
Në gjithë këtë “riorganizim” pas 12 vite pushtet, Edi Rama nuk ka profiluar ende një pasardhës, duke lënë pezull klanet e vjetra që të gjejnë strehë e të përplasen, sipas lëvizjeve të kontrolluara...
Edi Rama, në të ashtuquajturin organizim të ri elektoral të Partisë Socialiste, ka lënë në fuqi skemën e vjetër të “Sekretarëve të Parë”, që i lëviz krerët e qarqeve me emërim nga lart.
Por, këtë radhë, Rama ka lënë 3 qarqe nën drejtimin e njerëzve që janë direkt në territor: Përkatësisht Shkodrën ja ka lënë kryebashkiakut Benet Beci; Beratin, Ervin Demos; dhe Durrësin, Emirjona Cakos.
Po a do e kenë këta të tre kryebashkiakë kontrollin politik të qarkut?
Në Berat, Demo e ka mjaft të thjeshtë, jo meqë qarku është më i mbledhur dhe i manovrueshëm, por edhe se vota socialiste atje është më e sigurt, e të gjitha bashkitë e qarkut konsiderohen bastione të PS-së.
Në Durrës, Emriona Sako, erdhi në krye të bashkisë, pas largimeve të disa kryebashkiakëve të emëruar si pasojë e dorëheqjes së Vangjush Dakos.
Sako, erdhi në krye si një kompromis mes grupeve të fuqishme dhe mjaft të rrezikshme të zonës, ku hyri si interlekutor vetë Edi Rama, i cili zgjodhi qarkun e Durrësit për deputet, si për të treguar se është garant i kësaj marrëveshjeje.
Në Shkodër, Rama duket ka vendosur Benet Becin, me qëllime krejt pragmatike, pasi puna e tij në krye të bashkisë prej një viti ka rritur entuziazmin e po jep në çdo sondazh një përkrahje gjithnjë e më të gjërë.
Nëse nuk do të vinte kryebashkiakun Beci, por një tjetër burokrat të PS-së, ka shumë gjasa që përkrahja personale ndaj punës së Benet Becit, të shkojë si votë për Partinë Socialiste në 2025. PS kërkon të ruajë kuotën e deputetëve me shpresë për të marrë edhe të pestin, megjithëse është e vështirë.
Nga ana tjetër, në Korçë, mos lëvizja e Niko Peleshit, është e lidhur thjesht me trafikun e influencës që kryetari i grupit parlamentar të PS-së ka në bashkitë e qarkut, kryebashkiakët e së cilës i ka promovuar vetë. Rama synon që të paktën të ruajë kuotën e një deputeti më shumë, pra 10 mijë votave diferencë, çka ka ndodhur në vitin 2021.
E në këtë kuadër, risia e vetme është Benet Beci, pasi Shkodra gjithmonë i është lënë një personazhi interlekutor me grupet e forta kriminale dhe lobit të Tom Doshit.
Ndërkaq, në lidhje me rivalitetin dhe përplasjen e fortë ndërmjet lobit të Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, Rama zgjodhi që t’i mbajë pozitat e tyre të pandryshueshme, e në dukje të fuqizuara, por pa i ngritur njërin apo tjetrin në raportin mes vetes.
Lalit, i ka vënë në krah në Tiranë: Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun, që konsiderohen si të afërta me të, ndërkohë që Arbian Maznikun e ka dërguar shefi i qarkut të Elbasanit, një nga më të rëndësishmit për PS, e ku gëlojnë grupet kriminale nga më të frikshmet.
Ballukut, ndërkohë i ka dhënë qarkun e Fierit, që për socialistët konsiderohet si qarku i Gramoz Ruçit, e kush e ka atë, shihet me sy “shefi”.
I vetmi që është shmangur thuajse totalisht është Taulant Balla. i cili nga Sekretar i Përgjithshëm i PS-së e kryetar grupi, e më pas ministër i Brendshëm, sot është ministër pa portofol dhe sekretar për diasporën. Një post kot, pasi në zgjedhjet e ardhshme diaspora nuk do të ketë mundësi të votojë, përveç një numri të vogël e të kontrolluar.
E gjitha kjo, nuk është gjë tjetër, veçse një përfundim i paktit të Edi Ramës me Fatos Nanon, përfaqësues i të cilit është Taulant Balla. Por nuk ishte i vetmi ai si përfaqësus i Nanos. Është një rrjet i tërë drejtorësh dhe zyrtarësh të PS-së, që sot duket kanë humbur çdo fuqi.
Aldrin Dalipi, një nga njerëzit e Ballës në PS-në e Tiranës, është lënë mënjanë, e sot thuajse nuk ka asnjë fuqi politike përveç postit honorifik të kryetarit të qarkut.
Ndërkaq, një tjetër risi, është hyrja e Blendi Gonxhes në forcën e lartë politike, duke e emëruar “Sekretar i Parë në Dibër”, zonën që ka pasur Belinda Balluku.
E cila duket se e ka ditur prej kohësh, pra ja ka thënë Rama, kur doli në publik me të ashququajturën “torta Belinda” në një pastiçeri të Fierit. Fakt që ishte një sinjal i saj për ikjen nga Dibra e marrjen në dorë të qarkut më të rëndësishëm pas Tiranës.
Goxhja, ishte menduar nga Edi Rama si një drejtues i qarkut të Tiranës për të dubluar Lalin, por në fund, Rama zgjodhi skemën aktuale me logjikën që të mos demotivojë drejtuesit kryesorë të mazhorancës.
Në fund, mund të thuhet lirisht, që në gjithë këtë “riorganizim” pas 12 vite pushteti, Edi Rama nuk ka profiluar ende një pasardhës, duke lënë pezull klanet e vjetra që të gjejnë strehë e të përplasen, sipas lëvizjeve të kontrolluara.
Në Vlorë, Rama ka dërguar Blendi Çuçin, që është njëri i afërt i tij, për të kontrolluar fuqinë e rritur të Gramoz Ruçit, që kontrollon bashkinë. Mos vënia e kryebashkiakut Ermal Dredha drejtues qarku, siç bëri me Becin, Sakon e Demajn, është një lëvizje e qartë e Ramës, për të treguar se nuk ka numra 2 në PS, por vetëm “Komisarë” që ai mund t’i lëvizë e rilëvizë, duke i kontrolluar gjithë kohën./Pamfleti
Lini një Përgjigje