
Turqia është shumë e dobishme për Perëndimin, ndaj Erdogan i shpëton presionit...
Në vitet 1990, Recep Tayyip Erdogan e krahasoi demokracinë me një autobuz: “Ti hipën dhe udhëton me të derisa të mbërrish në destinacionin tënd, dhe pastaj zbret!”. Me arrestimin e rivalit të tij kryesor për presidencën, Erdogan duket se ka arritur në destinacionin e tij, dhe tani mund ta fikë autobuzin.
Koha e zgjedhur është domethënëse. Arrestimi i Ekrem Imamoglu, liderit të opozitës dhe kryebashkiakut të Stambollit, me akuzat për korrupsion, erdhi pas rënies së regjimit të Assadit në Siri dhe rikthimit në pushtet të Donald Trump në SHBA. Po ashtu, kjo lëvizje i jep Erdoganit 3 vjet kohë që të përpiqet të kapërcejë valën aktuale të protestave dhe zemërimit popullor, dhe më pas të ndreqë disi një ekonomi në krizë përpara zgjedhjeve presidenciale të 2028-ës.
Ai mund ta bëjë këtë i sigurt se nëse qëndron brenda kufijve të caktuar (në fakt të keqpërcaktuar), kritikat nga vendet e tjera do të jenë gati të heshtura, sepse ai e ka vendosur veten si një lojtar kyç dhe një zgjidhës potencial i problemeve në ngjarjet që i prekin ato.
Siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, Turqia është bërë një pikëmbështetje për shumicën e çështjeve kyçe që i trazojnë gjumin udhëheqësve globalë.
Rusia dhe Ukraina, Izraeli dhe Palestina, Irani, Siria: zgjidhjet për cilindo nga këto probleme, kalojnë të paktën pjesërisht nga Ankaraja. Turqia luajti një rol të rëndësishëm në rrëzimin e Assadit në Siri. Erdogan pa një dritare mundësie nga pushtimi rus i Ukrainës, e cila më pas u mbyll nga shkatërrimi i Hezbollahut nga Izraeli në Liban.
Kur milicia islamike Hayat Tahrir Al-Sham, marshoi drejt Damaskut në dhjetor 2024, ajo e bëri këtë me mbështetjen e Ankarasë. HTS e përmbysi regjimin dhe vendosi si president të përkohshëm udhëheqësin e tij, Ahmed al-Sharaa.
Ky i fundit hoqi dorë nga nofka e tij e luftës (Abu Mohammed al-Jolani), e shkurtoi mjekrën e tij të gjatë si xhihadist, dhe i shtoi deklaratat e tij pajtuese. Kjo qasje e moderuar i drejtohet kryesisht botës, por Erdogan e di saktësisht se cilin ka ndihmuar të vijë në pushtet.
Muajin e kaluar, ai e ftoi Al-Sharaa në Ankara, një vizitë që tregoi se Turqia është fituesja e madhe rajonale nga lufta civile siriane. Ndikimi i Iranit është zvogëluar, ai i Turqisë është rritur, dhe tani po flitet për ndërtimin nga Turqia të bazave ajrore në Sirinë Qendrore dhe trajnimin e ushtrisë siriane.
Kjo do ta afronte ushtrinë e Erdoganit me forcat izraelite në zonën tampon që ato kanë krijuar brenda Sirisë. Rritja e tensioneve midis tyre është e frikshme, por deri tani Turqia është treguar e aftë të luajë me të dyja palët, si me Izraelin ashtu edhe Palestinën.
Turqia i mirëpret zyrtarët e Hamasit, pjesërisht sepse si ai ashtu edhe AKP i kanë rrënjët tek Vëllazëria Myslimane. Por pavarësisht retorikës së ashpër ndaj Izraelit, vlera e tregtisë midis 2 vendeve është rreth 7 miliardë dollarë në vit, dhe ka vazhduar gjatë luftës së gjatë të Gazës.
Rritja e peshës së Turqisë në arenën ndërkombëtare, përkon me fillimin e mandatit të dytë të Trump dhe panikun që pasoi në Evropë mbi fundin e garancisë Amerikës për sigurinë e saj. Në kundërpërgjigje të paralajmërimeve amerikane, fuqitë e BE dhe Britania e madhe, kanë mbajtur disa samite urgjente për të vazhduar diskutimet e tyre 30-vjeçare rreth “autonomisë strategjike”.
Pastaj u kujtuan se përtej Bosforit gjendet ushtria e dytë më e madhe në NATO: Turqia. Vetëm ushtria e saj ka rreth 300.000 trupa në shërbim aktiv. Po ashtu, atje ndodhet baza ajrore amerikane e Incirlik, një bazë tokësore e NATO-s në Izmir dhe një sistem radarësh të paralajmërimit të hershëm në Kurecik.
Turqia iu bashkua NATO-n në vitin 1952 në një qasje tipike pragmatike të Luftës së Ftohtë. Perëndimi ishte i prirur të shmangte një revolucion të mundshëm komunist në këtë vend dhe donte një mburojë kundër ndikimit sovjetik. Rëndësia e saj strategjike ishte aq e madhe, saqë anëtarët e aleancës arritën të bënin një sy qorr e vesh shurdh ndaj grushteve ushtarake të viteve 1960, 1971 dhe 1980.
Pra pozita gjeografia e domosdoshme e Turqisë, e la në hije statusin e saj si një diktaturë ushtarake. Kjo si edhe një marrëdhënie tregtare mbi 200 miliardë euro në vit, ndihmon në shpjegimin e reagimit relativisht të butë të Komisionit Evropian ndaj arrestimit të Imamoglu dhe entuziazmit të tij mbi mundësinë e bashkimit të trupave turke në “forcën e sigurisë” evropiane në rastin e një armëpushimi në Ukrainë.
