TAGS-AT E JAVËS

Forum17 Qershor 2024, 15:30

Björn Larsson: Demokracia e rrezikuar nga super të pasurit!

Shkruar nga Adalgisa Marocco

 

Björn Larsson: Demokracia e rrezikuar nga super të pasurit!
Björn Larsson /

Të jesh nacionalist në Evropë është një kontradiktë. Kur Salvini, Le Pen, Orban dhe Åkesson kanë një kauzë të përbashkët, nuk mendoj se është për të mirën e Evropës. Ata duket se ndjekin me tepër interesat individuale. Nëse dhe kur ata deklarohen pro-evropianë, e bëjnë këtë më shumë për strategji sesa për bindje personale.

Çfarë do të thotë të jesh njeri? Në kërkim të një përgjigjeje është Björn Larsson, shkrimtar suedez i romaneve që kanë fituar mbi miliona lexues në mbarë botën, me përkthime në mbi 15 gjuhë. Tani edhe si filozof dhe eseist, ai ka shkruar librin me titull “Të jesh ose të mos jesh njeri: Ri- mendimi i rolit të njeriut midis shkencës dhe dijeve të tjera”.

Huffpost intervistoi shkrimtarin, i cili jeton midis Suedisë dhe Italisë, për të folur rreth pyetjeve të ngritura nga eseja e tij, dhe mbi një reflektim mbi Evropën pas zgjedhjeve të fundit, të cilat sollën dominimin e të majtës në Finlandë, Suedi dhe Danimarkë, në kontrast me rritjen e të djathtës ekstreme në vendet e tjera të BE-së.

Në librin e tij të fundit, ju flisni për “qenien njerëzore”. Çfarë tregon ky përcaktor i dyfishtë?

Është një përpjekje për të identifikuar dhe shpjeguar në mënyrë konkrete atë që na bën unikë si qenie njerëzore. Ky shpjegim shkon përtej gjenetikës, fizikës kuantike, evolucionit dhe teorive të tjera deterministe, veçanërisht ato të shkencave natyrore.

Përcaktori i dyfishtë, synon të përkthejë konceptin Homo sapiens një specie e vetëdijshme për veten, e pajisur me vetëdije, e ndërgjegjësuar për të tjerët, me ndjenjën e së ardhmes, me moralin, imagjinatën dhe mbi të gjitha me një gjuhë që na lejon të komunikojmë. Për më tepër, dhe kjo është theksuar rrallë në librat e shumtë mbi të qenit njerëzor, ne zotërojmë aftësinë unike për të praktikuar matematikën dhe shkencën, të cilat shpeshherë i marrim si të mirëqena.

Ne gjithashtu flasim për të menduarit spekulativ dhe kërkimin shkencor. Sa na duhet ai?

Teoria që unë propozoj dhe mbroj është realiste - jo ideologjike, as fetare apo filozofike - dhe që duhet të jetë në gjendje të krahasohet me realitetin tonë. T’iu jap një shembull: kur Papa Françesku, me gjithë respektin për përkushtimin e tij ndaj dinjitetit të gjithë qenieve njerëzore, deklaron se “Jeta është e shenjtë”, mjafton që të shihni përreth për të kuptuar se në fakt jeta në Ukrainë, Gaza apo Mianmar nuk është e shenjtë, ose është shumë pak.

Në realitet, Papa duhet të thotë që “jeta duhet të jetë e shenjtë”. Problemi i Kishës, dhe jo vetëm i saj, është se ajo e bën shenjtërinë e jetës të varet nga besimi dhe ekzistenca e Zotit. Sfida me të cilën përballem në kapitullin e fundit, është përpjekja për të gjetur një vlerë etike vërtet të përbashkët, dhe të gjitha rrjedhin nga gjendja jonë njerëzore.

Ju pohoni se në themel të humanizmit të qenies njerëzore, qëndron aftësia për të përpunuar përfaqësimin simbolik arbitrar. Na e shpjegoni pak këtë koncept...

Risia e përfaqësimit simbolik, jo vetëm arbitrar, por edhe ndër-subjektiv, na ka lejuar të çlirohemi pjesërisht nga perceptimi ynë imediat dhe instinktiv. Na ka pajisur me imagjinatën e nevojshme për të formuluar alternativa ndaj botës siç është, duke na dhënë një shkallë të caktuar lirie për të zgjedhur.

Për shkak të ndarjes midis botës së perceptuar dhe botës së simboleve, përfshirë gjuhën, ne jemi në gjendje të imagjinojmë mundësitë e jetës, emocionet, mendimet, mënyrat e të qenit së bashku dhe të organizimit të shoqërisë. Një nga pasojat është se gjendja jonë si “njerëz humanë” na vendos në tension midis ndjenjës së realitetit (të nevojshme për të mbijetuar) dhe mundësive që ofron imagjinata (po aq e nevojshme për të qenë në gjendje të ndryshojmë botën dhe jetën tonë).

Ne nuk jemi vetëm njëra apo tjetra, siç tenton të pohojë shkenca deterministe: jemi që të dyja njëherësh, me shumë dallime midis individëve, kulturave dhe shoqërive. Sa për të parafrazuar Simone de Beauvoir:ne nuk lindim si qenie humane, por në fund bëhemi të tilla.

Ju jeni suedez, megjithatë keni një lidhje të fortë me Francën dhe Italinë. Në Evropën Veriore, në dallim nga fitoret e së djathtës ekstreme në disa vende të Bashkimit Evropian, dominuan forcat e majta. Cili është komenti juaj?

