja. Axhenda e Biden mbi kufijtë e hapur, e ka dobësuar ndjeshëm rolin e organeve që menaxhojnë flukset dhe e ka thelluar krizën.

Rritja e paprecedentë e numrit të emigrantëve i ka vendosur shumë nën presion burimet lokale,

i ka mbingarkuar me punë agjencitë e ruajtjes dhe menaxhimit të kufirit, dhe ka sjellë sfida serioze humanitare dhe në fushën e sigurisë. Fokusi i diskutimit mbi aftësitë njohëse të Biden dhe mbi paraqitjen e tij në debatin e 27 qershorit, e lë mënjanë këtë dështim shumë më të rëndësishëm, i cili ka pasoja thelbësore mbi sigurinë kombëtare dhe atë publike.

Tërheqja kaotike dhe e menjëhershme nga Afganistani në gushtin e vitit 2021, spikat si një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme të Joe Biden. Ai operacion la jo vetëm mbi 7 miliardë dollarë pajisje ushtarake amerikane në duart e talebanëve, por shkaktoi vdekjen e 13 amerikanëve.

Ky dështim, konsiderohet gjerësisht si një nga katastrofat më poshtëruese të politikës së jashtme në historinë e SHBA-së, duke e dëmtuar rëndë besueshmërinë e saj në sytë e aleatëve. Gjatë një sesioni urgjent të parlamentit britanik, të mbledhur pas marrjes së pushtetit nga talebanët, ligjvënësit nga i gjithë spektri politik, përfshirë Boris Johnson dhe Keir Starmer, e kritikuan ashpër Biden dhe e akuzuan atë për braktisjen e Afganistanit në mëshirën e fatit.

Johnson tha i hidhëruar se Britania u detyrua të tërhiqte trupat e saj, pasi Biden u angazhua për largimin e SHBA-së. Starmer e quajti një “gjykim të gabuar e me pasoja katastrofike” tërheqjen kaotike të Biden.

Në fusha të tjera të politikës së jashtme, administrata Biden e ka minuar besueshmërinë e SHBA-së si një mbrojtëse e demokracisë, ka nxitur pakënaqësi në botën në zhvillim, ka inkurajuar vendet agresore si Irani dhe Rusia, dhe u ka dhënë mundësi rivalëve autoritarë si Kina që të fitojnë ndikim, duke u paraqitur si një alternativë ndaj hegjemonisë së SHBA-së.

Presidenca e Biden mund të mbahet mend si një nga më të korruptuarat në histori. Departamenti i Drejtësisë shënjestroi dhe dëmtoi kundërshtarët politikë, kryesisht Donald Trumpin, në prag të zgjedhjeve të vitit 2024. Kjo sjellje është e ngjashme me qeverinë e një republike bananesh. Demokratët do të vazhdojnë ta mohojnë këtë akuzë, duke këmbëngulur se “askush nuk është mbi ligjin”. Por për pjesën tjetër të botës, është mëse e qartë se administrata Biden ka vazhduar hakmarrjen kundër Trump dhe armiqve të tjerë politikë përmes hetimeve, aktakuzave dhe veprimeve të tjera ligjore.

Debati, edhe pse shumë shqetësues, nuk duhet që të lërë në hije kontekstin më të gjerë të presidencës së Biden, dhe ndikimet e tmerrshme të politikave të tij mbi kombin tonë. Nga kriza në kufi tek gabimet serioze të politikës së jashtme dhe tek imazhi i një korrupsioni në nivele shqetësuese, këto çështje kanë pasoja të mëdha për të ardhmen e Amerikës.

Votuesit nuk duhet të harrojnë se në këtë pikë, Biden nuk është gjë tjetër veçse një post-mbajtës. Pavarësisht nëse ai mbetet apo jo në garë, nëse nuk zëvendësohet nga një administratë republikane, politikat e dështuara të së majtës do të vazhdojnë ta bëjnë Amerikën më pak të sigurt dhe më pak të begatë.

Në këtë krizë serioze të lidershipit, elektorati amerikan përballet me një vendim shumë të rëndësishëm, i cili shkon përtej spektaklit të debateve dhe furisë së reagimeve mediatike që e pason. Sfidat e paraqitura nga administrata e presidentit Biden nuk janë vetëm çështje politike, por çështje themelore që ndikojnë në gjendjen e SHBA-së por edhe të gjithë globit.

Votuesit duhet të kërkojnë jo vetëm aftësi njohëse normale për një zyrtar të nivelit të lartë, por edhe llogaridhënie, qartësi dhe vizion nga ata që synojnë të na udhëheqin, duke e pranuar se zgjedhjet tona tani, do të përcaktojnë trajektoren e kombit në të ardhmen.

Por në fund, çështja nuk ka të bëjë vetëm me atë se kush qëndron (nëse mundet) në skenën e debatit, por kush qëndron në krah të parimeve dhe politikave, të cilat do të sigurojnë një Amerikë të sigurt, të begatë dhe të drejtë. Me rekordin e tij aktual, Joe Biden dështon edhe në këtë aspekt./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

Shënim: Lee Cohen, ish-këshilltar për Britaninë e Madhe në Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan.

udhëheqja e biden shëndeti i biden problemi i madh për amerikën

Lini një Përgjigje