Në përgjigje të arrestimit të Imamoglu, KE bëri një deklaratë, ku thoshte se ky akt ngre pikëpyetje në lidhje mbi “përputhjen e Turqisë me traditës së saj demokratike të krijuar prej kohësh”. Ishte më shumë një gudulisje se sa një shuplakë. Dhe nuk është hera e parë që BE mban këtë qëndrim.
Në vitin 2015, kur po negocionte një marrëveshje, ku Ankaraja pranonte një pagesë periodike për të penguar kalimin e refugjatëve sirianë nga Turqia në Evropë, Brukseli shpërfilli enkas një raport shumë kritik mbi të drejtat e njeriut në këtë vend, dhe e publikoi vetëm pasi u përfundua marrëveshja.
Evropianët janë më të shqetësuar që ta kenë në krah Turqinë si aleate. Kjo pavarësisht arrestimit të liderit të opozitës dhe dhjetëra të tjerëve, të mbyllur në burgun famëkeq Silivri në Stamboll. Ai u ndërtua për të strehuar rreth 11.000 të burgosur, por tani numri është dyfishuar.
Mediat janë vendosur nën kontrollin e plotë të qeverisë, gjykatat po ashtu, dhe pas 23 vitesh në pushtet, Erdogan duket se do të bëhet zyrtarisht president i përjetshëm. Nëse jemi sërish si në epokën e pas Luftës së Ftohtë, ku në rend të ditës është politika e fuqive të mëdha dhe më pak vende i kushtojnë pak fjalë të drejtave të njeriut, atëherë pozicioni i Turqisë do t’u shërbejë.
Mund të mos konsiderohet si një fuqi detare, por Turqia kufizohet me Detin e Zi, Egjeun dhe Mesdheun dhe ka 7200 km vijë bregdetare. Kontrollon hyrjen në Ngushticën e Bosforit që të çon në Detin e Zi. Nëse e mbyll ngushticën (më pak se 1 milje në pikën më të ngushtë), flota ruse e Detit të Zi nuk mund të shkojë në Mesdhe dhe më pas në Atlantik.
Ndërkaq Turqia është një urë tregtare tokësore që lidh Evropën me Lindjen e Mesme, Kaukazin dhe deri në vendet e Azisë Qendrore. Ajo ka kufij tokësorë me 8 shtete: Greqinë, Bullgarinë, Gjeorgjinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Iranin, Irakun dhe Sirinë.
Për më shumë se 2500 vjet, kjo gjeografi e ka vendosur Turqinë, dhe veçanërisht rajonin përreth Stambollit, në udhëkryqin e tregtisë. Ajo ka tërhequr persët, grekët, romakët dhe bizantinët. Kur Konstandini i Madh pushtoi qytetin e atëhershëm grek të Bizantit në vitin 330 dhe e quajti Konstandinopojë (Stambolli sotëm), e gjithë pesha e Perandorisë Romake u zhvendos drejt lindjes.
Rajoni u kontrollua nga kryqtarët, arabët dhe më pas osmanët. Turqia shtrihet mbi rreth 1600 km, por është e mbrojtur. Malet përgjatë kufijve me Iranin, Irakun dhe Sirinë, ofrojnë një mbrojtje natyrale nga pushtimi në atë drejtim. Përtej skajit tjetër të vendit gjendet Hendeku Besarabian.
Kjo është fusha bregdetare ku mbarojnë malet Karpate, dhe ku një terren i sheshtë zbret deri në Detin e Zi në Moldavinë e sotme. Aftësia për të projektuar forcat tokësore në Hendek e lejon ushtrinë turke të përparojë drejt Rusisë, ose në drejtimin tjetër të Ballkanit, ose të bllokojë një forcë armike që mund të synojë ta kapërcejë hendekun.
Turqia moderne ka dalë nga historia e saj e trazuar, dhe mban tani marrëdhënie të mira me Ukrainën, Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo ka një ndikim diplomatik gjithnjë e më të madh në Bririn e Afrikës, Ballkan, Libi dhe më gjerë.
Marrëveshja e grurit në Detin e Zi e vitit 2022 midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila mund të ketë shmangur mungesat masive të ushqimit në shumë vende në zhvillim, nuk u ndërmjetësua nga Franca, Britania e Madhe apo Gjermania, por nga Turqia.
Turqia është gjithashtu një fuqi në rritje edhe në industrinë e mbrojtjes. 70 për qind e pajisjeve të saj ushtarake ndërtohen tani brenda vendit, dhe deri në fund të kësaj dekade, mund të jetë një nga 10 eksportuesit kryesorë të armëve në botë. Projekti i saj i madh është TF-X, një avion luftarak që do të zëvendësojë avionët F-16 deri në vitin 2030.
Po ashtu, ajo ndërton tanke, automjete të blinduara, nëndetëse dhe fregata. Bayraktar TB2, i përdorur gjerësisht nga Ukraina në fushën e betejës, është përshkruar si “droni që ndryshoi natyrën e luftës”. Turqia po investon që të bëhet edhe një fuqi hapësinore për të rritur aftësitë e saj ushtarake.
Në fund të vitit të kaluar, në Somali nisi ndërtimi i bazës së parë. Vendndodhja do ta lejojë të testojë raketat drejt Oqeanit Indian, pa rrezikun e rrëzimit të mbeturinave në vende të tjera apo zona urbane. Në vitin 2024 u lëshua sateliti i parë turk, i dërguar në hapësirë nga njëra prej raketave SpaceX të Elon Musk./Pamfleti nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje