TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Prill 2025, 13:16

Ç’duhet të arrijë diplomacia mbi konfliktin Rusi-Ukrainë

Shkruar nga Richard Haass

Ç’duhet të arrijë diplomacia mbi konfliktin

Javët e ardhshme janë vendimtare për bisedimet mes palëve, teksa do të mbarojnë furnizimet e fundit amerikane me armë për Ukrainën. Por larg sjelljes së paqes, një ndërprerje e plotë e ndihmës, mund të sjellë një përshkallëzim të luftimeve...

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdon pa ndërprerje. Asnjëra nga palët, nuk është në gjendje të arrijë përmes forcës ushtarake objektivat e saj të deklaruara. Por javët e fundit ka edhe një aktivitet të rëndësishëm diplomatik.

Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor, kryesisht për të rregulluar marrëdhëniet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, të cilat mbërritën pikën më të ulët gjatë një debati të ashpër më 28 shkurt në Zyrën Ovale midis Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky.

Rusia e hodhi poshtë propozimin për armëpushim, duke sugjeruar (por jo zbatuar) një ndalim të kufizuar të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike. Po ashtu, të dyja palët treguan gatishmërinë e tyre për të pranuar një armëpushim në Detin e Zi.

Edhe pse Rusia e kushtëzon mbështetjen e saj ndaj këtij pakti sërish të pjesshëm, me një lehtësim të sanksioneve të vendosura prej 3 vitesh ndaj saj, nuk është aspak e qartë se kur apo edhe nëse do të nisë të zbatohet një armëpushim i tillë i kufizuar, dhe aq më pak se çfarë do të përfshinte ai.

Në rast se zbatohen, hapa të tillë të pjesshëm mund të jenë një rrugëkalim drejt një diçkaje më domethënëse. Por nga ana tjetër, është po aq e mundur që hapat e pjesshëm, të mos çojnë në një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse. Rusia mund ta vazhdojë luftën, edhe nëse do të përjashtoheshin operacionet në Detin e Zi.

Çështja kryesore mbetet sjellja e politikës amerikane. Për t’i bindur të dyja palët ta ndalin luftën, administrata Trump ka përdorur një kombinim të presionit dhe stimujve. Por qasja e saj, ka qenë dukshëm e anuar drejt ofrimit të përfitimeve për Rusinë dhe ushtrimit të presionit të madh ndaj Ukrainës.

Sigurisht, në negociata të tilla është e përshtatshme që Rusisë t’i ofrohen disa stimuj. Kjo mund të përfshijë gatishmërinë për të rifilluar kontaktet e nivelit të lartë dhe për të ripërtërirë stafet e ambasadave, mbështetjen për një lehtësim të kufizuar të sanksioneve, në rast se plotësohen kushtet e specifikuara, dhe lejimi që Rusia të mbajë në tryezë objektivat e saj afatgjata për Ukrainën.

Por është e papranueshme të bihet dakord me pozicionet e gabuara ruse, siç janë pretendimet e saj për Krimenë, Donetsk, Luhansk, Kherson apo Zaporizhzhian, bazuar në rezultatet e referendumeve të paligjshme të kryera atje nga forcat pushtuese ruse.

Është një gjë mënyra sesi i dërguari i Trumpit në Kremlin, zhvilluesi i pronave, i kthyer në diplomat, Steve Witkoff, e cilëson qëndrimin e Rusisë, dhe krejtësisht tjetër që ai ta bëjë atë si një qëndrim të tijin. Nuk ka asnjë arsye të fortë për të folur në këtë pikë të bisedimeve mbi statusin përfundimtar të këtyre 4 rajoneve ukrainase.

Tani për tani, synimi duhet të jetë një marrëveshje armëpushimi e pakufizuar, dhe jo një traktat i përhershëm paqeje. Në këtë rast, ambicia e tepruar ka të ngjarë të jetë armiku i së mundshmes. Për të arritur një ndërprerje të luftimeve, marrëveshja duhet të jetë sa më e qartë dhe e thjeshtë. Vetëm dy elementë janë thelbësorë për një armëpushim të qëndrueshëm. Së pari ndërprerja e të gjitha armiqësive, dhe së dyti një ndarje e tyre, në mënyrë ideale me një kontigjent paqeruajtës mes tyre. Çdo gjë tjetër, përfshirë diskutimet mbi territoret dhe të popullsitë, duhet të lihet për negociatat mbi statusin përfundimtar.

Tani për tani, të dyja palët duhet të lejohen të armatosin ose të bien dakord për marrëveshjet e sigurisë me palët e treta. Nuk duhet përjashtuar asnjë masë që do të mbështeste një armëpushim të mundshëm. Rusia duhet të lejohet të mbajë trupat e Koresë së Veriut në territorin e saj; teksa Ukraina mund të ftojë forca ushtarake nga vendet evropiane.

