Natyrisht askush nga kasta e vjetër! Duhet një emër krejt i ri, madje fringo, që të përfaqësojë edhe gjeneratat e freskëta, e jo të jetë pjesë e brezit të postkomunizmit të parë...
Problemi më i madh në përballjen opozitare me Edi Ramën, është impotenca e tmerrshme e tyre për ta mundur rivalin.
Të gjithë thonë; ka qeverisur shumë, të ikë që të vijmë ne, madje edhe para zgjedhjeve të kemi një qeveri teknike pa Edi Ramën. Siç ndodhi pak a shumë në vitin 2017.
Po mirë, po përse nuk mundet që një opozitë ta mundë Edi Ramën, duke e sfiduar atë në zgjedhje duke qenë në qeveri, duke garuar politikisht kundër qeverisë?
Kjo është në të vërtetë thelbi i një beteje elektorale, por kjo opozitë ka problemin se nuk ka gjetur njeriun që ta sfidojë Edi Ramën.
Dikur, kur Rama ishte në opozitë e mori drejtimin e PS, Berisha e sfidoi duke tërhequr me vete Ilir Metën dhe Fatos Nanon në një farë kohe. Ça nuk ishte pak. Por sot, është një tjetër kohë. Edi Rama erdhi në pushtet, pra sfidoi Sali Berishën duke pasur partner të afërt Ilir Metën.
E sot, si Berisha e si Meta tentojnë ta sfidojnë edhe pse kanë humbur tre palë zgjedhje parlamentare e 3 vendore.
A mund ta bëjnë këtë? Natyrisht që jo, por realisht kush e sfidon sot Edi Ramën?
Kjo është pyetja që opozita apo shoqëria duhet të shtrojë, siç demokratët amerikanë po diskutojnë që të largojnë Joe Biden, që është njeriu më i fuqishëm i botës.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, t’i lëmë mënjanë mëkatet e tyre gjyqësore, kanë mbështetës, por nuk mundet që të sigurojnë shumicën për të ardhur në pushtet.
Po përse nuk ndodh kjo? Si mund të sfidohet Edi Rama? Edi Rama sfidohet shumë thjesht! Siç thotë Ilir Meta që dumdumani t’i sekuestrojë pronat e tij.
Por këtë i ashtuquajturi lidership i opozitës duhet ta fillojë nga vetja. Të tërë vullnetarisht duhet të dorëzojnë pronat. Saliu, e bija, i biri, dhëndri, po ashtu ti lënë të gjitha e të jetojnë si Nexhmije Hoxha në vitin 1991. Padyshim jo te pularia e Laprakës, por në një banesë normale. Por edhe po e bënë këtë sërish njerëzit nuk i besojnë.
Sot, në opozitë duhet të dalë një personazh që të sfidojë Edi Ramën, jo vetëm në aspektin antikorrupsion. Pra të jetë i ndershëm e të mos jetojë në vila që janë ndërtuar me para korrupsioni. Madje nuk duhet të jetojë fare në një vilë edhe sikur të mos i ketë para korrupsioni. Opozita kërkon një personazh që i afrohet, e jo që i largohet njerëzve. Sali Berisha dhe Ilir Meta që kanë vila në Lalz me 10-11 banjo nuk kanë lidhje me njerëzit.
Nejse, një sfidant i Edi Ramës duhet të jetë një lider i vetëformuar, të ketë ide dhe vizion, pra ta mundë Edi Ramën në çdo aspekt të tij. Të jetë i zoti në të folur, të ketë një CV jashtë politikës, të ketë një marrëdhënie korrekte me Perëndimin, por edhe të jetë një familje që ka kontribute qytetare.
Kaq e thjeshtë, vetëm se duhet të tregojë me anë shkrimesh apo intervistash se kush është e çfarë kërkon. Nuk ka rëndësi a është i diasporës apo me banim në Tiranë. Thjeshtë të ketë një vizion e të shpallë idenë se si dhe me kë do ta sfidojë Edi Ramën.
Po kush mund ta bëjë këtë?
Natyrisht askush nga kasta e vjetër! Duhet një emër krejt i ri, madje fringo, që të përfaqësojë edhe gjeneratat e freskëta, e jo të jetë pjesë e brezit të postkomunizmit të parë. Duhet një personazh që të mos ketë fare, asnjë akuzë mbi vete, por jo një i panjohur në kuptimin intelektual.
Edi Ramën nuk mund ta sfidojë një personazh që fabrikohet nga mediat, por dikush që në profesionin e tij është dikushi. E mira është qe të jetë intelektual e jo thjesht një biznesmen, siç edhe Babloku dhe opozita i zgjedhin njerëzit prej vitesh. Por edhe nëse është biznesmen, duhet të bëjë betejë, të sfidojë kryeministrin në gjithë fuqinë e vet e të mos jetë një alterego minore.
Opozita ka nevojë për një lider jo për personazh, se të tillë i ka pasur prej kohësh. Sali Berisha, është lideri që i ka dhënë providenca dhe ka drejtuar realisht pjesën e opozitës, por në të vërtetë nuk është politikani që e do shumica e së djathtës. Opozita ka nevojë pikërisht për këtë, një personazh që në mos ta duan, ta pranojnë shumica, e kjo nuk vjen ndryshe vetëm në zgjedhje. Të cilët, ndryshe nga PS-ja duhet të jenë ekselente. Që më pas të bindin njerëzit për të votuar opozitën. Por në këtë kohë, Saliu e Iliri, duhet të zhduken fare nga publiku, ndryshe Babloku do i përdorë si dordolecë.../Pamfleti
Lini një Përgjigje