Situata brenda mazhorancës është shpërthyese, e ka shumë gjasa që njësoj si Prigozhini i Putinit, edhe homologët e tij në Shqipëri të bëhen gati të marrin “Moskën e Edi Ramës”...
Në panelin e Sokol Ballës, ku përgjithësisht ulen gazetarë që janë afër qeverisë, u hap si “papritur” teza e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Një tezë, që nëse diskutohet pa ndonjë zhvillim që e mbështet, nuk është gjë tjetër veçse një hipotezë në erë, që ngjan edhe pak si budallallëk. Por i thënë një një mjedis ku herë pas here serviren si me spondë ide që vijnë nga “kuzhina e intrigave të qeverisë”, krijohen premisat normale të një zhvillimi që është katapultuar. Që në fakt nuk është zhvillim, por hidhet në “pazarin e gjësë së gjallë” për t’u marrë e komentuar me sa të jetë e mundur.
Për të ushqyer temën e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka asnjë indicje që ta mbajë atë si hipotezë, pasi zgjedhjet lokale kanë përfunduar, e të humburit nga ky proces, përkatësisht Sali Berisha e Ilir Meta, edhe pse e kontestojnë 14 majin si një aksion manipulimi, nuk kanë artikuluar të paktën zyrtarisht kërkesën për zgjedhje të parakohshme.
Versioni më afër konceptimit të takatit të vogël që kanë doktori e Meta është ai i imponimit të rrëzimit të qeverisë me protesta e skandale, për të pasur një ekzekutiv të ndryshëm nga ky që është, në mënyrë që të nisë përçarja brenda PS-së e elektoratit të majtë.
Po pse atëherë Sokol Balla dhe panelistët e tij, e hodhën në fushë si ‘një rrufe në qiell të pastër’ tezën e zgjedhjeve të parakohshme. Madje edhe e komentuan së bashku me pasojat e këtij procesi?
Gjasat duket të jenë vetëm të imponuara nga zhvillimet brenda mazhorancës që ka shkaktuar jo thjesht pushteti i madh, por lufta e klaneve brenda atyre që quhen si banda të PS-së që e kanë kapur prej kohësh mazhorancën.
Banda, që siç u pa në rastin e skandalit të Safet Gjicit janë gati të bëjnë gjithçka për të imponuar pushtetin e tyre, që duket se është prekur nga faktorë të tjerë paralel që ka afruar Edi Rama.
Duke nisur me dy portet e reja të Durrësit; atë turistik dhe portin industrial. Ku Rama nuk i ka dhënë atë që këto grupe kriminale kanë pasur gjithmonë; kontrollin total në pikat kyçe.
Ndërkaq, në Shkodër me Benet Becin, Tom Doshi, edhe pse e ka mbështetur nuk do t’i ketë duart e lira, e pas arrestimit të Gjushit, ka nisur paniku i madh i grupeve të tjera.
Situata brenda mazhorancës është shpërthyese, e ka shumë gjasa që njësoj si Prigozhini i Putinit, edhe homologët e tij në Shqipëri të bëhen gati të marrin “Moskën e Edi Ramës”. E ndryshe nga Putini, ky autokrati artist është i kapur këmbë e kokë nga të fortët që i ka llastuar derisa po i dorëzon pa vullnetin e tij drejt burgut.
Po çfarë mund të ndodhë në këtë rast që është frikësuar Edi Rama e kërcënon me zgjedhje të parakohshme?
Asgjë përveç publikimit të fakteve që këta të fortë kanë me okë në arkivat e tyre për mëkatet e Bablokut. Ku me një serial 8 puntatash mund t’i bëjnë varrin “liderit global”. Larg qoftë pastaj nëse ndonjëri që është në burg si Gjushi apo të tjerë pranë tij të bëhet dëshmitar i drejtësisë, përkatësisht pentito, e të rrëfejë ‘fije e për pe’, “Cosa Nostra-n” e pashait-piktor, që po e ndjen që sot tingullin e këngës së famshme të Ali Pashës me tekst të Ismail Kadaresë: “Koka në Stamboll e trupi në Janinë”. Po a do i bëjnë fajde zgjedhjet e parakohshme? Gjasat janë që të jenë varri i tij politik, sepse kësaj rradhe përrallat me ‘safetë’ i kanë mbaruar e s’i beson më kush. Plus që perla të tjera pritet të dalin në verë e pas saj…/Pamfleti
Lini një Përgjigje