TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Prill 2026, 12:31

Me sytë nga Hungaria

Shkruar nga Gjergj Zefi
Me sytë nga Hungaria
Fidesz e Orban në një takim elektoral /

Zgjedhjet e 12 prillit nuk janë thjesht një garë për pushtet në Budapest, por një provë për drejtimin e Europës, kufijtë e sovranizmit populist dhe për aftësinë e Bashkimit Europian për të rikthyer një anëtar të vetin në binarët e besueshmërisë demokratike...

Hungaria po hyn në një prej momenteve më të ngarkuara politikisht që nga rikthimi i Viktor Orbán në pushtet në vitin 2010. Këtë herë, pesha e zgjedhjeve nuk matet vetëm me pyetjen nëse Fidesz do ta ruajë pushtetin apo nëse Péter Magyar do ta përmbysë ekuilibrin e deritanishëm.

Pyetja reale është më e thellë: a po përballet Europa me fillimin e fundit të modelit orbánist, apo thjesht me një rikonfigurim të tij? Analistët ndërkombëtarë e përshkruajnë këtë klimë si një moment kur “gjërat duken ndryshe”, dhe e lexojnë votimin hungarez si një ngjarje me pasoja të drejtpërdrejta ndërkombëtare, jo vetëm vendase.

Pas katër mandatesh radhazi, regjimi i ngritur nga Orbán nuk shihet më si një makineri e pathyeshme. Shenjat e konsumimit janë të dukshme: lodhja e elektoratit, stanjacioni ekonomik, dobësimi i shërbimeve publike dhe rritja e pakënaqësisë ndaj nepotizmit e klientelizmit. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e hungarezëve nuk shohin më progres, por ngecje, madje përkeqësim, sidomos në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Ky është një tregues i rëndësishëm: regjimet populiste mund të mbijetojnë gjatë mbi narrativë, por bien kur narrativa nuk arrin më të mbulojë përditshmërinë.

Dhe megjithatë, Hungaria nuk është thjesht një histori konsumi i brendshëm politik. Ajo është kthyer në nyje strategjike mes katër boshteve të mëdha të krizës europiane: Brukselit, Uashingtonit, Moskës dhe Kievit. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet hungareze po ndiqen me kaq vëmendje.

Kush fiton në Budapest, do të ndikojë jo vetëm politikën e brendshme të vendit, por edhe pozicionimin e Hungarisë në raport me luftën në Ukrainë, me arkitekturën e sigurisë europiane dhe me marrëdhënien e tensionuar me Bashkimin Europian.

Orbán ka ndërtuar me kujdes një profil të dyfishtë: brenda vendit si garant i stabilitetit kombëtar, jashtë vendit si simbol i sovranizmit nacionalist që sfidon establishment-in liberal europian. Për vite me radhë, kjo formulë i ka funksionuar. Ai ka ditur të paraqitet si mbrojtës i identitetit, si pengesë ndaj migracionit, si kritik i sanksioneve ndaj Rusisë dhe si zë kundër asaj që e ka quajtur hipokrizi të Brukselit. Por pikërisht suksesi i kësaj formule e ka izoluar Hungarinë brenda familjes europiane. Bllokimi i miliarda eurove fonde të BE-së për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës dhe korrupsionin është prova më konkrete se konflikti me Evropën e ka kaluar prej kohësh nivelin simbolik.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e 12 prillit janë edhe një referendum mbi vetë marrëdhënien e Hungarisë me Europën. Jo sepse hungarezët po zgjedhin mes “Brukselit” dhe “kombit”, siç përpiqet ta paraqesë propaganda e Fidesz-it, por sepse po vendosin nëse vendi i tyre do të vazhdojë të jetë një anëtar i vështirë, bllokues dhe i dyshimtë brenda BE-së, apo do të përpiqet të rikthejë një minimum besueshmërie institucionale. Këtu qëndron edhe interesi europian: jo te ndërrimi i emrave, por te pyetja nëse Budapesti do të mbetet një nyje e mosbesimit strategjik në zemër të Unionit.

Ngjitja e Péter Magyar është produkt i këtij momenti, por jo domosdoshmërisht zgjidhja e plotë e tij. Tisza nuk po fiton vetëm se është opozitë, por sepse po paraqitet si kanal i një pakënaqësie të gjerë, që kapërcen kufijtë klasikë partiakë. Magyar ka hyrë në skenë si ish-njeri i sistemit, jo si figurë jashtë tij. Kjo i jep avantazh sepse njeh mekanizmin nga brenda, por edhe kufizim, sepse nuk mund të shitet lehtë si alternativë e pastër morale. Forca e tij, për momentin, buron më shumë nga lodhja me Orbánin sesa nga kristalizimi i një projekti të plotë pas-Orbán.

Kjo është pika ku duhen shmangur iluzionet naive. Edhe një fitore e opozitës nuk do të thotë automatikisht çmontim i menjëhershëm i modelit që Orbán ka ngritur për 16 vjet.

