TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Janar 2025, 08:53

Remitancat, "oksigjeni" i ekonomisë shqiptare dhe “dysheku me pupla” i qeverive të paafta!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Remitancat, "oksigjeni" i ekonomisë shqiptare dhe “dysheku

Qeveria Rama që drejton ekzekutivin e Shqipërisë nuk kupton fare se çfarë po ndodh sot në ekonominë shqiptare. Fare, asgjë.

Çfarë po bëjmë ne shqiptarët sot, dhe cila është gjendja jonë social-ekonomike?

A kemi një perspektivën të qëndrueshme për të ardhmen tonë, dhe, a mund të na pllakosë një krizë ekonomike shkatërruese?

I.

Asgjë serioze që i shërben zhvillimit kombëtar nuk po shihet sot në Shqipëri.

Qeveria e sotme nuk i ka paraqitur shqiptarëve asnjë lloj plani, me pyetjen: çfarë do të bëjnë me të ardhmen e tyre shqiptarët?

Qeveria Rama që drejton ekzekutivin e Shqipërisë nuk kupton fare se çfarë po ndodh sot në ekonominë shqiptare. Fare, asgjë.

Po si jetojnë sot shqiptarët në Shqipëri që dihet se janë rreth tre milionë që jetojnë këtu?

Është e trishtë, por është e vërtetë që shqiptarët në jetën e tyre sot në Shqipëri po i mban emigracioni, me paratë që ai u dërgon familjeve, si remitanca për të mbajtur familjet e tyre në Shqipëri.

Kurse qeveria aktuale, pikërisht nga ky fakt, fle gjumë e qetë pa pasur asnjë skemë zhvillimi, dhe duke mos bërë asnjë lloj punë në ndihmë të zhvillimit shqiptar.

Por dihet që...

Është raporti midis punës dhe kapitalit privat ai që përcakton zhvillimin e një shoqërie në një shtet ku ekonominë e mban prona private.

Dhe prandaj, gjithçka shtyhet përpara me skemat që krijon qeveria, sipas studimit permanent që ajo i bën tregut

II.

Por sot në Shqipëri s'ka asnjë plan konkret  për kooperimin e kapitalit privat, dhe prandaj Shqipëria, pikërisht për këtë, mund të quhet një shtet feudal.

Po kush është qëndra drejtuese e këtij feugalizmi të Shekullit të XXI në Shqipëri?

Sigurisht që kjo është qeveria Rama, e cila nuk e kupton dot fare se çfarë do të thotë prodhim kombëtar. Shqipëria sot si prodhim kombëtar ka vetëm një prodhim të drobitur bujqësor.

Po kush i mban sot shqiptarët, dhe si furnizohet tregu i Shqipërisë?

Shqiptarët sot i mban emigracioni shqiptar në Perëndim, sepse paratë që dërgojnë emigrantët e shumtë krijojnë konsumin e brendshlm të shoqërisë shqiptare, dhe konsumi ka krijuar tregun shqiptar.

Por është ky treg ai që mban edhe qeverinë, edhe administratën me anë të taksave që u vihen tregtarëve dhe fermerëve të drobitur shqiptarë, taksa këto që vijnë e krijojnë të ardhurat e shtetit shqiptar.

Dhe prandaj kuptohet qartë se e ardhura kryesore e shtetit shqiptar vjen nga puna e emigracionit në Perëndim: emigrantët e shumtë shqiptarë janë ata që dërgojnë paratë e tyre që fitojnë me punë në Perëndim, për të mbajtur familjet e tyre në Shqipëri.

Dhe pikërisht këtu, nga konsumi që vjen në treg me paratë që dërgon emigracioni shqiptar, mbi 5 miliardë Euro në vit, mbahet edhe tregtia e tregtarëve shqiptarë, por edhe rrogat e administratës shtetërore, dhe, edhe rrogat e punësimit të vogël privat që mbajnë tregtarët, por edhe baret e restorantet private që funksionojnë në Shqipëri.

III.

Po si do të ishte gjendja jonë ekonomike, nëse nga emigrantët shqiptarë nuk do të vinin prurjet në para për familjet e tyre në Shqipëri?

Po të mos ishte emigracioni, Shqipëria do ta shpërbëhej deri në shuarjen e plotëbtë saj si shtet,  nga varfëria e rëndë ekonomike, sepse kuptohet që nuk do të kishte para për konsum në treg. 

Tregu do të paralizohej, dhe kjo do të sillte urinë, dhe uria do të sillte largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.

E kuptoni se në çfarë rreziku do të jenë shqiptarët, nëse nuk do të vijnë në Shqipëri prurjet në para që sot po dërgon emigracioni shqiptar nga Perëndim?!

Lini një Përgjigje