TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Janar 2025, 15:58

A do të kenë më në fund kurdët shtetin e tyre?

Shkruar nga Pierre Haski

 

A do të kenë më në fund kurdët shtetin e tyre?
Ushtarë Kurdë /

Kurdët janë humbësit e përhershëm në historinë e kohëve të fundit të Lindjes së Mesme. Ata janë përpjekur vazhdimisht, dhe më pas janë tradhtuar në mënyrë të pashmangshme. Kjo është një dinamikë, e cila daton që një shekull më parë.

Në vitin 1920, Traktati i Sevres, i cili e shpërbëhu Perandorinë Osmane pas Luftës së Parë Botërore, u njohu kurdëve të drejtën për “autonomi”, e cila mund të çonte më vonë në themelimin e një shteti të pavarur.

Më shumë se 100 vjet më vonë, më shumë se 40 milionë kurdë janë ende në pritje të këtij momenti, të shpërndarë në 4 shtete: Irak, Iran, Siri dhe kryesisht në Turqi. Edhe një herë, fati i tyre varet në fije të perit.

Zhvillimet e papritura në Turqi dhe Siri, po ngjallin më shumë mosbesim sesa shpresë. Në të dyja rastet, forca lëvizëse është ambicia neo-osmane e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Figura tjetër kyçe në këtë lojë shahu gjeopolitike është Abdullah Öcalan, kreu i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i cili mbron idenë e krijimit të një shteti kurd. Öcalan, tashmë 75 vjeç, po vuan prej 25 vitesh dënimin me burgim të përjetshëm në Turqi me akuzën e terrorizmit.

Roli i Abdullah Öcalan

Javët e fundit, ka pasur përpjekje për një raud të ri negociatash midis Öcalan nga qelia e tij në burg dhe qeverisë turke, e cila përfshin madje edhe një parti ultra-nacionaliste. Ndërsa nuk është arritur ende asgjë përfundimtare, vetë fakti që po ndodhin këto bisedime është një lajm i mirë.

Synimi i deklaruar është që PKK-ja të heqë dorë nga lufta e saj e armatosur. Megjithatë, nevojitet një perspektivë më e gjerë për të kuptuar plotësisht rëndësinë e këtij zhvillimi. Sigurisht, rrëzimi i regjimit të Bashar Al-Assadit në Siri e ka përmbysur peizazhin strategjik në rajon.

Një zonë e Sirisë po e shmang ende kontrollin e sundimtarëve të rinj të Damaskut: verilindja, e cila kontrollohet nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët. Këta luftëtarë, janë të lidhur ngushtë me PKK-në e Öcalan-it dhe kundërshtohen në mënyrë aktive nga Turqia. Vetë udhëheqësit kurdë në Siri janë të përçarë.

Përplasjet fillestare, i kanë vënë tashmë ata kundër aleatëve sirianë të Turqisë. Por ky është thjesht preludi i një konflikti më të gjerë që mund të nxisë Ankaraja, me synim krijimin e një zone sigurie përgjatë kufirit turko-sirian.

Rreziqet e tradhtisë

Situata e kurdëve është shumë komplekse. Nëse në Turqi do të nisë një dialog i vërtetë me Öcalanin, atëherë kjo mund të ndryshojë dinamikën edhe për Sirinë.

Por vetë udhëheqësit kurdë në Siri, janë të ndarë midis atyre që e shohin atë si një mundësi, dhe atyre që parashikojnë një perspektivë më të errët të luftës civile në Siri.

Ndërkohë duhet të theksohet se kurdët në Siri janë nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara, me rreth 1500 ushtarë amerikanë të stacionuar atje. Dhe në mënyrë më modeste edhe nën mbrojtjen e Francës, pas rolit të saj kryesor në luftën kundër ISIS që filloi atje në vitin 2015.

Gjatë mandatit të tij të parë, presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump, donte t’i tërhiqte trupat amerikane nga Siria, por u dekurajua. Çfarë do të ndodhë këtë herë? Pa këtë mbrojtje, SDF pro-kurde do të ishte akoma më e brishtë ndaj presioneve të ushtrisë turke.

Ky kompleksitet është fryt i dekadave të luftës, rivaliteteve dhe ambicieve në një rajon që ka qenë vazhdimisht i destabilizuar. Kurdët kanë frikë se mos përballen edhe një herë me pasojat e një riorganizimi të kartave gjeopolitike, ku dinamika e re e Lindjes së Mesme mund të çojë në indiferencë, apo edhe në tradhti pikërisht nga ata që janë zotuar t’i mbështesin.

kurdë shteti kurd

Lini një Përgjigje