Bashkim i “thënçin”, u bë sepse erdhi viti zgjedhor, dhe shumica e tyre as futeshin në lista dhe as fitonin me votë.
Na qenkësh “bashkuar opozita”. Na qenkësh “zgjuar nga gjumi” 2-vjeçar dhe arriti të “hedhë mbrapa inatet e vjetra për hir të popullit”. Të besosh këto profka dhe mashtrime, i bie të kthehesh nja 30 vite pas. Gjithçka po bëhet sepse, zgjedhjet po vijnë, dhe duhet në listë emri, mandati deputetit, dhe përfitimet e tjera që vijnë pas tij. Na qenkësh “bashkuar Partia Demokratike, dhe ka nisur ekskursionet e saj në rrethe”.
E nisi nga Hasi, Puka, Rresheni, pastaj nga Vlora, dhe do të vazhdojë udhëtimet në “Pranverë”, ashtu sipas grafikut të Berishës. Sa fals duken, tek betohen dhe u tregojnë përralla, atyre që u kanë ardhur ti dëgjojnë. Se si u thonë se “Hasin e donte shumë gjyshi im, Pukën e donte shumë xhaxhai im, ju jeni trima që përballeni me Ramën”, etj…etj.. budallallëqe që vetëm në 2024 nuk i beson njeri.
Bashkim i “thënçin”, u bë sepse erdhi viti zgjedhor, dhe shumica e tyre as futeshin në lista dhe as fitonin me votë. Por edhe pse të bashkuar, disa prej tyre që ditën bëjnë si “demokratikas”, dhe natën qajnë hallet e bizneseve me njerëz të pushtetit, nuk besoj se do të kenë shansin të rimandatohen. Demokratët e bazës shprehen se “partia është në ditën e kiametit”, dhe as besojnë se do të kenë një fushatë dinjitoze me ata që tallen në takime paraelektorale. Pra, u “erdhi veza” dhe turren me demek “tek baza e harruar”.
U bënë mbi 33 vite, që ajo parti përfaqëson jo të djathtët, jo të persekutuarit, por shtresën e molepsur me afera pushtetesh dhe korrupsioni. Ata që kërkuar, mbi 5 muaj rresht, “komisione hetimore”, nuk kanë shanse të dalin “qelibar” nga asgjë. Kanë patur pushtet, kanë abuzuar, vjedhur, përvetësuar, janë pasuruar, bredhin me makina 100 mijë euroshe, kanë vila, pallate, miliona në banka, dhe pa kurrfarë pendimi u thonë mbështetësve të tyre “ne jemi e ardhmja, ne e bëjmë Shqipërinë si Europa”.
Mjafton të kujtosh si e katandisën Tiranën dhe vendin, me kioska dhe qendrat në moçale, dhe të besosh propogandën bajate. Dhe fakti është se, baza e Partisë Demokratike në mbi 70 për qind të saj, është mosbesuese ndaj lidershipit aktual, dhe atyre që e quajnë “bashkim të partisë”, procesin e mashtrimit të madh. Interesi, mbrojtja e pasurive, përjetësimi mandatit të deputetit, janë arsyet e vetme të kësaj estrade që ata e quajnë “bashkim”.
Lini një Përgjigje