Kanë një pakt për të mbajtur njëri-tjetrin që të ruajnë pushtetet e tyre. Në të vërtetë ata nuk janë armiq, por aleatë të dorës së parë, madje ortakë. Pasi vetëm me ortakë bëhen ‘deal’-e multimilionëshe...
Edi Rama e nisi pushtetitin e tij si kryeministër, duke çuar pas hekurave kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika në vitin 2013.
Lista e njerëzve e bashkëpunëtorëve që kryeministri ka lëshuar për 10 vjet tashmë është e gjatë, sa ka krijuar mitin se “Rama të shet”. Pasi në fund, është realitet se nuk ka mbrojtur asnjë prej njerëzve më të afërt të tij që kanë pasur postet më të larta në qeverisjen e vendit.
Që nga Ilir Meta, Saimir Tahiri, Lefter Koka, Vangjush Dako, së fundi Arben Ahmetaj, e natyrisht kryetarë bashkish që i promovoi vetë në mënyrë nominale: Fatos Tushe, Safet Gjici, Lefter Alla. Për të mos përmendur pastaj edhe njerëzit e rëndësishëm në PS që Rama i hodhi që herët si Fatmir Xhafa, Erion Braçe, ish-zv.kryeministren nga Shkodra Senida Mesi që sot është larguar nga politika etj etj.
Edi Ramës, i pëlqen vetë që të përmendë faktin se kush ‘ha dardha prapa kurrizit të tij’, ai nuk mund t’i mbajë se “mendon për qytetarët” etj etj.
Megjithatë, ky mit është krijuar me kujdes nga Babloku, për një gjë krejt të thjeshtë. Ai është kujdesur në gjithë karrierën e tij, vetëm për pushtetin personal. Kush nga njerëzit e tij ka tentuar që të krijojë një histori të vetën, një profil të tijin apo të sajën, e ka larguar menjëherë.
E padyshim siç e thotë vetë shpesh “s’keni parë gjë akoma”, pasi në javët e muajt në vazhdim lista do të zgjatet pa fund, me shumë ‘viktima’ të reja që do t’i lëshojë si pre në turmë, vetëm e vetëm me një qëllim. Që të pastrojë totalisht territorin përreth tij, duke mos lënë asnjë person që të ketë mundësi që ta sfidojë, konkurrojë apo zëvendësojë.
Rama është një model tipik si i Enver Hoxhës, i cili gjithashtu largoi, burgosi, vrau apo zhduku të gjithë njerëzit me të cilët qeverisi për 45 vjet. E gjitha kjo ndodhi që kur t’i vinte dita e vdekjes, të vendoste si pasardhës, një person të familjes së tij. Siç ishte Ramiz Alia, me të cilin ishin të lidhur me një krushqi të fortë. Vajza e vëllait të Ramizit u martua me djalin e madh të Enverit, Ilirin, i cili është parë nga diktatori edhe si “trashëgimtari” real i emrit e familjes së tij.
Në fund, kur pushteti i Enver Hoxhës ra, përveç Ramizit që e trashëgoi, ishte edhe familja e tij dhe klani i fshehur në mënyrë perfekte, që ishte aksionere e çdo të mire të pushtetit. Jo vetëm gjatë viteve të fundit të komunizmit, por edhe më pas, kur diktatura u rrëzua.
Ndërkaq, turmat, ndjekësit, militantët e PPSH-së, nuk kishin njeri për të adhuruar përveçse Enverin. Edhe në partinë që pasoi PPSH-në-Partinë Socialiste, u ngritën njerëzit që kishin lidhje me Hoxhën, gruan e tij Nexhmijen apo fëmijët e tij.
Edhe në Partinë Demokratike po ashtu, u vendosën njerëz që kishin punuar me Nexhmijen apo edhe që ishin miq me fëmijët e Enverit.
Edi Rama, si Enver Hoxha, e ka shkrirë historinë e Partisë Socialiste, ka zhdukur të gjithë themeluesit. E shumë shpejt, si modeli i Erdoganit që largoi të gjithë themeluesit e AKP-së për t’i zëvenduar me nipa e dhëndurë, këtë do të bëjë edhe ky i yni.
Por të vetmit njerëz që Rama nuk i ka shitur akoma janë njerëzit e hurit dhe litarit, pazarxhinjtë dhe të fortët që i ka mbështetur gjatë gjithë pushtetit të tij.
Që nga Toma te Qifja, apo edhe emra të tjerë çifligarësh e qehajallarësh që fshihen nën tituj të rremë biznesmenësh janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të “Bablokut”, siç dhe e kanë pagëzuar, e që përfitojnë gjithçka nga pushteti. Tenderë, poste, favore milionëshe etj etj. Për këta persona, edhe pse biografia e tyre është e ngjyer me të zezën kriminale, Edi Rama të bën gjëmën, i ruan më shumë sesa sytë e ballit. Pasi pikërisht këta tipa ai i konsideron si grupi i vërtetë drejtues i Partisë Socialiste.
Së shpejti, Rama do ta spastrojë partinë edhe nga njerëzit e fundit të grupit që vjen nga themelimi. Duke e zëvendësuar me të rinj, që kanë lidhje të forta me të gjithë xhagajdurët e belaçurët e krimit e rrugës.
Ndërkaq, i kundërt është modeli i Sali Berishës, i cili është një politikan “klasik” që nuk ka shitur deri më sot asnjë nga njerëzit që janë hetuar apo dënuar nga drejtësia. E ka marrë vetë përsipër mbrojtjen e tyre, duke thënë që nëse dënoni ata duhet të dënoni njëherë Berishën. Kështu, ka krijuar një profil, sipas të cilit ai mbron bashkëpunëtorët dhe nuk rrëzon asnjëri rrugës.
Ky është çelësi i një besnikërie thuajse të pandashme me establishmentin e gjerë e të madh të të gjithë ish-drejtuesve të nivelit të dytë të pushtetit të Berishës, që nuk e tradhëtojnë kurrë.
Për këtë, Berisha ka marrë në vete profilin e “burrit që është besnik me miqtë e tij”. Në realitet edhe ky është një mit i rremë, pasi Sali Berisha, sot nuk ka me vete asnjë prej njerëzve që ka drejtuar e qeverisur PD-në këto 30 vite. Ata i ka mënjanuar dhe larguar sapo e ka parë se mund të bëhen konkurrues dhe garues të pushtetit të tij. Kështu bëri edhe me Lulzim Bashën, kur këtë të fundit ndërkombëtarët e morën dhe e llastuan për ta ndarë nga Berisha. i cili njësoj si Enver Hoxha, por në një mënyrë ndryshe ka pranë pushtetit të tij vetëm klanet e ngushta të familjes.
E siç po e tregon edhe historia e Kullës në mes të Tiranës, këto dy modele, edhe pse të përmbysur, kanë një pakt për të mbajtur njëri-tjetrin që të ruajnë pushtetet e tyre. Në të vërtetë ata nuk janë armiq, por aleatë të dorës së parë, madje ortakë. Pasi vetëm me ortakë bëhen ‘deal’-e multimilionëshe. / Pamfleti
Lini një Përgjigje