Thelbësore është që SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë për Ukrainën mbështetje ushtarake dhe të inteligjencës. Një mbështetje e tillë, është mënyra e vetme për ta bindur presidentin rus Vladimir Putin se ngërçi i mëtejshëm nuk është në interesin e tij, dhe është thelbësore për aftësinë e Ukrainës për të penguar agresionin e ri të Rusisë, edhe nëse do të ketë një marrëveshje armëpushimi.

Por ajo nuk duhet të jetë e pakufizuar: ndihma e SHBA-së ka arritur në rreth 40 miliardë dollarë në vit për 3 vjet, një nivel që ka të ngjarë të mjaftojë edhe për të ardhmen e parashikueshme.

Synimi duhet të jetë që t‘i japë Ukrainës atë që i nevojitet, për të penguar dhe mbrojtur nga agresioni rus, dhe jo për të çliruar territoret e saj të pushtuara.

Të deklarosh, siç bëri së fundmi Witkoff, se s’ka arsye për t’u shqetësuar mbi agresionin e ri rus nuk është aspak serioze. Tek e fundit, lufta aktuale është pushtimi i dytë i Rusisë në Ukrainë që nga viti 2014, kur ajo aneksoi ilegalisht Krimenë. Duke pasur parasysh qëllimet e Putinit, ajo që ka rëndësi janë aftësitë.

Çështja mund të marrë një drejtim deri në verë, kur të mbarojnë dërgesat me armë të miratuara tashmë nga Kongresi i SHBA-së për Ukrainën. Atëherë administrata Trump do të duhet të vendosë (nëse nuk e ka bërë tashmë) mbi lidhjen midis marrëdhënieve të sigurisë me Ukrainën dhe diplomacisë amerikane.

Ndërsa përpiqemi që të parashikojmë se çfarë do të zgjedhë të bëjë administrata, marrëveshja e shkurtit 2020 që nënshkroi me talebanët administrata e parë e Trump, duhet të na shqetësojë shumë. Ajo marrëveshje u negociua në kurriz të partnerëve afganë të Amerikës përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me talebanët, duke i hapur rrugën rimarrjes së shpejtë të kontrollit të Afganistanit nga talebanët vetëm një vit e gjysmë më vonë.

Mbetet vetëm të shpresohet, që çmimi që pagoi për atë dështim presidenti Joe Biden, si brenda dhe jashtë vendit, për zbatimin e marrëveshjes së Trump, do ta shtyjë këtë të fundit të mendohet dy herë përpara se ta braktisë Ukrainën në një fat të ngjashëm.

Po ashtu, Trump duhet të ketë parasysh se braktisja e Ukrainës nuk do të sillte paqe. Zelensky, që është më popullor se kurrë në vendin e tij (falë edhe ndikimit që pati përplasja e bujshme mes të dyve në Zyrën Ovale), ka të ngjarë të zgjedhë më shumë një armëpushim apo traktat paqeje sesa një formulë që do të komprometonte interesat thelbësore të Ukrainës.

Në një formë e tjetrën, Ukraina mund të luftojë për vite me radhë duke përdorur armë dhe municione të prodhuara vetë ose të importuara nga Evropa dhe Azia, dhe pa kufizimet e SHBA-së siç janë kushtet për ndihmën. Madje mund të tundohet të veprojë në një mënyrë më agresive në përzgjedhjen e objektivave brenda Rusisë.

Njëkohësisht, Rusia ka shumë të ngjarë ta shohë shkëputjen e SHBA nga Ukraina, si një mundësi për të ushtruar presion apo edhe për përshkallëzim ushtarak. Pra jo vetëm që nuk premton të sjellë paqe siç pretendon Trump, por ndërprerja e ndihmës ushtarake të Amerikës ndaj Ukrainës mund të sjellë në fakt një përshkallëzim të luftimeve në terren.

Rreziqet e zhvillimeve të javëve të fundit janë shumë të larta, por jo vetëm për Ukrainën. Ajo që do të ndodhë me Rusinë, do të ketë një efekt të rëndësishëm në të ardhmen e Evropës, nëse Kina përdor forcën kundër Tajvanit, apo Koreja e Veriut kundër Koresë së Jugut, por edhe mbi mënyrën se si SHBA-ja perceptohet si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë e saj në mbarë botën./Përgatiti Pamfleti

Shënim: Richard Haass, kreu i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Në vitet 2001-2003 kaqenë Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit dhe si i dërguar special i presidentit George W.Bush në Irlandën e Veriut dhe Koordinator për të Ardhmen e Afganistanit.

diplomacia konflikti rusi -ukrainë

Lini një Përgjigje