TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Shtator 2024, 21:25

Pse Uashingtoni kapërcen Ambasadën Amerikane e na sjell mesazhe përmes Batonit?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Pse Uashingtoni kapërcen Ambasadën Amerikane e na sjell mesazhe

Lajmet nga Uashingtoni tashmë i sjell Batoni...

Amerika nuk e ka seriozisht arrestimin e 4 Klaneve Mafioze që drejtojnë 20 familjet kriminale dhe sot “ushtria” antiamerikane e Saliut nisi rrethimin e SPAK-ut.

Komisioni “Xhafa” ka marrë turr për ta “zbutur” ligjin ndaj hajdutëve të pushtetit, duke i futur në kalendat greke vendimet ekzekutive të Shtëpisë së Bardhë për luftën ndaj krimit të organizuar në Ballkan.

Mesazhet e këtyre ditëve janë të qarta.

Sa kohë nuk do kemi ambasador amerikan dhe Pamfleti e ka thënë vazhdimisht nga dita e largimit të diplomates Yuri Kim, se duhet të presim pranverën 2025, duket Baton Haxhiu do jetë ura lidhëse mes Tiranës dhe Uashingtonit.

 Ne e dinim se Uashingtoni nuk bashkëpunon me mafiozët, por Batoni lëshoi diellin e Edi Ramës mes suferinës së Amerikës, e ashtu duhet të jetë, sa kohë këto re të zeza mbi pritshmëritë e shqiptarëve, ende nuk doli t’i largojë nga Rruga e Elbasanit e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn.

Vjeshta që pritet me arrestime VIP, nga takimet që paska pasur Baton Haxhiu në Uashington, na del të jetë zhgënjim për shqiptarët.

Batoni solli edhe rezultatin e votave të pranverës.

Edi Ramën nuk e mund askush.

More, edhe njëherë, se duam të jemi si gjithmonë të ndershëm në këtë profesion që në 42 vjet nuk kemi pasur as edhe një herë shkelje, qoftë edhe etike, një padi në gjykatë apo tërheqje “veshi”, e tha apo nuk e tha Baton Haxhiu tek Syri i Çimit, se “ka qenë për një vizitë “sekrete” në Uashington”?!

More, a la të nënkuptohet se edhe Ambasada Amerikane në Tiranë i beson gazetarisë së kësaj monstre, duke na çuar mesazh të koduar se ca punë nuk janë si ca të tjera?!

Batoni paska miq në Qeveri, SPAK, Ambasadën Amerikane, mafien e bizneseve të pista, Uashington e deri tek Ushkuri i Sali Berishës.

Ne që i njohim mirë të gjithë kolegët e besuar nga Mafia, të pasur e në zenit të qiellit diplomatik, nuk habitemi fare që Saliu e liroi ushkurin e vet, doli qullak antiamerikan, zgjati gjalmën e bagëtive dhe i lëshoi të kullosin andej nga “urdhëroi” Batoni

 Gazetarët që gjithë jetën nuk kanë një shkrim kundër pushtetit, mafies apo edhe hajdutëve, gazetar më të pasur se cilido koleg i The New York Times apo edhe i televizionit të Katarit, të na falin, por ne nuk mund t’i regjistrojmë në analet e historisë së gazetarisë shqiptare, përveçse t’i injorojmë e t’u themi, të paktën mos na ndyni profesionin!

Injoranca e kësaj kopeje, na ka sjellë edhe sekuencat e çuditshme kur Batoni u thirr në SPAK për pasuri të madhe dhe lajmi u përhap nga mediat e Mafies se intervistoi prokurorë të SPAK-ut, dhe ata të FBI-së.

Kanë kaluar shumë muaj e as SPAK, as Ambasada Amerikane nuk përgënjeshtroi Batonin, njërin ndër ata të “listës blu”, në një sirtar afër “listës së zezë” të të gjithë gazetarëve të ndershëm dhe që nuk e shesin profesionin tek mafia, e ende ajo intervistë nuk u botua.

Kjo e fundit, se Uashingtoni konsultohet me Baton Haxhiun, është një “tra” pak poshtë kulmit të turpit.

Trau më lart, atje ku hajdutët na valëvitin besimin që ka Amerika ka tek ata, keq na vjen, por sa kohë nuk përgënjeshtrohet, është “pushkatim” i demokracisë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje