TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Gusht 2023, 13:48

Loja e rrezikshme që po luhet me Himarën

Shkruar nga Pamfleti
Loja e rrezikshme që po luhet me Himarën
Qirjakos Mitsotakis dhe Edi Rama

Edi Rama është gati të lërë bashkinë e Tiranës, përpara asaj të Himarës. Atje janë përqëndruar interesa thuajse të njëjta me kullat frenetike të kryeqytetit...

Edi Rama i ka dhuruar familjes më të fuqishme të Greqisë, Micotaqis, një mundësi të artë për të instaluar pushtetin absolut në vendin fqinj.

Pas fitores së Qirjako Micotaqis me një rezultat të pazakontë ç’ka i ka dhënë atij mundësinë për të qeverisur Greqinë i vetëm me një mazhorancë dërrmuese, sivëllai i tij shqiptar, po përgatit dhe një dhuratë për nipin e Qirjakos, i cili kërkon mandatin e dytë si kryebashkiak i Athinës.

Bëhet fjalë për Kostas Bakojanis, djalin e Dorës, ministres së Jashtme që përgatiti Paktin famëkeq të kufirit detar, të cilin gruaja e bukur e diplomacisë greke e quajti një “Vepër arti”.

Kostas Bakojanis, i cili është miku i ngushtë i Erion Veliajt dhe një nga politikanët e rrjetit Soros, ka ardhur në Himarë për të kërkuar lirimin e Fredi Belerit.

Kosta i vogël, djali i motrës së kryeministrit, nipi i ish-kryeministrit dhe djali i ministres së jashtme, kërkon mandatin e dytë në zgjedhjet lokale të 8 tetorit. E fushatën e nis në mënyrë skandaloze në Himërën shqiptare. 

Në logjikën shtetërore, ky është një skandal i madh, pasi jo thjesht po hyn në punët e brendshme të Shqipërisë, po rrezikon që kjo situatë të involvojë qarqet më të errëta të megalidhesë greke, duke e futur Himarën sërish në kalendat e zeza të shovinizmit.

Mjaftonte vetëm një shkresë e ministrisë së Jashtme, për t’i kujtuar kryebashkiakut të Athinës, se Himara është pjesë integrale jo vetëm e Republikës së Shqipërisë, por një vend ku etnikisht ka shqiptarë autoktonë.

E gjitha kjo është një lojë e rrezikshme dhe e ulët politike, që nuk ka asnjë favor as për Himarën, as për banorët e vet, madje as për vijimin e turizmit në këtë zonë të magjishme bregdetare.

Gjithashtu, kjo lojë nuk ka asnjë favor as për PBDNJ-në, Omonian e Fredi Belerin, i cili nuk është gjë tjetër veçse një viktime e një skeme perfide të Ramës e Micotaqisit, për të rritur pushtetin e tyre. Duke u treguar me gjasmë patriot e nacionalistë, e që do zihen për ca kohë në publik, si për të treguar se janë të përkushtuar për kombet e tyre.

Në një vend normal, beteja për drejtësi e një të pandehuri bëhet vetëm në aulat e gjykatës. Çdo rrugë tjetër tejkalon procesin dhe nuk ndihmon në asgjë, vetëm tensionon situatën.

Nëse Beleri ka mbështetje tek banorët e Himarës, edhe kur të përsëriten zgjedhjet mund të fitojë, pavarësisht se e kanë burgosur. Por kleçka këtu qëndron se Edi Rama nuk kërkon ta lërë Himarën në një dorë të pakontrolluar, për arsye se ai ka bërë plane për bregun, të cilin ja ka dhënë “investitorëve të tij strategjik”, ka harxhuar miliona të taksapaguesve për tunelin e Llogarasë, rrugën e Dukatit e atë të Palasës, vetëm e vetëm që vitin e ardhshëm të marrë kontrata multimilionëshe në Dhërmi, Palasë e Jalë. Për nja 2 mandate, Rama nuk do të lëshojë Himarën, pasi rrezikon bllokimi i investimeve, sepse bashkia e ka ligjërisht këtë mundësi. Ai është gati të lërë bashkinë e Tiranës, përpara asaj të Himarës. Atje janë përqëndruar interesa thuajse të njëjta me kullat frenetike të kryeqytetit.

Këtë e di mirë edhe Micotaqis, i cili sipas gjasave edhe po kërkon pjesë në këtë konglomerat milionash. Micotaqis është njeriu i një trusti shumë të fuqishëm sipërmarrësish e të kamurish që e kanë sjellë në pushtet për të shumuar paratë. Këtu sipas gjasave po luhet një lojë, e kjo ka mundësi të tensionojë situatën e të rrezikojë atë pak prosperitet që bregdeti ka fituar këtë vit me dyndjen e turistëve të huaj.

Në fund fare, këtu nuk ka asnjë lidhje minoriteti; as të drejtat e tyre nga njëra anë, as patriotizmi e ligjshmëria nga ana tjetër. Po luhet vetëm për pushtet e para. / Pamfleti

 

edi rama kiryakos mitsotakis himara loja e rrezikshme

Lini një Përgjigje