TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Janar 2025, 15:13

Pse Trump nuk do t’i japë dot fund luftës në Ukrainë

Shkruar nga Thomas Fazi

Për Donald Trump, sfida do të jetë e dyfishtë: tejkalimi i rezistencës së brendshme ndaj koncesioneve, dhe ecja përpara në fushën e minuar gjeopolitike të interesave konkurruese...

Pse Trump nuk do t’i japë dot fund luftës në Ukrainë
Trump dhe Zelensky /

Rikthimi i afërt i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, e ka ndryshuar shumë qasjen në raport me luftën në Ukrainë. Pas disa vite këmbënguljeje për një fitore ushtarake me çdo kusht të Ukrainës ndaj Rusisë, establishmenti politik dhe mediatik perëndimor duket se po e pranon se kjo luftë mund të përfundojë vetëm nëpërmjet negociatave ose kolapsit të Ukrainës, si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore dhe materiale për të vazhduar rezistencën.

Duke pasur parasysh se gjasat e skenarit të dytë po bëhen gjithnjë e më të dukshme - pavarësisht paketës së fundit të ndihmës njoftuar të hënën nga administrata në ikje e Biden - nuk është për t’u habitur që edhe gazeta New York Times, që zakonisht mban një ashpër ndaj Rusisë, arriti së fundmi në përfundimin se “është koha për të hedhur bazat për fazën e pasluftës”.

Vladimir Putin ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për t’u takuar me Donald Trump për të diskutuar mbi një marrëveshje paqeje, ndërsa presidenti i zgjedhur i SHBA-së përsëriti kohët e fundit përsëriti se “ne duhet t'i japim fund asaj lufte”.

Pas takimit me Zelenskyn në Paris gjatë ceremonisë së rihapjes së Katedrales Notre Dame, Trump bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm”. Në një ndryshim të jashtëzakonshëm të qëndrimit, vetë Zelensky e pranoi kohët e fundit se Ukraina nuk mundet të rimarrë territoret e humbura përmes mjeteve ushtarake.

Madje ai tha se është gati të lëshojë një pjesë të territorit, në këmbim të mbrojtjes nga NATO. Vetë fakti që kanë nisur negociatat, është një zhvillim i mirëpritur në një luftë që ka shkaktuar tashmë një gjakderdhje të madhe, dhe që ka sjellë ndryshime shumë të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike.

Por pavarësisht se bëri pretendime të guximshme gjatë fushatës zgjedhore se do t’i japë fund luftës “për 24 orë”, zgjidhja e konfliktit ka të ngjarë të jetë shumë më sfiduese, siç po e pranon tani vetë Trump.

Pengesa kryesore, ka të bëjë me faktin se nxitja e pamëshirshme e Perëndimit për një fitore të pamundur të Ukrainës ndaj një kundërshtari shumë më të fortë, e ka forcuar shumë pozitën e Rusisë.

Duke refuzuar mundësitë e mëparshme për negociata - kur Kievi ishte në një pozicion më të fortë - udhëheqësit perëndimorë e kanë lejuar Rusinë të konsolidojë arritjet e saj ushtarake, duke bërë që Putin të ketë sot pak motivim për të pranuar kompromise.

Për këtë arsye, besimi se Perëndimi mund të arrijë në tryezën e negociatave atë që nuk arriti ta sigurojë në fushën e betejës, është siç e ka argumentuar analisti politik realist John Mearsheimer, një iluzion i rrezikshëm.

”Që të fitosh në tryezën e bisedimeve, duhet më parë të fitosh në fushën e betejës, dhe janë rusët ata që po e bëjnë këtë”- thekson ai. Këtë gjë e ka nënvizuar vetë Putin në konferencën e tij të fundvitit: “Ushtria ruse po përparon përgjatë gjithë vijës së frontit… Ne po shkojmë drejt arritjes së objektivave kryesore që kemi vendosur që në fillim të operacionit ushtarak”.

Ukraina dhe Perëndimi përballen me një vendim të vështirë: ose të pranojnë kushtet e Putinit, ose të durojnë vazhdimin e luftës, e cila do ta dobësojë më tej pozitën e Ukrainës (dhe do të shkaktojë humbje të panumërta jetësh njerëzore, në këmbim të asnjë objektivi madhor të arritshëm).

Kushtet e Putinit për të bërë paqe janë të paqarta: njohje e ligjshme nga Ukraina dhe Perëndimi i territoreve të aneksuara të Rusisë - Krimea, Sevastopol, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia - si pjesë e Federatës Ruse; tërheqja e plotë e Ukrainës nga territoret e kontestuara; heqjen dorë nga aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe miratimin e statusit neutral, të paangazhuar, shoqëruar me demilitarizimin, në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë.

Këto kërkesa e bëjnë të pambështetur kompromisin që propozon Zelensky: lëshimin e territorit tashmë të pushtuar në këmbim të anëtarësimit të pjesës tjetër të vendit në NATO. Parandalimi i anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, ishte tek e fundit arsyeja kryesore e operacionit ushtarak të Rusisë.

Dhe Trump duket se e kupton këtë. Raporte të ndryshme tregojnë se ekipi i tij po shqyrton shtyrjen me të paktën 20 vjet të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ndoshta në këmbim të furnizimeve të vazhdueshme me armë nga Perëndimi.

