Pavarësisht optimizmit të kujdesshëm, bisedimet Uashington-Teheran nisun mbi baza të brishta dhe me pritshmëri të kundërta. Aktorët kryesorë nuk bien dakord as për kuptimin e “fundit të luftës”, çka e bën kompromisin shumë të vështirë. Në vend të një zgjidhjeje, më e mundshme është një seri armëpushimesh të përkohshme.
Negociatorët iranianë dhe amerikanë do të ulen të shtunën përballë njëri-tjetrit në Islamabad për bisedimet e para të drejtpërdrejta që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Ky takim, i ndërmjetësuar nga Pakistani, është testi i parë serioz nëse armëpushimi i 7 prillit mund të shndërrohet në diçka më të qëndrueshme.
Megjithatë, pengesat përpara janë të mëdha. Si SHBA-ja, ashtu edhe Irani kanë shpallur fitore dhe këmbëngulin që bisedimet të zhvillohen sipas kushteve të tyre. Ndërkohë, Izraeli ka vijuar fushatën e bombardimeve në Liban.
Kur në këtë ekuacion përfshihet edhe Pakistani si ndërmjetës, atëherë kemi katër aktorë, ku secili ka një lloj vetoje mbi përfundimin e konfliktit dhe asnjëri nuk bie dakord plotësisht se çfarë do të thotë “fund i luftës”.
Për ta kuptuar këtë, duhet të heqim vëmendjen nga koreografia diplomatike e kësaj fundjave dhe të shohim dinamikat më të thella që e bëjnë kaq të vështirë arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Problemi i bisedimeve
Studiuesit e përfundimit të luftërave argumentojnë se konfliktet mbyllen kur të dyja palët gjejnë një zgjidhje të negociuar që e preferojnë më shumë sesa vazhdimin e luftimeve. Dhe kjo ide tingëllon e thjeshtë, derisa përballesh me pengesat strukturore që e kanë bërë këtë luftë kaq të vështirë për t’u zgjidhur.
Këtë dukuri e shpjegojnë tre mekanizma kryesorë. I pari është problemi i informacionit. Luftërat zhvillohen pjesërisht për të zbuluar atë që diplomacia nuk arrin: sa e vendosur është secila palë për të arritur objektivat e saj dhe sa kosto është e gatshme të përballojë.
Gjashtë javë sulmesh të pandërprera e kanë bërë më të qartë këtë gjë. Tashmë të dyja palët kanë një ide më të mirë në lidhje me vendosmërinë e SHBA-së, si dhe për aftësinë e Iranit për të përballuar goditjet pa u dorëzuar.
Së dyti, problemi i besimit është pengesa më e madhe. Irani ka pranuar edhe më parë mekanizma verifikimi. Marrëveshja JCPOA është një shembull i qartë. Por Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e nisën këtë luftë ndërsa negociatat ishin ende aktive, madje në një moment kur ndërmjetësit po flisnin për përparime.
Sot, asnjëra palë nuk mund të ofrojë garanci të besueshme. Irani nuk mund të jetë i sigurt se një marrëveshje e re do të respektohet nga qeveritë e ardhshme izraelite, ndërsa Uashingtoni dyshon se Teherani nuk do të rindërtojë kapacitetet e tij sapo të lehtësohet presioni.
Propozimi amerikan me 15 pika e ndërlikon edhe më shumë situatën, pasi kërkon jo vetëm kufizime bërthamore, por edhe ndalimin e raketave balistike dhe vendos kushte që praktikisht prekin vetë regjimin. Irani i ka hedhur poshtë këto si të tepruara dhe të paarsyeshme. Në thelb, besimi u shkatërrua më 28 shkurt, kur bombat ranë mbi Iran ndërsa diplomatët ende po negocionin.
Mekanizmi i tretë është ndoshta më themelori: pandashmëria e çështjes. Njohuritë e Iranit për pasurimin e uraniumit nuk mund të zhduken, dhe sado e dëmtuar të jetë infrastruktura e tij, ajo nuk mund të verifikohet plotësisht pa një nivel aksesi që Teherani tashmë e refuzon.
Ose Irani ruan kapacitetin për një përparim të shpejtë bërthamor, ose jo. Ky nuk është thjesht një pozicion negociues, por një realitet strukturor që e bën të paqartë dhe të debatueshëm përfundimin e konfliktit.
