
"Summum ius, summa iniuria" është një kritikë mbi formalizmin juridik të skajshëm, duke mbrojtur idenë se ligji duhet të shërbejë drejtësisë, jo të kthehet në mjet shtypjeje apo abuzimi përmes interpretimeve të ngurta
Ciceroni është cilësuar si oratori më i madh i Romës antike. Fjalimet e tij publike, të mbrojtura në Senat apo në gjykata, ndikuan thellë në zhvillimin e retorikës perëndimore. Ai ishte dhe mbetet mjeshtër i përdorimit të gjuhës, për të bindur dhe manipuluar opinionin publik.
Ndër shprehjet më të njohura që i atribuohen Ciceronit mbi ligjin, të drejtën dhe dënimin janë:
1."Salus populi suprema lex esto" – (Shpëtimi i popullit le të jetë ligji më i lartë.)
Frazën “Salus populi suprema lex esto", Ciceroni e shprehu në veprën e tij "De Legibus" (rreth vitit 52 p.e.s.), dhe ajo përfaqëson një nga parimet themelore të filozofisë së tij politike dhe ligjore.
Ciceroni, si filozof stoik dhe mbrojtës i republikës romake, argumentonte se interesi dhe mirëqenia e përbashkët e qytetarëve është qëllimi përfundimtar i çdo ligji. Prandaj: Ligji nuk është një qëllim në vetvete, por mjet për të siguruar drejtësinë, stabilitetin dhe jetesën e denjë të popullit. Shpëtimi i popullit, në këtë kontekst, nënkuptonte ruajtjen e jetës, lirisë, sigurisë dhe rendit shoqëror, të cilat janë themeli i një shteti të drejtë.
2."Lex iniusta non est lex" - (Një ligj i padrejtë nuk është ligj fare.)
"Lex iniusta non est lex” nuk është thjesht një frazë morale, por një sfidë ndaj ideologjisë që e identifikon ligjin vetëm me autoritetin.
Ciceroni e kuptonte ligjin si një derivat të arsyes dhe natyrës, jo thjesht të vullnetit të fuqishmit. Një ligj pa drejtësi është vetëm një maskë e pushtetit - jo ligj i vërtetë.
3."Summum ius, summa iniuria" – (Zbatimi ekstrem i ligjit është padrejtësi e madhe.)
Shprehja “Summum ius, summa iniuria” — është e shkruar nga Ciceroni në veprën e tij De Officiis (Mbi Detyrat), Libri I, seksioni 33.
"Summum ius, summa iniuria" është një kritikë mbi formalizmin juridik të skajshëm, duke mbrojtur idenë se ligji duhet të shërbejë drejtësisë, jo të kthehet në mjet shtypjeje apo abuzimi përmes interpretimeve të ngurta.
4."Poena ad recte faciendum, non ad ulciscendum" - (Dënimi duhet të shërbejë për të përmirësuar, jo për t’u hakmarrë.)
Kjo ide është pararendëse e teorive moderne të reformimit dhe rehabilitimit, përkundër konceptit të ndëshkimit si hakmarrje. Dënimi, sipas tij, duhet të jetë proporcional, i arsyetuar, dhe me qëllim moral. Etj...
Ciceroni mbetet një nga burimet më të fuqishme të etikës politike, filozofisë ligjore dhe të drejtës natyrore. Ai e vendos drejtësinë mbi ligjin, arsyen mbi autoritetin, dhe ndëshkimin në shërbim të të mirës publike, duke përçuar një vizion ku shteti duhet të jetë në shërbim të virtytit dhe qytetarit.
Lini një Përgjigje