Sistemi hungarez nuk është më thjesht një shumicë parlamentare; është një rrjet ndikimi mbi administratën, median, ekonominë, gjyqësorin dhe narrativën kombëtare. Prandaj rënia elektorale e Fidesz-it, nëse ndodh, do të ishte vetëm fillimi i një faze të re përplasjeje, jo fundi i saj. Në terma diplomatikë, ndryshimi i qeverisë mund të prodhojë lehtësim; ndryshimi i sistemit kërkon kohë, legjitimitet dhe aftësi shtetformuese.

Një tjetër element që e bën këtë votim ndërkombëtarisht të rëndësishëm është Ukraina. Orbán e ka përdorur luftën si instrument elektoral, duke ushqyer frikën se çdo afrim me vijën e Brukselit apo të Kievit do ta tërhiqte Hungarinë drejt rrezikut. Edhe Tisza po ecën me kujdes në këtë terren, duke mos premtuar mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe duke mbajtur distancë ndaj një përshpejtimi të anëtarësimit të saj në BE. Kjo tregon që: edhe pas Orbánit, Hungaria nuk do të kthehet brenda natës në një aktor plotësisht linear dhe të parashikueshëm. Ndryshimi i kursit mund të vijë, por do të jetë i kushtëzuar nga ndjeshmëritë e brendshme hungareze.

Po aq i rëndësishëm është edhe faktori amerikan.

Vizita e JD Vance në Hungari, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, është lexuar si mbështetje politike për Orbánin dhe si shenjë se Budapesti mbetet simbolikisht i rëndësishëm për të djathtën populiste transatlantike. Kjo e ngre edhe më shumë peshën e zgjedhjeve: një humbje e Orbánit nuk do të ishte thjesht rotacion kombëtar, por edhe goditje simbolike për rrjetin ideologjik që e ka përdorur Hungarinë si vitrinë të “demokracisë joliberale”. Nga ky këndvështrim, rezultati në Budapest do të lexohet edhe në Uashington, jo vetëm në Bruksel.

Megjithatë, kujdesi analitik mbetet i domosdoshëm. Sondazhet e japin Tisza-n përpara, madje disa projeksione flasin edhe për epërsi shumë të fortë, por historia e zgjedhjeve hungareze ka treguar se Fidesz-i nënvlerësohet shpesh më pak sesa mendohet. Analistët vërejnë vështirësi për të kuptuar elektoratin rural, të varfër dhe periferik, që vazhdon të jetë një rezervuar i rëndësishëm për pushtetin aktual. Kjo do të thotë se pavarësisht atmosferës së ndryshimit, fitorja e opozitës nuk duhet trajtuar si fakt i kryer. Në Hungari, si në shumë sisteme të kapura, klima politike dhe rezultati elektoral nuk ecin gjithmonë në të njëjtën shpejtësi.

Në plan më të gjerë europian, ajo që ndodh në Hungari do të shërbejë si sinjal edhe për Ballkanin. Jo sepse modelet janë identike, por sepse dilema është e njohur: a mund të mbijetojë gjatë një pushtet që kontrollon institucionet, deformon pluralizmin dhe ushqehet me konflikt permanent me “armikun e jashtëm”, kur ekonomia ngec dhe shoqëria lodhet?

Hungaria po teston nëse lodhja shoqërore mund të kthehet në ndryshim politik edhe kur fusha e lojës është e shtrembëruar. Ky është një leksion që kapërcen kufijtë e saj.

Prandaj, me sytë nga Hungaria, Europa nuk po pret vetëm një rezultat zgjedhor. Po pret të kuptojë nëse një model që për vite është paraqitur si alternativë ndaj liberalizmit europian po hyn në fazë konsumimi strategjik, apo nëse do të gjejë sërish mënyrë për t’u riprodhuar përmes frikës, polarizimit dhe kontrollit institucional.

Nëse Orbán fiton, ai do ta lexojë këtë si mandat për ta thelluar kursin e tij. Nëse humbet, Europa do të përballet me detyrën jo më pak të vështirë: si të ndihmojë rikthimin e Hungarisë pa e poshtëruar atë, si të mbështesë shtetin e së drejtës pa u dukur se po administron sovranitetin e një vendi anëtar.

E thënë troç: Hungaria nesër, nuk është sot thjesht një çështje hungareze. Ajo është pasqyra ku Europa po sheh sa të forta janë ende institucionet e saj, sa tërheqëse mbetet ideja e saj politike dhe sa i rrezikshëm bëhet vakumi kur demokracia zëvendësohet nga një regjim që premton siguri, por prodhon izolim. Më 12 prill, Budapesti voton për veten. Por rezultatin do ta lexojë i gjithë kontinenti./Pamfleti

 

me sytë nga hungaria gjergj zefi

1 Komente

  1. T
    Tony.

    Arti filmik Hollywoodian Arti Pornografik Hungarian = Lere lere cdo te veje.

    Lini një Përgjigje

    Editorial