Banka shtetërore turke merr miratimin përfundimtar nga Banka e Shqipërisë, duke forcuar praninë financiare të Ankarasë në sektorin bankar shqiptar
Tregut bankar shqiptar pritet t’i shtohet një tjetër aktor me kapital turk. Banka e Shqipërisë ka miratuar licencimin e degës së bankës shtetërore turke “Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”, duke i hapur rrugë nisjes së aktivitetit të saj në vend.
Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 6 maj 2026, ndërsa u bë publik vetëm sot. Më herët, në gusht të vitit 2025, institucioni kishte dhënë miratimin paraprak për licencim.
Ziraat Bank do të bëhet banka e dytë me kapital tërësisht turk që operon në Shqipëri, pas Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).
Hyrja e Ziraat shihet si një tjetër hap në zgjerimin e ndikimit ekonomik dhe financiar të Turqisë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përmes dy institucioneve të mëdha bankare me kapital turk, Ankaraja konsolidon praninë e saj në një sektor strategjik si ai bankar, me ndikim të drejtpërdrejtë në kreditim, depozita dhe financimin e biznesit.
Ziraat Bank është banka më e madhe shtetërore në Turqi dhe një nga institucionet financiare më të mëdha në rajon. E themeluar në vitin 1863, fillimisht si fond për financimin e bujqësisë gjatë periudhës osmane, ajo operon sot në dhjetëra shtete dhe zotëron asete që tejkalojnë 200 miliardë dollarë në nivel grupi.
Sipas të dhënave zyrtare, 100% e aksioneve të bankës zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, një fond publik në pronësi të shtetit turk. Në tregun vendas turk, Ziraat ka një rol dominant në kreditë për strehim dhe në financimin e tregtisë së jashtme.
Aktualisht, banka operon në 22 vende të botës, përfshirë Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Gjermaninë, Greqinë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa ka zgjeruar vazhdimisht aktivitetin e saj në Ballkan.
Sipas legjislacionit shqiptar, licencimi i një banke të huaj kalon në dy faza: miratimin paraprak dhe licencën përfundimtare. Gjatë periudhës 12-mujore pas miratimit paraprak, subjekti duhet të plotësojë kushtet teknike, organizative dhe financiare për nisjen e aktivitetit, përfshirë kapitalin, stafin dhe infrastrukturën operative.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se dega shqiptare e Ziraat do të ushtrojë veprimtari bankare dhe financiare në përputhje me kushtet e licencës së miratuar.
Licencimi i Ziraat Bank vjen vetëm pak muaj pas hyrjes së “Bankës Jet” në tregun shqiptar, duke sinjalizuar një fazë të re lëvizjesh në sektorin bankar, i cili vitet e fundit ka njohur konsolidim, por edhe interes të shtuar nga kapitali i huaj. /Pamfleti
Sot per sot ne vedndin tone BKT Bank eshte grupi financiare me i konsoliduar dhe me serioz ne treg.Grupi Zirat Bank do ta perforcoje me teper kete opinion per bankat me kapital turk , aq me teper qe ka kapital shtetrore.
Gezuar! Autoriteti i Konkurrencës NUK po funksionon. Me 2.83 milionë banorë, një Oligopoly masiv është krijuar nga dora e shtetit. Tani, Ziraat blen BKT-në, ose një bankë tjetër duhet ta blejë BKT-në. Përndryshe, 70% e tregjeve financiare do të kontrollohen nga një oligopol turk! 30% do të ndahet nga 15/16 banka dhe "banka informale". A është kjo konkurrenca që mund të ofrojmë në këtë treg shumë të rregulluar? Ky do të jetë një mesazh negativ për investitorët e huaj të biznesit dhe reforma në drejtësi do të braktiset, ndërsa korrupsioni nuk do të ulet. Kjo është "të qëllosh këmbën" direkt dhe e rrezikshme! Largohuni dhe tani.
Amund te hetohete banka turje bullgare hunfare bullgare wipro ruse rumune