Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga Interpoli ka çuar në arrestimin e rreth 5,800 personave dhe sekuestrimin e afro 300 milionë dollarëve asete të paligjshme, në kuadër të luftës kundër rrjeteve të mashtrimit online.
Operacioni “First Light 2026”, i zhvilluar nga janari deri në prill me pjesëmarrjen e autoriteteve policore nga 97 vende, synoi grupet kriminale që përdorin manipulimin psikologjik për të mashtruar viktimat dhe për të marrë para ose të dhëna konfidenciale.
Sipas Interpolit, autoritetet identifikuan rreth 142 mijë viktima të prekura nga skema të ndryshme mashtrimi, përfshirë shantazhin seksual, mashtrimet me investime, vjedhjen e identitetit, mashtrimet emocionale online dhe përvetësimin e e-maileve të biznesit.

Organizata ndërkombëtare e policisë kriminale theksoi se këto forma mashtrimi janë kthyer në një kërcënim të madh global për individët, kompanitë dhe institucionet publike.
Gjatë operacionit u goditën disa rrjete kriminale në vende të ndryshme. Në Eswatini (Afrikë) autoritetet arrestuan 82 persona dhe çmontuan një grup të përfshirë në lojëra të paligjshme online dhe pastrim parash përmes skemave të vjedhjes së identitetit.
Në një rast tjetër, mashtruesit krijuan një kopje të rreme të një stacioni policie braziliane dhe, duke u paraqitur si zyrtarë të policisë gjatë video-thirrjeve, bindën viktimat të transferonin para për gjoja “mbrojtje” nga një krim i rremë.

Hetimet zbuluan gjithashtu raste të mashtrimeve ndaj kompanive ndërkombëtare dhe individëve. Në Singapor, një kompani tregtare u vu në shënjestër nga persona që u paraqitën si furnizues të rremë, ndërsa në Makao u arrestuan persona që hiqeshin si zyrtarë publikë dhe tentuan të përfitonin rreth 372 mijë dollarë nga një viktimë.

Interpoli paralajmëroi se rritja e mashtrimeve të bazuara në manipulimin psikologjik kërkon bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të ndaluar rrjetet kriminale që veprojnë përtej kufijve.
Lini një Përgjigje