Koha jonë kërkon luanë, jo dele!

Një e vërtetë e rëndësishme, që kam mësuar nga jeta është se, nuk ka njerëz në thelb "të mëdhenj" ose "të vegjël", por ka vetëm qenie njerëzore, të diferencuara dhe të kategorizuara nga shoqëria. Ky kuptim vetëm se më konsolidohet çdo ditë.
Pushteti, pozitat, titujt dhe pasuria, gabimisht krijojnë iluzionin e madhështisë, por ato nuk përcaktojnë vlerën e vërtetë të një personi. Ajo që shohim, nga shfaqjet e sotme politike – është i njëjti realitet që ka ekzistuar përgjatë gjithë historisë: – pjesa dërmuese e atyre që janë në pushtet, maskojnë pasigurinë, frikën, babëzinë ose zbrazëtinë, me autoritetin e tyre.
Madhështia e vërtetë nuk buron nga paratë apo statusi, por nga mençuria, karakteri dhe aftësia për të ngritur lart të tjerët, në vend që të shtypen ata. Nëse shoqëria mund t'i matë e klasifikojë njerëzit në mënyrat e saj, ndryshe, thelbi i njerëzimit tonë mbetet i paprekshëm dhe i përjetshëm.
Në një kohë kur kaq shumë ngjarje tronditin themelet e jetës sonë kolektive, përpiqem të mbetem e pandikuar, duke mbajtur të paprekur integritetin tim personal.
Kam besim të palëkundur, se ndryshimi i vërtetë vjen nga zemra. Nëse nuk arrijmë ta ushqejmë atë me dashuri dhe respekt për jetën, do të vazhdojmë të mashtrohemi nga politikanët, që shfrytëzojnë dëshirën tonë të natyrshme për liri, për të na e tradhtuar besimin sapo të marrin pushtetin.
E ndërsa të gjithë kërkojmë ndryshim të vërtetë, veçanërisht në garantimin e vlerave themelore si liria e fjalës dhe lidershipi i bazuar në integritet dhe shërbim të përkushtuar, është e dhimbshme t’i shohim ato shpresa që shtypen nga kontrolli i ftohtë i hipokrizisë politike dhe axhendave egoiste. Kontrasti është i dukshëm dhe ne tashmë kemi mundësinë ta shohim çdo ditë, me transmetimet në kohë reale të asaj që zhvillohet në sallonet dikur të mbyllura, të takimeve të niveleve të larta politike.
Udhëheqësit që ngrihen në pushtet duke pretenduar se mbrojnë fjalën e lirë e duke justifikuar dhunimin, shkatërrimin, shpopullimin dhe shfrytëzimin që të nesërmen, ekspozojnë një të vërtetë tronditëse për natyrën e pushtetit. Ky realitet brutal zbulon një fakt të dhimbshëm: pushteti nuk drejtohet më nga parimet morale, por nga interesat ekonomike dhe manovrat e pamëshirshme gjeopolitike.
Ajo që ndodhi në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë nuk ishte thjesht një ngjarje politike – ishte një shpërfillje e hapur për një komb të tërë dhe betejat e tij. Një nga traditat më të mëdha njerëzore është të respektosh dhe nderosh mysafirin në vatrën tënde. Megjithatë, dje në Shtëpinë e Bardhë, ne pamë një shfaqje të madhështisë boshe nga ata që kishin rifituar së fundmi pushtetin, nëm euforinë e arritjes së tyre, por duke mos e respektuar këtë vlerë themelore!
Flitet për një epokë të re, por nuk ka epokë të re nën të njëjtin slogan të vjetër: ‘Make America Great Again’. Slogani që unë përqafoj është: - ’ Make Civilization Great and Harmonious’.
Çdo komb i madh që humbet busullën e tij morale është në rrezik të madh – jo nga kërcënimet e jashtme, por nga prishja e brendshme.
Sot jemi dëshmitarë se sa lehtë sakrifikohet dinjiteti njerëzor për përfitime strategjike! Udhëheqësit justifikojnë zhdukjen e popullsive të tëra, apo kushtëzojnë mbijetesën e një kombi, për shfrytëzimin e burimeve të tyre natyrore. Pushteti, në duar të tilla, bëhet mjet shkatërrimi, jo përparimi.
Për vite me radhë, të njëjtët emra kanë dominuar politikën, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë botëror. Po ku është brezi i ri?
A ka menduar shoqëria për përgatitjen e pasardhësve të saj?
A janë politikanët e sotëm, në moshë jo pak të avancuar të Parlamenteve të botës, të pajisur me mençurinë për të sjellë paqe dhe për të nxitur përparimin shoqëror, apo ata thjesht janë kapur pas pushtetit, duke përjetësuar cikle lufte dhe ndasish?
Edhe sa kohë duhet të mbetet lufta mënyrë jetese?
A nuk do duhej të paktën një mësim të ishte mësuar nga historia – Se në Luftë Nuk Ka Fitues të Vërtetë?
Nëse vërtet besojmë në fjalën e lirë, duhet ta refuzojmë reduktimin e saj në propagandë të thjeshtë.
Kur biznesmenët dominojnë politikën, logjika e parasë zëvendëson etikën e qeverisjes. Politika bëhet transaksion dhe morali bëhet pengesë. Kjo është arsyeja pse ne tani jetojmë në një botë ku fitimi nxit luftën, burimet kthehen në mjete konflikti dhe vuajtja njerëzore trajtohet si një çështje e mëvonshme.
Një qytetërim nuk mund të përparojë kur udhëheqësit e tij i japin përparësi përfitimit financiar mbi mirëqenien e njerëzve, pushtetit personal mbi vlerat etike dhe imazhit të jashtëm mbi integritetin e vërtetë.
Pyetja që shtroj është :
A do të vazhdojmë t'i lejojmë biznesmenët të qeverisin botën tonë sikur të ishte një treg, apo do të kërkojmë të na drejtojnë ata që nderojnë vërtetë jetën, drejtësinë dhe të ardhmen e njerëzimit?
Fatmirësisht, sikundër është thënë, por tani na duhet ta zbatojmë: - Shpresa vdes e fundit, ndaj nuk na duhet të dekurajohemi kur ata që janë në pushtet na zhgënjejnë.
Forca jonë e vërtetë qëndron brenda nesh—të jemi të përgjegjshëm, të pjekur dhe plot integritet kur votojmë. Ne duhet ta përdorim atë forcë vote, të mos e keqpërdorim apo, akoma më keq, të refuzojmë ta përdorim.
Historia ka treguar se ndryshimi i vërtetë fillon jashtë institucioneve zyrtare – përmes zërave dhe veprimeve të atyre që refuzojnë të pranojnë padrejtësinë.
Le të shpresojmë që udhëheqësit e vërtetë – ata me guxim, vizion dhe zemër – janë mes nesh, të gatshëm për të ecur përpara.
Ajo që na duhet, nuk është një transformim i thjeshtë.
Ne kemi nevojë për një Ri-Bërje Tërësore.
Kjo ribërje duhet të vijë nga një brez i ri drejtuesish – Jo nga kasta e vjetër, që ka zaptuar pushtetin.
Koha jonë kërkon luanë, jo dele./Pamfleti
Lini një Përgjigje