Mbi të gjitha, presidenti rus dëshiron një samit të drejtpërdrejtë me SHBA-në, duke përjashtuar Ukrainën, për të përforcuar narrativën e tij për Rusinë si një superfuqi globale...
Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin sheh një mundësi për t’i dhënë fund izolimin e tij ndërkombëtar dhe për ta rehabilituar imazhin e tij si një burrë shteti. Ajo që dëshiron më shumë Purtin, është që Trump ta ndihmojë të rivendosë staturën e tij në skenën globale.
Në funksion të këtij qëllimi, udhëheqësi rus e ka lajkatur me kujdes Trumpin, duke hedhur bazat për një takim të profilit të lartë, i cili mund të forcojë pozicionin e tij si brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë një interviste në televizionin shtetëror rus, Putin tha:” Unë nuk mund të mos pajtohem me Trump, kur thotë se po të mos i ishte vjedhur fitorja në vitin 2020, atëherë ndoshta nuk do të kishte shpërthyer kriza në Ukrainë vitin 2022”, duke iu referuar fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të vendit fqinj në fillim të atij viti. Trump ka pretenduar prej kohësh, se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nën presidencën e tij. Po ashtu, Putin e cilësoi Trumpin si “të zgjuar” dhe “pragmatik”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, reagoi menjëherë ndaj këtyre deklaratave, duke thënë se Putin po përpiqej të manipulonte Trump për të arritur qëllimet e tij. “Sidomos ai dëshiron të manipulojë dëshirën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të arritur paqen. Por unë jam i bindur se asnjë manipulim rus nuk do të ketë më sukses!”- tha Zelensky.
Putin s’ka zgjidhje tjetër përveçse ta zbusë Trumpin. Teksa ekonomia ruse në prag të rrënimit për shkak të inflacionit të shfrenuar, Putin po sillet me kujdes për të shmangur provokimin e Trump, i cili ka lënë të kuptohet mundësinë e zgjerimit të sanksioneve kundër Rusisë.
Ajo që në fillim pritej të ishte një fitore e shpejtë ruse në Ukrainë, është shndërruar në një konflikt të zgjatur dhe të përgjakshëm, i cili e ka ekspozuar Rusinë më shumë si një tigër prej letre, sesa një fuqi vërtet botërore. Kjo luftë e zgjatur, jo vetëm që i ka pakësuar burimet e Rusisë, por ka përshpejtuar edhe rënien e saj në skenën botërore.
Putin ka qenë prej kohësh i fiksuar për ta portretizuar veten si një udhëheqës i fortë botëror, dhe për të rikthyer statusin e Rusisë si një superfuqi globale. Ambicia e tij për të rifituar ndikimin që kishte dikur Bashkimi Sovjetik, ka qenë një temë qendrore e udhëheqjes së tij.
Në një fjalim të vitit 2005, ai u ankua se rënia e perandorisë sovjetike ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”, duke pasqyruar dëshirën e tij të rrënjosur thellë për të zhbërë rënien e Rusisë pas Luftës së Ftohtë. Dëshirat imperialiste, e nxitën atë të pushtonte Ukrainën në vitin 2014 dhe të aneksonte Krimenë.
Ai e vazhdoi luftën pjesërisht në Ukrainën Lindore, dhe më pas ndërhyri në konfliktin sirian në 2015. Shfaqja e forcës në Siri, tregoi ambicien globale të Rusisë, dhe që po ringjallej statusi i vendit si një superfuqi globale.
Për gati një dekadë, ndërhyrja e Putinit në Siri u duk si një sukses i madh, duke e shfaqur ndikimin rus në Lindjen e Mesme dhe përforcuar imazhin e tij si një organizator strategjik. Por ky iluzion u davarit thuajse brenda natës në dhjetor 2024, duke pasur parasysh se sa shpejt u rrëzua regjimi sirian.
Ajo që dikur dukej si një triumf, u shndërrua në një sfidë tjetër, duke ushtruar akoma më shumë presion mbi kapacitetet ushtarake dhe ekonomike tashmë të mbingarkuara të Rusisë, të cilat janë të zëna në Ukrainë. Rusia u detyrua të largonte pajisjet e saj, pasi qeveria e re siriane i dha fund dhënies me qira të portit të saj Tartous.
Në frontin e brendshëm, Putin pësoi jo pak rënie të vlerësimit, pasi “operacioni i tij special ushtarak” po jepte efektin e kundërt. Madje vitin e kaluar, Ukraina sulmoi dhe pushtoi pjesë të rajonit rus Kursk. Për të ndihmuar në rimarrjen e Kurskut, Rusisë iu desh të kërkonte ndihmën e ushtarëve të Koresë së Veriut.
Gjithsesi Moska, nuk ka arritur ende t’i dëbojë plotësisht ukrainasit nga territori i saj. Ndërkohë, Trump iu rikthye komenteve në mediat sociale duke shënjestruar Rusinë. Ai vuri në dukje se Putin “nuk po ecën dhe aq mirë”.
Rusia nuk është e gatshme të negociojë drejtpërdrejt me Ukrainën. Ajo kërkon bisedime me Amerikën. Instituti për Studimin e Luftës, vë në dukje se “Putin dhe zyrtarë të tjerë të Kremlinit, kanë pohuar në mënyrë të përsëritur se janë të gatshëm të negociojnë për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara apo ndërmjetës të tjerë.
Megjithatë ajo nuk ka dëshmuar ende ndonjë vullnet për të negociuar me Ukrainën apo për kompromis mbi kërkesat e Putinit, si për shembull zëvendësimin e Zelensky dhe qeverisë së tij me një regjim kukull pro-rus…”.
Po ashtu, Trump synon të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke marrë një qasje krejtësisht të ndryshme nga paraardhësi i tij. Në dallim nga ish-presidenti Biden, i cili premtoi vazhdimisht mbështetje të palëkundur për Ukrainën dhe e vinte theksin në parimin “Asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën”, Trump është më i prirur të arrijë një zgjidhje që i jep përparësi objektivave dhe pikëpamjeve të tij politike mbi diplomacinë.
Putin e sheh dëshirën e Trump për një marrëveshje, si një mundësi për të arritur kushte të favorshme për Rusinë, madje edhe në kurriz të sovranitetit dhe sigurisë së Ukrainës. Mbi të gjitha, presidenti rus dëshiron një samit të drejtpërdrejtë me SHBA-në, duke përjashtuar Ukrainën, për të përforcuar narrativën e tij për Rusinë si një superfuqi globale.
Bisedime të tilla, do t’i jepnin fund izolimit të tij, do të vërtetonin pretendimin e tij mbi sferën e ndikimit të Ukrainës, dhe do të kënaqnin dëshirën e tij për ta projektuar Rusinë si një fuqi imperialiste që meriton respekt në skenën botërore.
Shënim: David Kirichenko, studiues i asociuar në Shoqërinë Henry Jackson, një institut studimor me qendër në Londër.
Lini një Përgjigje