TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Janar 2025, 16:08

Çfarë ndodh pas 31 dhjetorit?

Shkruar nga Lutfi Dervishi

Çfarë ndodh pas 31 dhjetorit?

Askush nuk është mbi ligjin, as në 31 dhjetor, as në 1 janar.

Moderatori: Sonte do të diskutojmë të mirat dhe të këqijat e kalimit nga data 31 në datën 1, duke analizuar ndikimin e këtij tranzicioni në jetën tonë.

Analisti: Pas 31 dhjetorit do të vijë data 1 janar, një fakt i pamohueshëm që reflekton respektin që kemi për kalendarin.

Avokati: Nga pikëpamja ligjore, kalimi nga 31 dhjetori në 1 janar nuk sjell ndryshime në të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kontratat dhe marrëveshjet që skadojnë më 31 dhjetor duhet të rinovohen në kohë për të shmangur gjobat.

Prokurori i SPAK: Ne do të monitorojmë me kujdes çdo aktivitet të dyshimtë gjatë festimeve të fundvitit. Çdo shkelje e ligjit, qoftë edhe në natën e ndërrimit të viteve, nga krimi ordiner apo intelektual do të ndiqet penalisht. Askush nuk është mbi ligjin, as në 31 dhjetor, as në 1 janar.

Qeveria: Ky kalim simbolizon fillimin e një viti të ri plot mundësi dhe sfida. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë reformat tona për të përmirësuar jetën e çdo familje dhe për të çuar Shqipërinë tonë të dashur drejt familjes së BE-se

Opozita: Ndërsa qeveria feston kalimin e datës 31, problemet e vjetra janë dhurata që ajo i ka bërë shqiptarëve. Viti i ri duhet të sjellë ndryshime reale, dhe ti japë fund babëzisë qeveritare...

Partitë e reja: Kalimi në 1 janar është një mundësi për një fillim të ri politik. Ne synojmë të sjellim ide të freskëta dhe energji të reja për të adresuar sfidat që na kanë lënë pas të vjetrit e politikës

Historiani: Në fakt, kalimi nga 31 dhjetori në 1 janar është një praktikë që daton që nga kalendari Julian, i cili u zëvendësua më vonë nga ai Gregorian. Kjo ndërrim datash simbolizon një cikël të ri dhe ka qenë pjesë e traditës tonë për shekuj me radhë.

Konspiracionisti: Mos u mashtroni! Kalimi nga 31 dhjetori në 1 janar është një komplot global për të na kontrolluar mendjet. Kalendarët janë krijuar nga elitat për të na mbajtur të nënshtruar. A e keni vënë re se si çdo vit na detyrojnë të festojmë në të njëjtën datë? Zgjohuni!

Lini një Përgjigje