TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Gusht 2025, 22:10

Për herë të parë mbështes Edi Ramën për matrapazët e drejtësisë, edhe pse reagimi i tij erdhi me vonesë

Shkruar nga Arben Llangozi

Për herë të parë mbështes Edi Ramën për

Artur Metani, kreu i ILD-së, është një dështak i vërtetë, jo vetëm që ka dështuar të mbikëqyrë e disiplinojë gjyqtarët dhe prokurorët, por me veprimet e tij, ose më saktë me mosveprimet, ka kontribuar direkt në degradimin e sistemit të drejtësisë...

Për herë të parë dua të shpreh hapur mbështetjen time për Kryeministrin e vendit në lidhje me kritikat që ai ka artikuluar ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Unë kam qenë ndër të parët kritik ndaj magjistratëve që nuk kanë përmbushur detyrën e tyre, pasi shumë prej tyre, në vend që të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë qytetarët, kanë vendosur gjoba korruptive, duke e përdorur drejtësinë si mjet presioni dhe përfitimi personal, gjë që ka thelluar korrupsionin dhe ka shkatërruar besimin e publikut tek sistemi gjyqësor.

Sigurisht, nuk jam dakord me sulmet e tij ndaj gjyqtarëve të ndershëm e të urtë, të cilët kanë treguar profesionalizëm dhe integritet. Si në rastin e që Edi Rama ka reaguar. Por jam plotësisht dakord dhe e mbështes fuqishëm kur bëhet fjalë për denoncimin e gjendjes alarmante të drejtësisë sonë, e cila ka dalë krejtësisht jashtë binarëve.

Nuk mund të mohohet fakti se në Shqipëri ekziston një numër i konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh të zhytur në korrupsion, që vendosin jo mbi bazën e ligjit, por të interesave të tyre personale.

Shembulli më flagrant është Gjykata dhe Prokuroria e Vlorës, të cilat njihen gjerësisht si më të korruptuarat në vend, me dhjetëra dosje të manipuluara dhe të mbyllura pavarsisht krimit dhe autorit por janë mjaftuar vetëm te mbyllin çështjen në bazë të rryshfetit.

Edhe në Prokurorinë dhe Gjykatën e Sarandës situata nuk ndryshon, ku një prej figurave më të përfolura është prokurorja Esmeranda Basho, e cila sipas qytetarëve dhe avokatëve ka deformuar drejtësinë në të gjitha çështjet, duke e kthyer tempullin e ligjit në një terren abuzimi në kurriz të të drejtave të njerëzve.

Mbështes gjithashtu thirrjen e kryetarit të Gjykatës së Tiranës, z. Gert Hoxha, i cili me shumë të drejtë ka ngritur shqetësimin se në gjykata janë emëruar magjistratë me nivel të ulët profesional. Ky është një problem serioz që rrezikon themelet e sistemit.

Për më tepër, është alarmante dhe e dokumentuar se në gjyqësor ka individë me probleme të rënda psikologjike dhe psikiatrike, të cilët marrin vendime për fatet e qytetarëve. Ky është një rrezik i madh publik. Prandaj, duhet të bëhet kontroll i detyrueshëm i gjendjes psiko-sociale, psikologjike dhe psikiatrike për çdo gjyqtar e prokuror, para dhe gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.

Ka edhe gjyqtarë që janë konsumatorë të alkoolit dhe drogave të tjera, të cilët, për fat të keq, nuk kontrollohen asnjëherë për gjendjen e tyre fizike dhe psikologjike, pavarësisht përgjegjësisë së madhe që mbajnë në vendimmarrjen për jetët dhe të drejtat e qytetarëve.

Ky fakt është alarmant, sepse vendime të nxjerra nën ndikimin e substancave të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt drejtësinë dhe besimin publik tek sistemi gjyqësor, duke krijuar një situatë ku integriteti dhe profesionalizmi shpesh vendosen nën presion ose injorohen plotësisht.

Kontrolli rigoroz i gjyqtarëve dhe prokurorëve për gjendjen e tyre mendore, fizike dhe sociale duhet të jetë i detyrueshëm, për të parandaluar çdo abuzim dhe për të garantuar që drejtësia të jetë e paanshme dhe e besueshme.

Së fundi, nuk mund të anashkalohet përgjegjësia e madhe që mban Artur Metani, i cili jo vetëm që nuk e ka ndalur degradimin e sistemit, por është kthyer në pjesë të problemit.

Unë vetëm kam bërë dhjetra ankime, të cilat, pak nga pak, po mbushin gati 5 vjet pa asnjë përgjigje, ndërkohë që mosveprimi i Artur Metanit përbën shpërdorim detyre dhe duhet të nisë menjëherë procedim penal ndaj tij, përveç shkarkimit të menjëhershëm nga posti që mban.

Artur Metani, kreu i ILD-së, është një dështak i vërtetë, jo vetëm që ka dështuar të mbikëqyrë e disiplinojë gjyqtarët dhe prokurorët, por me veprimet e tij, ose më saktë me mosveprimet, ka kontribuar direkt në degradimin e sistemit të drejtësisë, duke e kthyer institucionin që drejton në një pjesë të problemit dhe duke bërë përgjegjësinë të duket thjesht një fjalë boshe.

Përveç faktit që Artur Metani duhet të shkarkohet, ndaj tij duhet të nisë menjëherë një procedim penal për shpërdorim detyre, pasi mosveprimi i tij në funksion të detyrës përbën një vepër penale dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në degradimin e sistemit të drejtësisë.

Aq më tepër kur një institucion si KLGJ merr në mbrojtje gjyqtarët, të cilët duhet të jenë të parët që të marrin masa dhe të nisin procedimin disiplinor, kjo tregon qartë degradimin e sistemit dhe nevojën urgjente për ndërhyrje dhe llogaridhënie të pandërprerë.

Unë mendoj se shumica e reagimeve të personazheve publike apo mediave janë të gabuara, sepse shumë herë kthehen në debate politike, ndërkohë që realiteti i drejtësisë është i qartë për të gjithë; të paktën një herë duhet të flitet pa ngjyrime politike dhe të pranohet gjendja alarmante në të cilën ndodhet sistemi gjyqësor.

Për këto arsye e përsëris me forcë, drejtësia shqiptare ka nevojë për pastrim të thellë, kontroll rigoroz të integritetit dhe gjendjes mendore të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe llogaridhënie të pandalshme. Vetëm kështu qytetarët do të rifitojnë besimin tek gjykatat dhe prokuroritë.

Lini një Përgjigje