TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Gusht 2023, 09:57

Si po kthehet SPAK-u në seli të Socialistëve

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Si po kthehet SPAK-u në seli të Socialistëve
Qeveria "Rama I"

Lëngata i ka vënë teposhtë banditët, por këtij të parit, më të gjatit, po ia masakrojnë “ushtrinë” përpara syve...

SPAK-u, shihet me inat nga shqiptarët, ‘përdredh’ më të dobëtit; shqiptarët shihen me sy të keq nga Babloku, nuk po durojnë më të rrjepën nga të fortët; të fuqishmit ndihen të fyer nga SPAK-u, nuk kanë vullnet të dorëzojnë gjënë e vjedhur.

Spak-xhinjtë janë dashuruar me ca vila, pasuri e frikë, hajdutët me fondet publike, arrogancën, karriget dhe karagjozllëkun.

Politika e babëzisë, pasi ka bërë pis buzët, kostumet, muret e pushtetit, oborret dhe gardhiqet e shtetit, ka qelbur edhe “gardërobën” ku varen rrobat e shtrenjta dhe maskat e karikaturave të karnavaleve.

Ministrat, mafiozët, deputetët, hajdutët, krye bashkiakët, kriminelët, zyrtarët dhe zullumqarët që vrasin njerëz të pafajshëm më lehtësisht se pulat, janë të dënuar të mos i ndërlikojnë edhe më keq dëshmitë manipuluese të kryebanditit të shtetit për afera korruptive me inceneratorët e plehrave, investitorët strategjikë, naftën dhe namin e zi që do të zbardhet, sapo faqezinjtë të mos i shohim nëpër selitë e partive politike.

Për fat, edhe selia e Partisë shtet, ka ngelur shkretë.

Të shkretë, vetmitarë, veç dy persona futen e dalin pa u fërshëllyer në selinë e Partisë Socialiste; ish zv/kryeministri Erion Braçe dhe ish ministrja e bujqësisë Milva Ikonomi. Këta sikur nuk kishin dorë të keqe, se ende deri sot askush nuk ka dalë të thotë, i pashë me sy duke vjedhur. Të tjerët, gjithë kurba e PS-së, përleshet dhe po lë leshtë dyerve të SPAK-ut, sa kanë harruar për ç’farë e marrin rrogën dhe ku e ka selinë Partia Socialiste.

Selia dhe Partia kanë marrë pamjen e Bablokut.

Edhe babaxhanin e kanë braktisur gjithë perëndimorët, si Saliun dhe Ilirin.

I plotfuqishmi i fshatit, ngjan me një truprojë që mbron gënjeshtrat nga të vërtetat, antiamerikanët nga akuzat, numëron me dhimbje robërit e vet që janë vënë në rresht pas prokurorëve dhe para amerikanëve, mallkon fundin zi dhe paguan ende nga taksat tona për këshilla me Fondacionin Soros.

As Sorosi, as paratë e mafies, as absurditeti përçmues, as simbolet manipuluese, nuk e zbehin dot konfrontimin epik të dialogut të ndyrë me dializën dhe check up-in e multimilonerit Ilir Beqja, që ka mbetur në derë burgut, ku nga njëri krah e tërheq SPAK-u, e nga tjetri Babloku.

Edhe tërheqjet edhe shtyrjet, përfund, kanë fund.

U fundosën edhe PD-ja, edhe LSI-ja, edhe Partia e Lirisë, prandaj nuk kishte si ndodh ndryshe as me socialistët. Sot partia që blen vota aq sa i nevojiten, është karikatura e një piktori të dobët, organizata antiamerikane e opozitës ka grabitur një foltore e grin sallatë ruse 24 orë në 24.

Lëngata i ka vënë teposhtë banditët, por këtij të parit, më të gjatit, po ia masakrojnë “ushtrinë” përpara syve. Bablokut i ka ikur keq timoni, ka mbetur fillikat sa sot e gjithë partia vrapon pas prokurorëve dhe SPAK-u është kthyer në Seli të PS-së!/Pamfleti

spak selia e socialistëve

Lini një Përgjigje

Editorial