TAGS-AT E JAVËS

Editorial 4 Korrik 2023, 13:13

Restaurimi i enverizmit si një kopje surrogato

Shkruar nga Pamfleti
Restaurimi i enverizmit si një kopje surrogato
Piramida

Surrogatët e Enverit i ke kudo, nipat e Hysniut janë ambasadorë e analistë, mbesa e Beqir Ballukut Zv.kryeministre, e djali i Sekretarit të Parë, kundërshtar i qeverisë. A ka ide tjetër ky vend, ndryshe nga logjika e bllokut, që për fat keq është edhe koncepti më shik i Tiranës së sotme, që sjell mërzi, drogë, e budallallik pa fund?

Propaganda e Edi Ramës, nuk ka asgjë më të mirë përveç lajle- luleve të teknologjisë së re.

Dekoret dhe grafikat e parrullave të diktaturës nganjëherë ishin më moderne e sillnin risi. Shpesh, kjo propagandë bajate bazohet në përsëritjen torturuese të tezave e fjalëve. Mjaft të shikosh, kontekstin e këtyre ditëve ku aktualiteti nuk se dha ndonjë gjë të re, e “videoja borgjezo-revizioniste” e Safetit u vjetërua.

Festivali i Gjirokastrës, u kthye në një ‘cover’ të PR të qeverisë për punën e saj, kur realisht në skenën e garës folklorike, edhe pse kishte grupe nga të gjitha trevat, nuk se kishte ndonjë krijim të ri etno-muzikal, apo një sjellje të padëgjuar më parë.

Enver Hoxha investoi shumë te Festivali i Gjirokastrës, për të ilustruar tezën e Kongresit të 7 të PPSH: “Ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Ku në të vërtetë ai regjim investoi shumë në folklor e etnologji, ç’ka është një zhvillim pozitiv e këtë e pranojnë edhe kundërshtarë të diktaturës, duke nisur nga prof. Ramadan Sokoli që punoi fort për eventet e mëdha.

Por sjellja sot e kësaj ideje, si një “new deal” i shqiptarëve është thjesht për të mbajtur me gajret pensionistët nostalgjikë që facebook-un nuk e ndajnë, si pasojë e vetmisë, të shkaktuar nga largimi i fëmijëve në emigracion.

E tjetra, në këtë linjë ishte edhe më tragji-komike, risjellja 2.0 e festës së grurit në Myzeqe nëpërmjet postimeve të Ramës e Taos, postime që shoqëroheshin me këngën e Fatma Zyberit: “Oj erdhi bilbili, oj erdhi në lëmë, tak ma bëri zemra, kur dëgjova zënë. Festa e grurit është festa e bilbilit”.

Ndërkaq nga ana tjetër, nga e djathta e kësaj qeverie të fiksuar me parullat që Ylljet Aliçka i ka sjellë bukur në parodinë e tij që u bë edhe film nga i ndjeri Gjergj Xhuvani, është edhe më rëndë.

Personazhi kyç mbetet ish-mjeku i Hysniut, për të cilin tërbaçioti thurte bejte nga mërzia në shtrat, shkaktuar nga sëmundja e rëndë e kancerit. Sali Berisha, i cili fotot me Enverin, djemtë e tij, Hysniun, Simon Stefanin e Hekuranin etj, i ka në ajkën e albumeve të jetës së tij.

Nga ana tjetër, rivali i njeriut të fotove të Enverit, është Luli, politikani që i ngjan tëpkë dikatatorit të Palortosë kur ishte i ri. E që ka ushqyer legjendat se është i biri i tij apo i biri i të birit, si konspiracionet që i ndjeri Kaç Myftari hapte për Edi Ramën si nip i Mbretit apo Lali Erit si çun i Ahmedinexhatit.

Po mirë, nuk paska Shqipëria narracion tjetër paralel veç Enverit e surrogatëve të tij?

Nuk ka një histori ndryshe të një Shqipërie të mijëvjeçarit të ri, të personazheve të freskëta që historia i sjell duke i përballur me zhvillimet botërore?

E themi pse të rinjtë nuk ja fikshkëllejnë fare as politikës e as opinionit mediatik. Normal, të rinjve çdo gjë i duket si ‘ufo’. Ata çdo gjë e shohin me botën e zhvilluar e nuk shohin as lajme, as parlament, e fatkeqësisht as nuk votojnë.

Si mund të votojnë, kur surrogatët e Enverit i ke kudo, nipat e Hysniut janë ambasadorë e analistë, mbesa e Beqir Ballukut Zv.kryeministre, e djali i Sekretarit të Parë, kundërshtar i qeverisë.

A ka ide tjetër ky vend, ndryshe nga logjika e bllokut, që për fat keq është edhe koncepti më shik i Tiranës së sotme, që sjell mërzi, drogë, e budallallik pa fund?

Qoftë edhe duke nisur nga historia, kultura, letërsia, muzika e kinematografia.

Njerëzit nuk ikin thjesht për rrogë, por Shqipëria e pas 90 nuk ka ndryshuar, nuk e ka përmbysur atë, por thjesht e ka restauruar. Siç bëri Napoloni III me gjyshin e tij, por që në fakt e la një gjurmë të madhe, ndërtoi Parisin e sotëm që është qyteti më i vizituar i botës.

E këtu, ide tjetër veç restaurimit të Piramidës së Klementit të ndjerë e Pranverës që e dizenjoi për babain, nuk ka.

E themi pse Rrezarta Shkurta ndiqet më shumë në rrjete? Se është gruaja e Ermalit, i cili konkurron më Lulin, kush i ngjan më shumë gjyshit. Eh, pikë e zezë, ishim më mirë me Enverin sesa me kopjet e shëmtuara të tij.

Të paktën dëgjonim Sali Manin, Lefter Çipën e Frrok Haxhinë. E natyrisht Pal Vatën e barsaletat që dolën për Shkurten e shkretë, por që shtynim komunizmin me pak ‘electric blu’. Por kjo e sotmja nuk shtyhet as me vaj e as me ufull…/Pamfleti

 

restaurimi i enverizmit kopje surrogato

Lini një Përgjigje