Deklaratat e zëvendësit të tij, J.D.Vance, tregojnë se Trump mund të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga rajonet e kontrolluara nga Rusia, duke rënë dakord për krijimin e një zone të çmilitarizuar. Nuk ka dyshim se disa fraksione do t’i cilësojnë këto terma si një kapitullim të papranueshëm.

Gjithsesi, realiteti është se pranimi i një marrëveshje tani, është alternativa më e mirë e Ukrainës. Të gjitha të dhënat në terren, sugjerojnë se sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më keq do të bëhet pozita e Ukrainës.

Perëndimi mban shumë përgjegjësi për shpërdorimin e mundësive të mëparshme për arritjen e paqes, kur kërkesat e Rusisë ishin shumë më pak të rënda. Por këmbëngulja e Zelenskyt për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, e përjashton në thelb çdo mundësi për fillimin e negociatave.

Trump mund ta anashkalojë këtë problem, duke e përjashtuar Ukrainën nga raundet e para të bisedimeve të paqes, si dhe duke e detyruar Ukrainën të përballet me realitetin, duke e pakësuar ndihmën ushtarake për të.

Megjithatë, problemi i vërtetë do të jetë shitja e një marrëveshjeje sipas kushteve të Rusisë brenda SHBA-së, ku ajo ka të ngjarë të përballet me një reagim të fortë kundërshtues nga establishmenti pro luftës, përfshirë neo-konservatorët në partinë e tij.

Ata do të përpiqen ta përdorin sloganin e Trump  “Amerika e Para” si një armë kundër tij duke pretenduar- siç kanë nisur tashmë - se ky do të ishte një “poshtërim” për SHBA-në. Edhe vizioni i Trump për një “zgjidhje të shpejtë” në formën e një armëpushimi, në pritje të një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse, nuk ka gjasa të ketë sukses.

Putin beson se një armëpushim i gjatë, do t’i jepte mundësi Ukrainës të riarmatosej dhe të përgatitej për një kundërsulm të ri. Mosbesimi i tij i ka rrënjët në perceptimin e tij për Marrëveshjet e Minskut si një “dredhi perëndimore”, për t’i blerë kohë Ukrainës që të synonte një zgjidhje ushtarake të mosmarrëveshjes.

Pra sfida më e madhe ka të bëjë me zbutjen e mosbesimit të thellë që ekziston midis Rusisë dhe Perëndimit. Dhe kjo kërkon një ndryshim themelor në qasjen e Perëndimit: braktisjen e përpjekjeve të saj (të dështuara) për të izoluar dhe dobësuar Rusinë dhe hedhjen e hapave të vërtetë për të adresuar shqetësimet e sigurisë që ka Moska.

Por asnjë udhëheqës perëndimor - përfshirë Donald Trump - nuk duket i përgatitur që ta hedhë këtë hap. Dhe emërimet e Trump në politikën e jashtme e përforcojnë këtë pikëpamje. Për shembull, Keith Kellogg, i dërguari i tij i posaçëm në Ukrainë, ishte bashkautor i një raporti në fillim të këtij viti.

Ai argumenton aty, se është në interesin e Amerikës të sigurojë një “Rusi të mposhtur dhe të zvogëluar”, dhe se administrata e ardhshme Trump duhet të vazhdojë ta armatosë Ukrainën dhe të mos i kërkojë Kievit të heqë dorë nga synimi për të rifituar të gjithë territorin e saj.

Ndërsa Kellogg mund të ketë ndryshuar mendje gjatë muajve të fundit, ky mentalitet nuk ka gjasa të lehtësojë rivlerësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilën Putin i sheh si thelbësore për paqen.

Ndërkohë, një pengesë të madhe paraqet edhe Evropa. Udhëheqësit e saj kanë treguar pak prirje drejt diplomacisë, madje disa kundërshtojnë vazhdimisht propozimet e Trump. Kaja Kallas, shefja e re e politikës së jashtme të BE-së, hodhi poshtë kohët e fundit idenë për t’i bërë presion Zelenskyt në bisedimet e paqes, duke pretenduar se Putini nuk është i gatshëm të negociojë.

Ndërkohë, Këshilli Evropian sapo ka miratuar një paketë të re sanksionesh, që zotohet se “Rusia nuk duhet të mbizotërojë në këtë luftë” dhe rikonfirmon “angazhimin e palëkundur të BE-së për të ofruar mbështetje të vazhdueshme politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për Ukrainën dhe popullin e saj për aq kohë dhe aq intensivisht sa duhet”.

Kjo vjen pas një rezolute edhe më të ashpër të Parlamentit Evropian, që në thelb bën thirrje për një luftë totale kundër Rusisë ose për nisjen e Luftës së Tretë Botërore.

Interesat ekonomike dhe të sigurisë së Evropës, kërkojnë përfundimin e luftës dhe ri-normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, Ky qëndrim që gëzon mbështetje në rritje midis qytetarëve evropianë.

Prandaj për Donald Trump, sfida do të jetë e dyfishtë: tejkalimi i rezistencës së brendshme ndaj koncesioneve, dhe ecja përpara në fushën e minuar gjeopolitike të interesave konkurruese.

trump lufta në ukrainë

Lini një Përgjigje