TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Janar 2026, 12:55

Dumani ka këngëtar Andonin si “kunat”, po kush do i këndojë Klod Brahos pas 2028?

Shkruar nga Myslim Murrizi

Pastaj, po të kesh kohë e nerva të kërkosh të njëjtën gjë për rreth 400 gjyqtarë e prokurorë që kanë “kaluar” vetingun, do të habitesh ti dhe çdo shqiptar se sa prona kanë, me çfarë çmimi i kanë “blerë” dhe tek kush kontingjent llumhanësh ordinerë, që janë shndërruar në ndërtues e investitorë strategjikë, i kanë “blerë”.

Dumani ka këngëtar Andonin si “kunat”, po kush do i
Myslim Murrizi

I nderuar miku im, Gjergj Zefi!

Unë e njoh ndërtuesin dhe këngëtarin Andon Pango prej shumë vitesh dhe ai, pothuajse në çdo tavolinë ku është, nuk mund të rrijë dot pa kënduar.

Por ajo që më bëri përshtypje në këtë video është teksti i këngës, ku siç duket ia kanë përshtatur z. Dumani pasi ka ikur nga posti i drejtuesit të SPAK-ut.

“NATËN OOO VETËM FARE” thotë kënga dhe ndoshta, pasi Dumani nuk është më drejtues i SPAK-ut, mund të ketë ngelur vërtet vetëm, pa “miq e shokë” të shumtë që kishte kur ishte shef i SPAK-ut.

Andon Pango, i nderuar Gjergj, është kushëri i parë i bashkëshortes së Dumanit dhe besoj se Dumani mund të jetë ulur disa herë në tavolinë apo sofër me Andonin, pasi e ka dajën e fëmijëve, dhe nuk besoj se i ka mbajtur distancë për arsye biografie.

Andoni mund të jetë dënuar për “mashtrim”, por besoj se vendi ku janë ulur ata për këngë nuk ka valë interneti që z. Dumani të lidhej me drejtuesin e SPAK-ut, z. Braho, për ta pyetur për QKR-në e z. Pango apo për dëshminë e penalitetit ose certifikatën e sigurisë së z. Pango.

Madje, sipas “standardeve” të reja që drejtuesi i ri i SPAK-ut, z. Braho, prezantoi në KLP, duhej që z. Dumani t’u kërkonte të gjithë të pranishmëve në tavolinë, pra gjithë krushqisë, formularin e dekriminalizimit përpara se të ulej aty, edhe pse nga vendi ku ishte ulur dukej se ishte më i parëndësishmi në atë tavolinë, ose fiks aty ku i takon të ulet dhëndri, sidomos kur nuk është më i “rëndësishëm” siç ka qenë, ose siç ia thoshte Andoni me këngë: NATËN OOO VETËM FARE.

Por siç duket, z. Dumani, duke i njohur mirë prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK-ut, ku jo pak prej tyre kanë kunetër trafikantë të dënuar në Itali për drogë, ose shefa komisariati që dalin në përgjime te dosja 184, apo gjyqtarë si Irena Gjoka etj., ka thënë me vete: “Më plas mua t’u shoh QKR apo t’u kërkoj formular dekriminalizimi këtyre, se mos janë prokurorë të SPAK-ut këta.”

I nderuar miku im, Gjergj Zefi,

Andon Pango mund të jetë shumë e shumë më pak “mashtrues” se shumë e shumë prokurorë të SPAK-ut apo të 12 prokurorive rajonale, e gjyqtarë të GJKKO-së apo gjykatave të të gjitha niveleve të Republikës së Shqipërisë, si dhe shumë më pak i “inkriminuar” se prokurorë e gjyqtarë që kanë familjarë (kunetër, xhaxhallarë, baxhanakë, kushërinj të parë) anëtarë të bandave më famëkeqe të Shqipërisë, në kërkim e arrati në Angli, Itali, Greqi, Spanjë, Holandë e kudo në çdo cep të globit.

Andon Pango është shumë e shumë më pak i “infektuar” nga bota e krimit dhe paratë e pista sesa ndërtues të tjerë, tek të cilët kanë blerë shtëpi Klod Braho dhe plot prokurorë e gjyqtarë të SPAK-ut dhe të gjithë sistemit të “drejtësisë së re”, si dhe familjarët e tyre.

Prandaj z. Dumani nuk besoj se ka bërë “krim” apo ka shkelur ligjin pse ka qenë në një tavolinë me z. Pango, sa kohë që ka ndenjur dhe vazhdon të rrijë në punë, në zyrë, në takime e mbledhje, me jo pak hajdutë e mashtrues ordinerë që paguhen nga 100 mijë euro në vit nga taksat e shqiptarëve për të hetuar e dënuar hajdutët e politikës dhe, prej afro 7 vitesh në këtë “mision”, akoma nuk kanë mbyllur përfundimisht asnjë dosje e asnjë gjyq, por i zvarrisin me marrëveshje të plota e pazare të pista, duke u sjellë me standarde të ndryshme për fenomene të njëjta, me qëllim që të bëjnë “biznesin” e tyre.

I nderuar miku im, Gjergj Zefi,

Dërgoji si gazetar një kërkesë për informacion Hipotekës për të gjithë prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqtarët e GJKKO-së, për të parë se sa prona kanë, kujt ia kanë “blerë” dhe me çfarë çmimi i kanë “blerë”, dhe do të shohësh që pothuajse të gjithë, si për koincidencë, kanë “blerë” tek ndërtues të modelit llumhanë.

Pastaj, po të kesh kohë e nerva të kërkosh të njëjtën gjë për rreth 400 gjyqtarë e prokurorë që kanë “kaluar” vetingun, do të habitesh ti dhe çdo shqiptar se sa prona kanë, me çfarë çmimi i kanë “blerë” dhe tek kush kontingjent llumhanësh ordinerë, që janë shndërruar në ndërtues e investitorë strategjikë, i kanë “blerë”.

Kështu që, të lutem, lëre Andonin t’i këndojë Altinit sa herë të ulet në tavolinë me të, se në të gjithë jetën e tij nuk besoj se i ka kënduar njeri Altinit dhe nuk mendoj se mund t’i këndojë njeri tjetër veç Andon Pangos dhe hoxhës kur të ikë nga kjo dynja.

Unë po mendoj: kush mund t’i ketë kënduar Arben Krajës nga dhjetori 2022 dhe kush do t’i këndojë Klodian Brahos pas dhjetorit 2028, se Dumani të paktën e ka “këngëtar” Andonin si “kunat” që e ka, por këta të tjerët, çfarë “zanati” i kanë kunetërit?

Lini një Përgjigje