TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi21 Qershor 2024, 10:33

Eksodi i madh i milionerëve, cilat janë destinacionet më të njohura

Shkruar nga Alessia Conzonato

 Eksodi i madh i milionerëve, cilat janë destinacionet më të

 Në vitin 2022, ishin 88 mijë milionerët në botë që vendosën të migrojnë bashkë me pasuritë e tyre në një vend tjetër. Në vitin 2023, shifra u rrit në rreth 120 mijë, duke shënuar një rekord. Ndërsa ky vit mendohet se mund ta thyejë atë, duke arritur në 128 mijë milionerë emigrantë.

Të dhënat vijnë nga analiza vjetore e “Henley & Partners”, një kompani konsulence e fokusuar në migrimin e investimeve. “Në shumë aspekte, ky migrim është një tregues i rëndësishëm, pasi sinjalizon një ndryshim të thellë në peizazhin global dhe në ‘pllakat tektonike’ të pasurisë dhe pushtetit, gjë që sjell pasoja të mëdha për trajektoren e ardhshme të kombeve që ata lënë pas apo të atyre që do të bëhen shtëpia e tyre e re”- thotë Dominic Volek, kreu i grupit të klientëve privatë në këtë kompani.

Australia duket se është rikthyer ndër destinacionet e para të zgjedhura nga të pasurit, ndërsa vendi më i braktisur prej kësaj kategorie - duke ia kaluar edhe Rusisë, e cila mbante rekordin negativ që nga shpërthimi i luftës me Ukrainën - është Kina, me 15.200 njerëz që pritet të migrojnë brenda këtij viti, e ndjekur nga Britania e Madhe me 9500. Por le të shohim në detaje se cilat vende janë braktisur, destinacionet ku shkojnë milionerët në mbarë botën, dhe arsyet që i shtyjnë ata drejt transferimeve të tilla.

Kina, Britania dhe India: Tre vendet kryesore të braktisura nga milionerët

Projeksionet e “Henley & Partners”, e identifikojnë Kinën si vendin kryesor që humb nga ky eksod i madh. Vitin e kaluar, vendi komunist humbi 13.800 milionerë (quhen individët me një pasuri prej mbi 1 milion dollarë ose më shumë).

India, që vitin e kaluar u rendit e dyta pas Kinës, këtë vit do t’ia lërë vendin Mbretërisë së Bashkuar, e cila pritet të humbasë 9500 milionerë. Ndërkohë e pozicionuar në vendin e tretë, pra, India do të përjetojë largimin e 4.300 milionerëve (më pak krahasuar me 5.100 në vitin 2023).

Arsyet e migrimit

Ato janë të ndryshme. Për shembull, në lidhje me Kinën, analistët shkruajnë se shkaku kryesor është pasiguria mbi trajektoren ekonomike të vendit si dhe tensionet gjeopolitike. Nga ana tjetër, ata që po ikin nga Britania, e bëjnë këtë për shkak të taksave të larta.

Që nga viti 2017, kur nisi të zbatohej Brexit, rreth 16.000 milionerë janë larguar nga territori britanik, dhe në prag të zgjedhjet parlamentare të 4 korrikut dhe fitores së mundshme të Partisë Laburiste sipas shumë sondazheve, rritja e taksave për të pasurit, do të jetë një pikë gjithnjë e më konkrete në agjendën politike.

Milionerët po ikin edhe nga Rusia dhe Koreja e Jugut

Në listën e vendeve të braktisura nga milionerët pasojnë Rusia dhe Koreja e Jugut, përkatësisht me respektivisht 1.000 dhe 1.200 individë, që mund të shpërngulen diku tjetër brenda këtij viti. Për sa i përket shifrës së parë, analistët saktësuan se ngadalësimi i eksodit të madh nga Moska, ka të bëjë me një stabilizim të situatës, pas një eksodi të madh në vitin 2022 (8500) dhe 2023 për shkak të pasojave të luftës në Ukrainë.

Në fakt, janë të shumtë milionerët që kanë vendosur të largohen nga Federata Ruse, për të shmangur sanksionet ekonomike të vendosura ndaj të pasurve. Ndërkohë, të dhënat që vijnë nga Koreja e Jugut, janë në përputhje me një prirje që është vënë re edhe gjatë viteve të mëparshme.

Emiratet e Bashkuara Arabe (sidomos Dubai) mbetet destinacioni më popullor

Atëherë, ku po shkojnë milionerët e botës? Ndër destinacionet e preferuara për këtë vit, “Henley & Partners” rendit në krye Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat do të tërheqin 6700 milionerë të rinj deri në fund të këtij viti. Kjo shifër është rritur që nga viti 2023, kur numri i të transferuarve ishte 4500, sërish një nga më të lartët të regjistruar ndonjëherë.

Analistët shpjegojnë se para pandemisë, mbërritjet në këtë vend ishin rreth 1.000 milionerë në vit. Që nga viti i kaluar, shumica e tyre vijnë nga Kina, Rusia, Britania e Madhe, India, por edhe Afrika e Jugut dhe Lindja e Mesme. Njerëz të pasur, të cilët janë të përqendruar kryesisht në Dubai.

Më pas vijnë Shtetet e Bashkuara dhe Singapori

Në vendin e dytë midis destinacioneve të preferuara janë ende Shtetet e Bashkuara. Në dekadën e fundit, popullata e milionerëve është rritur me 62 për qind. Në vitin 2024, vlerësohet se duhet të shtohet me 3800 të rinj, por s’mund të përjashtohet që edhe në këtë rast zgjedhjet presidenciale dhe paqëndrueshmëria politike - edhe për shkak të marrëdhënieve me Izraelin në luftën me Hamasin në Rripin e Gazës - mund të ndikojnë tek shifrat gjatë muajve.

Vendi i tretë i përket qytet-shtetit të Azisë juglindore, Singaporit. Në fund të vitit aktual, mund të shtohet me 3500 milionerë të tjerë. Arsyet janë kryesisht ekonomia shumë e fortë dhe standardi i lartë i jetesës. Analistët parashikojnë se kjo tendencë jo vetëm që do të vazhdojë, por do të ketë rritje të dukshme gjatë viteve të ardhshme.

Kanadaja dhe Australia tërheqin të pasurit (por me një rënie të lehtë)

Listën e ndjek Kanadaja, me rreth 3.200 mbërritje të reja këtë vit, dhe Australia, ku pritet të zhvendosen 2.500 milionerë. E para e konfirmon veten si një destinacion shumë popullor për emigrantët e pasur, veçanërisht të ardhur nga Evropa dhe Azia. Popullsia milionere e Kanadasë, është rritur me 29 për qind gjatë dekadës së fundit.

Australia është konsideruar gjithmonë si një destinacion i përshtatshëm për njerëzit e pasur, por kohët e fundit kjo popullatë ka pësuar rënie. Për shembull gjatë viteve 2010, nga vendi janë larguar çdo vit mbi 5.000 milionerë. Ndër vendet e preferuara, Italia renditet në vendin e gjashtë (+2.200 këtë vit), e ndjekur nga Zvicra (+1.500), Greqia (+1.200) dhe Portugalia (+800). Që të gjitha destinacionet evropiane, kanë hyrë në 10-shen e parë që pas fillimi i pandemisë së Covid-19./Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”

Lini një Përgjigje