Izraeli diktoi nisjen, por jo daljen nga lufta
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e nisën këtë luftë së bashku më 28 shkurt. Por, siç kanë pranuar edhe zyrtarë amerikanë, zgjedhja reale e SHBA-së nuk ishte nëse do të hynte në luftë, por si do ta ndiqte partnerin e saj.
Llogaritë e Izraelit diktuan edhe opsionet e Uashingtonit. Kur një aleat i madh angazhohet pa kushte, ai në fakt i jep partnerit më të vogël më shumë fuqi për të përcaktuar axhendën. Dhe kjo vlen edhe më shumë për përfundimin e luftës sesa për fillimin e saj.
Kushti i Izraelit për mbylljen e konfliktit është më i larti nga të gjithë aktorët: jo vetëm një program bërthamor iranian i dobësuar, por një regjim i reduktuar në një rol të parëndësishëm strategjik. Ky objektiv nuk është arritur.
Kryeministri Benjamin Netanyahu do ta kishte të vështirë të pranonte një kompromis pa u përballur me pasoja serioze politike në vend. Kjo krijon një situatë bllokimi. Izraeli mund të pengojë një marrëveshje që nuk i pëlqen.
Dhe armëpushimi aktual, të cilin zyrtarët izraelitë e kanë konsideruar të pamjaftueshëm, tregon kufijtë e aftësisë së SHBA-së për t’i dhënë fund luftës sipas kushteve të saj.
SHBA ka levat materiale, por jo ato politike
Shtetet e Bashkuara hynë në këtë luftë pa një objektiv të qartë dhe të pavarur nga ai i Izraelit. Rrjedhimisht, ajo nuk ka një bazë të fortë për të shpallur fitore dhe për t’u tërhequr.
Uashingtoni ka adoptuar në thelb objektivat e Izraelit - dobësimin e regjimit dhe neutralizimin bërthamor - ndërkohë që përpiqet të paraqitet si palë negociuese me Teheranin. Kjo është edhe kontradikta në zemër të strategjisë amerikane: nuk mund të negociosh me një regjim që njëkohësisht po përpiqesh ta dobësosh apo rrëzosh. Luhatjet në retorikën politike - nga kërcënimet ekstreme deri te deklaratat optimiste për negociata - pasqyrojnë pikërisht këtë mungesë koherence.
Ndërkohë, po rritet presioni i brendshëm në SHBA. Mbështetja publike për luftën është e ulët, po ndikohet ekonomia globale dhe po rriten çmimet e naftës. Këta faktorë e shtyjnë Uashingtonin drejt një daljeje nga konflikti.
Por armëpushimi aktual u ndërmjetësua nga Pakistani dhe u mbështet në një propozim iranian, duke treguar kufizimet e ndikimit amerikan.
Irani di të presë
Pozicioni publik i Iranit ka qenë i qëndrueshëm: mbijetesa e regjimit dhe ruajtja e kapacitetit të pasurimit. Nuk synon një fitore të plotë, por vazhdimësi. Ky është një prag shumë më i ulët se ai i aktorëve të tjerë dhe për këtë arsye edhe më i arritshëm.
Për udhëheqjen iraniane, një marrëveshje që duket si kapitullim mund të jetë më e rrezikshme sesa një konflikt i zgjatur, sepse mund t’i hapë rrugën sfidave të brendshme ndaj legjitimitetit të regjimit.
Kjo shpjegon edhe refuzimin e propozimit amerikan. Në të njëjtën kohë, zhvillimet ndërkombëtare - presioni politik në SHBA, ekonomia globale dhe çmimet e energjisë - po lëvizin në një drejtim që i jep Iranit më shumë kohë. Dhe Teherani është i gatshëm të presë.
Tre luftëra, tre funde dhe një pauzë
Propozimi iranian me 10 pika sugjeron se Teherani po negocion nga një pozicion relativisht i fortë. Ajo që tregon armëpushimi aktual është se ky konflikt nuk do të përfundojë me një marrëveshje të qartë, por me një seri pauzash të brishta dhe të kontestuara.
Problemet e besimit mbeten të pazgjidhura dhe një armëpushim dyjavor nuk i ndryshon këto realitete. Pauza mund të zgjasë pak, por shkaqet e konflikti janë afatgjata. Në fund, askush nuk ka fituar realisht, edhe pse të gjithë do të pretendojnë të kundërtën.
Dhe kriza e radhës mund të jetë duke u formuar tashmë brenda kësaj që po jetojmë sot./Pamfleti nga “Responsible Statecraft”
Lini një Përgjigje