
Bordi i Transparencës ka rritur sërish çmimet e karburanteve në Shqipëri, duke e çuar naftën në 202 lekë/litër dhe benzinën në 188 lekë/litër, vetëm një ditë pas uljes së tyre.
Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve në vend, duke sjellë sërish rritje të çmimit të naftës dhe benzinës. Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme në orën 13:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Sipas vendimit të fundit, nafta do të tregtohet me 202 lekë për litër, duke shënuar një rritje prej 4 lekësh krahasuar me çmimin e mëparshëm. Ndërkohë, benzina është caktuar në 188 lekë për litër, ose 3 lekë më shumë nga vendimi i fundit.
Rritja vjen vetëm një ditë pasi çmimet pëesuan një ulje të lehtë, ku nafta ishte ulur me 3 lekë dhe benzina me 2 lekë për litër.
Në njoftimin zyrtar, Bordi bëri me dije se çmimi me shumicë për gazoilin nuk duhet të kalojë 190 lekë/litër, ndërsa për benzinën 176 lekë/litër. Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregut se moszbatimi i çmimeve të vendosura do të sjellë masa deri në pezullim aktiviteti.
"Bordi i Transparencës në datë 16 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 202 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 190 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 188 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 176 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 16 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%", thuhet në njoftimin e Bordit.
Lini një Përgjigje