Është gjithmonë e mundur, që rezultati i zgjedhjeve të sotme të përmbyset nesër. Thënë këtë, më ka habitur më shumti fakti që në Suedi, ashtu si dhe në Francë dhe Gjermani me ekstremin e djathtë, fitoi e majta. Në realitet, ishte një dështim për të gjithë dhe për demokracinë evropiane, Kur pjesëmarrja e votuesve nuk arrin as 50 për qind, shpallja e një fitoreje është një akt i qartë ligësie.

Sipas jush, çfarë ka shkaktuar rezultate të ndryshme në Evropën Veriore dhe atë Jugore?

Midis Veriut dhe Jugut, ekzistojnë dy dallime domethënëse, të cilat mund të shpjegojnë të paktën një pjesë të rezultatit. Këtu në veri partitë janë më të rëndësishme se liderët e tyre.

Për shembull në Suedi, partitë kanë mbetur të njëjta për dekada. Dhe kur një udhëheqës humb një palë zgjedhje, është normale që ai të japë dorëheqjen.

Ndërkohë në Francë dhe Itali, politikanët duket se janë të dëshpëruar pas pushtetit, duke krijuar ndonjëherë parti të reja kur e humbasin mbështetjen. Kjo çon në mënyrë të pashmangshme në konfuzion dhe zhgënjim tek elektorati.

Një ndryshim tjetër domethënës, ka të bëjë me vëmendjen ndaj natyrës dhe shqetësimin mbi klimën dhe mjedisin, e cila në vendin tim është shumë i fortë. Nuk është rastësi që të Gjelbrit morën 13 për qind, dhe që të gjitha partitë e majta dhe të qendrës së djathtë bënë fushatë duke folur për krizën klimatike.

A shihni një rrezik antidemokratik për kontinentin?

Siç e dimë, demokracia nuk është diçka që duhet marrë si e mirëqenë. Ajo duhet mbrojtur, inkurajuar, mësuar dhe kultivuar vazhdimisht. Ekziston gjithmonë rreziku i një zhvendosjeje drejt autoritarizmit. Jo shumë kohë më parë ka pasur diktatura në Greqi, Spanjë dhe Portugali, dhe totalitarizëm në Evropën Lindore.

Unë mendoj se nuk ka të ngjarë që ushtarakët e sotëm dhe të nesërm të vihen në shërbim të një sistemi totalitar në Evropë. Dhe jam i bindur se kërcënimi më i madh për demokracinë vjen jo aq nga politika, por nga kapitalizmi i shfrenuar. Kur super të pasurit - si Musk, Zuckerberg dhe Trump - mund të fitojnë pushtet dhe të korruptojnë drejtësinë, demokracia gërryhet dhe dobësohet.

Çfarë mendoni ju personalisht mbi Bashkimin Evropian?

Edhe pse i vetëdijshëm për defektet e tij, unë jam shumë pro-evropian. Para së gjithash, sepse BE ofron, veçanërisht për të rinjtë, lirinë për të jetuar, dashur, punuar, për të gjetur miq,  studiuar dhe mësuar në më shumë se një shtet, në më shumë se një gjuhë, dhe duke u mbështetur në vizione të shumta të botës.

Për më tepër, BE-ja përfaqëson gjithmonë rezultatin e një kompromisi, të kuptuar si një formë dialogu funksional për progresin, që ua vështirëson jetën ekstremistëve të të gjitha ngjyrave politike. Më duket shumë e përshtatshme një frazë e shkrimtarit suedez Harry Martinson, fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1974, sipas të cilit ideali ynë nuk duhet të jetë as stuhia, as qetësia, por një erë e fortë që fryn vazhdimisht ajër të pastër. Kjo për mua përfaqëson Bashkimin Evropian. Pas Brexit, shumë njerëz e kuptuan vlerën e BE-së, me përjashtim të nacionalistëve.

Çfarë mendoni mbi pozicionet e këtyre të fundit?

Të jesh nacionalist në Evropë është një kontradiktë. Kur Salvini, Le Pen, Orban dhe Åkesson kanë një kauzë të përbashkët, nuk mendoj se është për të mirën e Evropës. Ata duket se ndjekin me tepër interesat individuale. Nëse dhe kur ata deklarohen pro-evropianë, e bëjnë këtë më shumë për strategji sesa për bindje personale.

Ajo që më bëri përshtypje dhe më zhgënjeu gjatë fushatave të fundit zgjedhore në vende të ndryshme, ishte fakti se kandidatët dhe politikanët folën shumë pak për përfitimet dhe mundësitë që ofron Bashkimi Evropian. Në Itali, dhe jo vetëm, dukej se zgjedhjet ishin më shumë kombëtare sesa evropiane.

Nëse ju them “e ardhmja” çfarë më vjen në mendje?

Pasiguria dhe shpresa: Nuk mund të mendoj ndryshe. Unë kam dy nipër dhe një i tretë që pritet të vijë në jetë së shpejti, dhe e ndjej se duhet të besoj dhe të punoj shumë për t’u dhënë atyre mundësinë të jetojnë një jetë po aq të bukur sa ajo që kam pasur privilegjin të kem vetë.

Pse flisni për pasiguri?

Sepse është vetë gjendja njerëzore që e përjashton sigurinë. Nuk ka garanci biologjike apo evolucionare që na mbrojnë: e ardhmja varet nga ne si anëtarë të komunitetit.

Megjithatë, në vend se të marrim përgjegjësi kolektive për të mirën e të gjithëve, ne vazhdojmë të ndërtojmë pranë vullkaneve aktive, çarjeve sizmike dhe të projektojmë ura nëpër ngushtica në zona me rrezik të lartë sizmik. Ne e dimë se është e rrezikshme, por gjithsesi e bëjmë atë./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

björn larsson demokracia e rrezikuar nga të pasurit

Lini një Përgjigje