Marshimi i 30-të i protestës para Kryeministrisë ka nisur, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ka nisur marshimi i 30-të i protestës para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku dhjetëra qytetarë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Protestuesit marshuan me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshime politike. Ata shprehën pakënaqësinë për situatën ekonomike, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes, duke kërkuar që kryeministri të japë dorëheqjen.
Gjatë protestës, organizatorët deklaruan se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa theksuan se qëllimi i tyre është të ushtrojnë presion qytetar ndaj institucioneve.
Gjatë marshimit, aktivisti Arben Kola u ndal te pjesëmarrja e përfaqësuesve ndërkombëtarë në protestë, duke bërë të ditur se në tubimin e kësaj të hëne ishin të pranishëm katër eurodeputetë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
“Edhe për fjalimet kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi do të kemi edhe katër eurodeputetë që janë shtuar. Ata vijnë nga Holanda, Gjermania dhe Italia. Në të ardhmen do të kemi edhe senatorë dhe kongresmenë amerikanë”, tha Kola.
Më tej, ai deklaroi se çdo mbështetje ndërkombëtare që, sipas tij, do të kontribuonte në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë ishte e mirëpritur.
“Sot, edhe për fjalimet kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi do të kemi edhe katër eurodeputetë që janë shtuar. Ata vijnë nga Holanda, Gjermania dhe Italia. Në të ardhmen do të kemi edhe senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Kështu që kushdo që kontribuon për heqjen e Edi Ramës dhe të qeverisë së narkoshtetit është i mirëpritur. Dorëheqje!”, tha ai.
Lini një Përgjigje