
Bordi i Transparencës ka ulur me 3 lekë çmimin e naftës dhe me 1 lekë çmimin e benzinës.
Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve në vend, duke ulur çmimin e naftës dhe të benzinës.
Sipas vendimit më të fundit, nafta do të shitet me 202 lekë për litër, duke pësuar një ulje prej 3 lekësh krahasuar me një ditë më parë, kur tregtohej me 205 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me 188 lekë për litër, një lek më pak se çmimi i mëparshëm prej 189 lekësh për litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot, më datë 20, nga ora 18:20 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Njoftimi i plotë i Bordit:
Bordi i Transparencës në datë 20 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 202 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 190 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 188 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 176 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 20 ora 18.20 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Lini një Përgjigje