TAGS-AT E JAVËS

Forum31 Gusht 2025, 13:00

Drejtësia e kapur nga krimi, më e rrezikshme se korrupsioni i administratës

Shkruar nga Arben Llangozi

Drejtësia e kapur nga krimi, më e rrezikshme se korrupsioni i

Një kryeministër i korruptuar është i përkohshëm, por një drejtësi e korruptuar është fatkeqësi kombëtare që i jep garanci çdo pushteti për të abuzuar pa frikë.

Drejtësia shqiptare nuk është e paprekshme dhe nuk duhet trajtuar si e shenjtë vetëm për të mbuluar paaftësinë dhe korrupsionin e saj. Përkundrazi, ajo është sot institucioni më i kapur, më i paralizuar dhe më i korruptuar i shtetit. Dhe faktet janë të pamohueshme.

Që prej vitit 2020, Policia e Himarës ka referuar pranë Prokurorisë së Vlorës katër raste të qarta të ndërtimit pa leje, me prova filmike dhe dokumentare të padiskutueshme.

Çdo qytetar mund të shohë me sy objektin 200 m² që ngrihet pa asnjë leje, në shkelje flagrante të ligjit. Por, çfarë ka bërë Prokuroria e Vlorës? Asgjë. Asnjë hetim. Asnjë përgjegjësi.

Përkundrazi, është përpjekur të pushojë çështjet duke deklaruar me cinizëm se “fakti nuk ekziston”. Ky arsyetim është jo vetëm absurd, por edhe fyes për inteligjencën e qytetarëve dhe ofendues për çdo ligj që supozohet të zbatohet në këtë vend.

Edhe më skandaloze është se IKMT ka përllogaritur dëmin në shumën 113 milionë lekë. Pra, kemi një dëmtim real ekonomik, një pasuri të paligjshme të ngritur në mes të ditës, një fakt të pakundërshtueshëm të filmuar, dhe megjithatë prokuroria zgjedh të mbyllë sytë.

Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se në Vlorë, dhe jo vetëm, prokuroria nuk është më në shërbim të ligjit, por në shërbim të krimit dhe grupeve të interesit që paguajnë për të qenë të paprekshëm.

Në këtë situatë, gjykatat bëhen pjesë e së njëjtës farsë. Në vend që të japin drejtësi, ato e zvarrisin procesin duke kthyer dosjet për hetim të mëtejshëm. Ky “hetim” i përjetshëm nuk është gjë tjetër veçse një metodë për të varrosur çështjet nëpër sirtarë, për të humbur kohën, për të lodhur qytetarët dhe për të garantuar që askush të mos ndëshkohet. Ky është një model klasik i drejtësisë së kapur, ku krimi mbrohet dhe qytetari ndëshkohet.

Në këtë pikë, duhet thënë e vërteta: korrupsioni më i madh në Shqipëri nuk është vetëm ai i administratës, por ai i drejtësisë. Një administratë e korruptuar mund të dëmtojë përkohësisht qytetarët, por një drejtësi e korruptuar e bën korrupsionin të përjetshëm, e legalizon atë dhe e shndërron në mënyrë qeverisjeje.

Një qeveri, sado e korruptuar të jetë, mund të ndryshohet me votë. Por një drejtësi e kapur nuk ndryshohet me zgjedhje. Ajo është peng i klaneve, i interesave dhe i lidhjeve kriminale. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse vendi nuk ecën përpara, pse çdo reformë ngec, pse çdo shpresë shuhet.

Unë e them hapur, mbështes Edi Ramën në këtë pikë, jo sepse administrata e tij është e pastër, përkundrazi, ajo është e zhytur në korrupsion dhe në paaftësi, por sepse drejtësia që nuk vepron është më e rrezikshme se çdo administratë e korruptuar.

Një kryeministër i korruptuar është i përkohshëm, por një drejtësi e korruptuar është fatkeqësi kombëtare që i jep garanci çdo pushteti për të abuzuar pa frikë.

Pa një drejtësi funksionale, asnjë reformë nuk ka kuptim, asnjë ligj nuk respektohet, asnjë qeveri nuk ka frikë dhe asnjë qytetar nuk gjen mbrojtje.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria është në këtë gjendje. Sepse prokurorë dhe gjyqtarë të paaftë e të kapur e kanë kthyer ligjin në një mburojë për krimin dhe në një armë kundër qytetarëve të ndershëm. Dhe derisa ky sistem të tronditet nga themelet, çdo përpjekje për ndryshim do të ngecë në vend. Ky është realiteti që nuk mund të fshihet me propagandë dhe as me fasada.

drejtësia e kapur nga krimi korrupsioni i administratës

Lini një Përgjigje