TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Gusht 2025, 09:48

Gjergj Kastrioti është historia jonë, kush e fyeu, fyeu gjithë kombin

Shkruar nga Arben Llangozi

Gjergj Kastrioti është historia jonë, kush e fyeu, fyeu

Shteti nuk mund të jetë i ashpër me qytetarët e vet dhe i butë me ata që fyen dhe përdhosin kombin tonë.

Unë si pjesë e shoqërisë shqiptare që i qëndron besnike historisë, traditave dhe vlerave të kombit tonë, shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për ngjarjen e ndodhur së fundmi, ku disa tifozë serbë kanë përdhosur simbolet tona kombëtare, duke fyer kështu dinjitetin e popullit shqiptar.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 14, përcakton qartë se simbolet kombëtare, flamuri, himni dhe heronjtë tanë kombëtarë, janë shenjtëria e identitetit shqiptar. Përdhosja e tyre përbën shkelje të rendit kushtetues dhe fyerje të ndjenjës kombëtare të çdo shqiptari por edhe vepër penale.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, neni 268, e konsideron fyerjen e simboleve të shtetit si vepër penale. Në këtë kuptim, veprimet e tifozëve serbë nuk ishin thjesht një provokim sportiv, por një akt i rëndë antikushtetues dhe penal, që cenon paqen, rendin publik dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Është e pashpjegueshme dhe e dënueshme fakti që organet e rendit kanë ndërmarrë masa ndaj qytetarëve shqiptarë që reaguan ndaj këtij akti, ndërkohë që autorët e provokimit, tifozët serbë, nuk u proceduan penalisht dhe nuk u morën ndaj tyre masat e debimit, siç e parashikon ligji “Për të huajt” dhe rregulloret për hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar.

Ligji është i barabartë për të gjithë dhe nuk mund të zbatohet me standarde të dyfishta. Shteti nuk mund të jetë i ashpër me qytetarët e vet dhe i butë me ata që fyen dhe përdhosin kombin tonë. Një qasje e tillë jo vetëm që dëmton autoritetin e institucioneve, por krijon perceptimin se simbolet tona nuk mbrohen nga shteti shqiptar.
Populli shqiptar ka një histori të gjatë sakrificash, ku mijëra dëshmorë dhanë jetën për flamurin dhe tokën e tyre. Fyerja e emrit të Gjergj Kastriotit, figurës që mishëron lirinë dhe identitetin shqiptar është një fyerje e rëndë për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.

Reagimi i tifozëve shqiptarë nuk mund të shihet i shkëputur nga ky kontekst historik dhe emocional. Ai është një pasojë e drejtpërdrejtë e provokimit, një reagim spontan për të mbrojtur nderin kombëtar. Edhe pse forma e dhunshme nuk është e justifikueshme juridikisht, ajo është e kuptueshme nga pikëpamja njerëzore dhe shoqërore.

Është detyrim i Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë që të mbrojnë simbolet kombëtare, të ndëshkojnë çdo akt përdhosjeje dhe të garantojnë që kushdo që shkel ligjin të mbajë përgjegjësi.
Në këtë rast, autoritetet shqiptare duhej, të shoqëronin dhe procedonin penalisht tifozët serbë autorë të përdhosjes.Të merrnin masa administrative për debimin e tyre nga Shqipëria dhe ndalimin e hyrjes së tyre në të ardhmen.Të garantonin që reagimi qytetar të trajtohej në mënyrë proporcionale, duke marrë parasysh shkakun provokues.

Shqiptarët kanë dëshmuar historikisht mikpritjen dhe respektin për çdo komb. Edhe këtë vit, turistë serbë janë pritur me dinjitet dhe trajtuar me respekt në trojet shqiptare. Por mikpritja nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret. Ajo nuk nënkupton tolerim ndaj provokimeve që shkelin në mënyrë flagrante simbolet tona dhe ndjenjat e kombit shqiptar.

Nëse shteti shqiptar dështon të mbrojë simbolet kombëtare, atëherë është detyrë morale e qytetarëve të reagojnë. Ne nuk mund të lejojmë që flamuri ynë, heronjtë tanë dhe vetë identiteti ynë të bëhen objekt talljeje dhe përdhosjeje.

I bëjmë thirrje institucioneve që të mbrojnë simbolet kombëtare me seriozitet dhe të garantojnë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.Mbrojtja e dinjitetit kombëtar është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë.
Jam kundër dhunës në çdo formë, por njëkohësisht kundër qëndrimit të shtetit tonë që tregoi paaftësi për të mbrojtur simbolet dhe historinë kombëtare; përdhosja e flamurit dhe figurave tona historike nuk është thjesht një provokim sportiv, por një akt i rëndë që cënon dinjitetin e kombit, ndaj shteti duhet të marrë masa të barabarta dhe të vendosë përgjegjësi mbi autorët e vërtetë, në të kundërt reagimi qytetar bëhet një pasojë e natyrshme e mungesës së mbrojtjes institucionale.

Gjithsesi, në pamjet filmike nuk rezulton dhunë në atë masë sa të justifikohen arrestime, ndërkohë që një ndër veprat penale të vendosura nga policia është “pengimi i qarkullimit të automjeteve”, kur në fakt shihet qartë që autobusi ka kaluar lirshëm dhe qarkullimi nuk është penguar; kjo tregon se shteti dhe policia po falsifikojnë raportet me qëllim të mbrojtjes së autorëve të vërtetë të krimit, atyre që përdhosën simbolet tona kombëtare.
Këtë vepër penale policia e ka vendosur me qëllim të qartë për të justifikuar arrestet, pasi ajo ka një marzh dënimi të tillë që i jep mundësi policisë të arsyetojë veprimet e saj, duke krijuar një bazë artificiale ligjore, ndërkohë që në realitet nuk ekziston asnjë pengim i qarkullimit, çka e bën këtë veprim një manipulim të pastër për të mbuluar dështimin në ndëshkimin e autorëve të vërtetë të provokimit.

Pyetja që shtrohet për Policinë e Shtetit është: përveç përdhosjes së simboleve kombëtare nga tifozi serb, a nuk përbën vepër penale “Veprime të turpshme”nxjerrja e organit gjenital në publik në sheshin “Skënderbej”? A nuk konsiderohet kjo edhe prishje e rendit dhe qetësisë publike ? Dhe nëse një shtetas i huaj ka konsumuar disa vepra penale njëkohësisht, si është e mundur që ai të lejohej të largohej nga territori i Republikës së Shqipërisë pa u proceduar penalisht pa arrest dhe pa iu marrë masa e debimit?

arben llangozi

Lini një Përgjigje