TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi21 Qershor 2023, 19:01

FMN “goditje” qeverisë për rritjen e pagave: Nxit inflacion, rrezikohet konsolidimi fiskal

Shkruar nga Pamfleti
FMN “goditje” qeverisë për rritjen e pagave: Nxit
Foto nga takimi i ministres Ibrahimaj me shefen e FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë për rritjen e pagave. Ekzekutivi rriti ndjeshëm rrogat për deputetët, ministrat por dhe për administratën. Por për ekspertët e FMN, kjo mund të rrënojë ekonominë e vendit.

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Znj. Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare. FMN ka dalë me një deklaratë mbi vizitën e saj.

FMN thekson se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik rrezikon rritjen e inflacionit.

Ne mbështesim angazhimin e autoriteteve për arritjen e një balance primare jonegative në vitin 2023, një vit përpara afatit të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit (LOB). Synimi drejt një teprice primare prej 1.5 për qind në vitin 2024 do të ndihmojë për rikrijimin e shpejtë të hapësirave fiskale dhe për të garantuar rezistencë ndaj goditjeve të ardhshme. Kjo qasje do të ulë edhe presionet inflacioniste. Theksojmë se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal”, thekson FMN.

Në raport bëhet me dije se këtë vit, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar, rreth 3 për qind, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare.

Parashikimi kushtëzohet nga një pasiguri e madhe. Rritja ekonomike e partnerëve tregtarë më e ngadaltë se pritshmëritë mund të ndikojë eksportet dhe rritjen ekonomike në Shqipëri. Inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke ndikuar edhe në pagat e sektorit privat. Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm, si faktor në prodhimin e energjisë elektrike, mund të sjellin një përsëritje të goditjeve të ofertës. Nga ana tjetër, ekonomia mund të jetë përsëri më e qëndrueshme se pritshmëritë, falë ecurisë së fortë në turizëm”, thekson FMN.

Po ashtu kërkohet një reformë rrënjësore në sistemin e Tatimeve.  FMN inkurajojn monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, rrezikut të kursit të këmbimit dhe atij të normave të interesit.

Strategjia afatmesme e të ardhurave duhet të ankorojë një konsolidim fiskal të besueshëm dhe agjendën e reformave në fushën e tatimeve. Ne mbështesim ligjin “Për të ardhurat” miratuar së fundmi, i cili pritet të zgjerojë bazën tatimore. Zbatimi në kohë i masave të tjera të planifikuara për rritjen e të ardhurave tatimore është po ashtu me rëndësi. Reforma të tjera për administrimin e të ardhurave, përfshirë rritjen e pajtueshmërisë së individëve të pasur, plotësojnë përpjekjet e politikave tatimore. Përparimi i vazhdueshëm i reformave strukturore fiskale do të forcojë menaxhimin e financave, investimet dhe monitorimin e rrezikut”, thuhet në raport.

fmn qeveria pagat

Lini një Përgjigje