
Agjencia parashikon rritje ekonomike mbi 3.5% dhe ulje graduale të borxhit publik në vitet e ardhshme
Moody’s Ratings ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në nivelin “Ba3” me perspektivë të qëndrueshme. Vendimi vjen pas rishikimit periodik të agjencisë të kryer më 5 mars 2026.
Agjencia vlerëson se ekonomia shqiptare ruan stabilitet dhe parashikon rritje të Produktit të Brendshëm Bruto me 3.6% në vitin 2025 dhe 3.5% në vitin 2026.
Sipas vlerësimit të Moody’s, këtë ecuri do ta mbështesin kryesisht turizmi, fluksi i investimeve të huaja direkte dhe rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës. Investimet pritet të përqendrohen veçanërisht në sektorët e energjisë dhe turizmit.
Në analizën fiskale, Moody’s vëren se zbatimi i buxhetit gjatë vitit 2025 ka mbetur i kujdesshëm. Agjencia vlerëson se deficiti arriti në 1.8% të PBB-së në vitin 2025, nga 0.7% në vitin 2024. Megjithatë, niveli i deficitit mbetet nën objektivin qeveritar prej 2.4%.
Moody’s parashikon gjithashtu ulje të lehtë të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së në vitet në vijim. Sipas projeksionit të agjencisë, borxhi mund të arrijë rreth 51% të PBB-së në vitin 2027, nga 52.6% që vlerësohet për vitin 2025. Ky zhvillim lidhet me rritjen ekonomike dhe me ruajtjen e një bilanci primar fiskal të balancuar ose lehtësisht pozitiv.
Në horizontin tre deri në pesë vjet, Moody’s pret vazhdim të uljes graduale të borxhit publik nëse qeveria ruan politikën fiskale të kujdesshme.
Perspektiva e qëndrueshme reflekton vlerësimin e agjencisë se faktorët pozitivë dhe rreziqet për vlerësimin “Ba3” mbeten të balancuara. Moody’s pret që reformat e lidhura me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vazhdojnë me ritëm gradual dhe që rreziqet e likuiditetit për qeverinë dhe sektorin bankar të mbeten të kontrolluara.
Rikonfirmimi i vlerësimit tregon vazhdimësi të stabilitetit makroekonomik dhe të politikave fiskale në vend.
Lini një Përgjigje